Reagimet pas vdekjes së legjendës së muzikës, Tony Bennet

1 year ago 28
14:35 22/07/2023

Fansat vendosën lule në “Walk of Fame” për të nderuar këngëtarin legjendar Tony Bennet pas vdekjes në moshën 96-vjeçare. Ndërsa në shkollën e Arteve “Frank Sinatra”, të cilën Bennet  dhe gruaja e tij, Susan Benedetto, e themeluan në 2001 drejtori Gideon Frankel nderoi figurën e artistit.

“Mendoj se ai ishte një artist, një këngëtar i mrekullueshëm, këngëtar i famshëm, gjithashtu një piktor i mahnitshëm dhe i njohur. Shumë pak njerëz e dinë këtë. Ai ishte gjithashtu një aktivist për të drejtat civile dhe shumë human”, tha ai.

Drejtori i kësaj shkolle shpjegon vizionin që pati Bennet për këtë institucion arsimor.

“Vizioni i tij ishte që studentët e shkollave publike të qytetit të Nju Jorkut të ishin në gjendje të studionin atë që ata dëshironin dhe për të cilin kishin talent. Ne kemi pasur mijëra studentë që kanë hyrë nëpër dyert tona dhe kanë studiuar muzikë, vallëzim, dramë, bërjen e filmave, pra çdo gjë që ka të bëjë me artin sepse Tony Bennet kishte vizionin për të krijuar një shkollë ku kjo mund të ndodhte”.

Artisti i famshëm që i qëndroi besnik stilit të këngëve klasike amerikane, me një talent të lindur për të krijuar standarde të reja si me këngën “I left My Heart In San Francisco” dhe me një karrierë prej dekadash ndërroi jetë vetëm dy javë përpara ditëlindjes. Ende nuk është bërë i ditur shkaku i vdekjes, por Bennett ishte diagnostikuar me sëmundjen Alzheimer në vitin 2016.

Tony Bennett kaloi disa faza vështirësish të mëdha financiare gjatë jetës së tij, si dhe sfida personale, si ndërvarësia nga droga, nga e cila për pak humbi jetën në vitin 1979, por nga e cila arriti të shkëputet me sukses dhe të rifillonte punën me gati 200 spektakle në vit.

Ai la pas bashkëshorten Susan, vajzat Johanna dhe Antonia, djemtë Danny dhe Dae, si dhe nëntë nipër e mbesa.

Klan News

Të ngjashme

Read Entire Article