Tiranë, 27 korrik/ATSH/ Sekretari për Çështjet Ligjore në Partinë Demokratike, Indrit Sefa në një deklaratë për mediet mbrëmjen e sotme pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Kombëtar të thirrur nga Gazment Bardhi ku u vendos anulimi i zgjedhjeve për kryetar, e cilësoi atë qesharake dhe imagjinare.

Sipas Sefës, zgjedhjet do të realizohen sipas vendimit të marrë më herët.

“Nuk ka gjë më qesharake se deklarata e sotme e Gazment Bardhit që ngarkon dhe shkarkon institucionet e PD, përfshirë dhe kryesinë, pasi përfundon një takim imagjinar. Çdo demokrat ndihet sot i turpëruar për këtë keqperdorje të radhës që Sali Berisha po i bën deputetëve të PD për interesat e tij personale. Hallet e Sali Berishës nuk janë hallet e demokratëve. Dhe të gjithë ata që i shërbejnë qëllimeve të tij e kanë të shkruar fatin e tyre në 3 dekadat e pluralizmit shqiptar”, u shpreh Sefa.

“I urojmë zotit Bardhi suksese për krijimin e partisë së parë digjitale në vend. Është një hap inovativ që duhet përshëndetur. PD nga ana e saj do të vijoje normalisht procesin e reformimit të saj dhe të zgjedhjes së kryetarit në datën 29 korrik. Vetëm kështu mund t’i shërbejmë qëllimit të demokratëve në përballjen me regjimin e Edi Ramës” nënvizoi Sefa.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.