Republika Çeke në zi kombëtare! Flamujt në gjysmështizë për viktimat e të shtënave në universitetin e Pragës

10 months ago 4

Republika Çeke po mban ditë zie kombëtare për të vrarët nga të shtënat masive të së enjtes në një universitet të Pragës.

Flamujt në ndërtesat zyrtare janë valëvitur në gjysmështizë dhe në mesditë do të mbahet një minutë heshtje.

Katërmbëdhjetë persona u qëlluan për vdekje në ndërtesën e Fakultetit të Arteve të Universitetit Charles në kryeqytet, nga një student i cili më pas vrau veten.  Policia po punon për zbardhjen e motivit të këtij sulmi. Ky është një nga sulmet më vdekjeprurëse nga një person i armatosur i vetëm në Evropë këtë shekull.

Ndër të vrarët në sulmin e së enjtes ishte Lenka Hlavkova, drejtuese e Institutit të Muzikologjisë në universitet. Viktimat e tjera u përmendën si përkthyesi dhe eksperti finlandez i letërsisë Jan Dlask dhe studentja Lucie Spindlerova.

Të shtënat filluan rreth orës 15:00 me orën lokale (14:00 GMT) në ndërtesën e Fakultetit të Arteve pranë sheshit Jan Palach në qendër të kryeqytetit çek. Personi i armatosur hapi zjarr në korridoret dhe klasat e ndërtesës, përpara se të qëllonte vete, thotë policia.

Në një deklaratë, kryeministri çek Petr Fiala tha se vendi ishte tronditur nga ky “akt i tmerrshëm”.

“Është e vështirë të gjesh fjalë për të shprehur dënimin nga njëra anë dhe, nga ana tjetër, dhimbjen dhe pikëllimin që po ndjen e gjithë shoqëria jonë në këto ditë para Krishtlindjeve”.

Sulmuesi mendohet se ka vrarë babanë e tij. Ai dyshohet gjithashtu për vrasjen e një të riu dhe vajzës së tij dy muajshe që u gjetën të vdekur në një pyll në periferi të Pragës më 15 dhjetor.

I themeluar në vitin 1347, Universiteti Charles është universiteti më i vjetër dhe më i madh në Republikën Çeke dhe një nga institucionet më të vjetra në Evropë.

Top Channel

Read Entire Article