Raci: Serbia nuk është e interesuar për asociacion, zyrtarët kosovarë të mos i hedhin benzinë zjarrit

1 year ago 11
Reklamë

Analisti, Gazmir Raci, në një intervistë për Vizion Plus ka ndarë mendimin e tij lidhur me situatën e krijuar në Kosovë, pas akuzave të kreut të qeverisë në drejtim të emisarit të BE, Miroslav Lajçak.

Kryeministri Kurti e sulmoi emisarin e BE për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, dhe duket se në të njëjtën linjë qëndroi dhe Konjufca, si u përcoll në arenën politike dhe mediat në Kosovë kjo ngjarje, pas reagimit të SHBA?

“Këto zhvillime që po ndodhin kohëve të fundit janë interesante se është po ashtu në diskutim një temë shumë interesante dhe që mund të ketë impakt të jashtëzakonshme në të ardhmen e Republikës së Kosovës dhe ajo është asosacioni i komunave me shumicë serbe. Për mendimin tim, Serbia nuk është e interesuar për këtë asociacion, për shkak të këtyre tre parimeve që tashmë edhe Kosova po i flet hapur edhe në Bruksel edhe kudo që po shkon në takimet ndërkombëtare. Qëndrimet e diplomatëve, janë qëndrime që synojnë të çojnë Kosovën drejt njohjes së asosiacionit të komunave me shumicë serbe, por Kosova tashmë ka shumë arsye sepse Serbia që nga viti 2011, kur ka hyrë në këtë dialog ka qenë jo e sinqertë, ka sabotuar në çdo moment secilën marrëveshje është arritur në Bruksel”, thekson ai duke shtuar se Serbia është diferencuar nga zbatimi i marrëveshjes.

SHBA dhe BE nënvizuan se kjo bashkësi nuk do të kishte pushtet ekzekutiv, a lehtëson diçka kjo në këtë çështje?

“Pozicioni i qeverisë së Kosovës është shumë i qartë, nuk mund të themelohet një asocioacion i tillë, përderisa nuk zbaton obligimet që kanë dalë nga plani franko-gjerman, që për Kosovën dhe interesin strategjik të Kosovës janë shumë të rëndësishme”, shton ai duke theksuar se Serbia duhet që të depozitojë qëndrimin se nuk do të cënojë territorin dhe do të njohë Kosovën, duke mos e penguar atë në organizata ndërkombëtare.

Si mendon për qëndrimin e ministrit të Brendshëm se do të arrestonte Vuçiç, nëse do të hynte pa leje në Kosovë? A është kjo thjesht një retorikë politike?

“Është deklaratë e ngutshme”, tha ai duke theksuar se nuk i duhet hedhur benzinë zjarrit. “Është mirë që ministrat kosovarë të merren me punët e tyre të përditshme që kanë dhe t’ia lënë kryeministrit të merret më këto çështje të dialogut”, shton ai duke nënvizuar se nuk është mirë të provokohet.

Kosova është që prej muajit qershor nën sanksionet e BE edhe pse Kurti i quan masa, si është ndjerë në jetën politike apo atë të qytetarëve?

“E para ato është e vërtetë që janë masa ndëshkuese, nuk janë sanksione, pasi sanksionet ne e dimë çfarë janë, i kemi përjetuar në kohën e ish-Jugosllavisë”, tha ai. “Në momentin që u vendosën u thanë që kur Kosova do të pranojë shtensionimin e situatës në veri do të hiqen dhe nuk u hoqën. Zyrtarët qeveritarë thonë se ka filluar të kenë ndikim financiar në disa projekte që financohen nga BE, por unë do të doja që këto masa tashmë të hiqen sepse do duhej t’i jepet një mundësi dialogut”, shton ai.

Read Entire Article