“Serbia do luftë…” Selimi: Ndalimi i Radoiçiç sjellje tipike e Vuçiçit për të “larë” gjakun e policit të vrarë

11 months ago 31
Reklamë
20:05 03/10/2023

Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Petrit Selimi, foli sot në studion e Klan News në lidhje me ngjarjet e fundit për raportin e tensionuar mes Kosovës dhe Serbisë.

Nëpërmjet një komunikimi me Skype, Selimi komentoi ndalimin nga autoritetet serbe të Milan Radoiçiç, i cili, disa ditë më parë pranoi përgjegjësinë për organizimin e sulmit në Banjskë, ku humbi jetën efektivi i policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Vetë ai e mori autorësinë e sulmit dhe dha dorëheqjen si nënkryetar i partisë “Lista Serbe” në Kosovë. Për ish-ministrin, ndalimi i Radoiçiç ishte një hap i pritshëm nga Serbia, pasi ditët e fundit presioni nga SHBA-të u shtua në doza të mëdha.

Sipas tij, ndalimi i Radoiçiç nga autoritetet serbe është një arrestim fiktiv që kryeministri serb, Aleksandër Vuçiç po bën për të “pastruar” imazhin e vendit të tij nga gjaku i policit të vrarë në Kosovë.


“Ky arrestim ishte i pritshëm, sepse u pa një reagim i fuqishëm nga SHBA. Natyrisht që Serbia nuk dëshiron t’i përjetojë sanksionet që janë hapur si temë sidomos nga shtete baltike në Këshillin Evropian. Sigurisht që ka disa shtete që e mbrojnë Serbinë që e këshillojnë Vuçiçin të bëjë hipoteza miqësore ndaj  aleatët perëndimorë. Një arrestim fiktiv për të larë duart nga gjaku në Kosovë dhe për të reduktuar rrezikun politik dhe  diplomatik  nga shteti i Serbisë në një grup të vogël”, tha Selimi për Klan News.

Ndërkaq ai tha se ky hap i Vuçiçit është një sjellje tipike që ky i fundit bën për t’i shpëtuar sanksioneve nga aleatët perëndimorë.

“Është një politikë tipike e Vuçiçit që ulet në dy karrige, si fillim ku lavdon terroristët si heronj të popullit, shpall ditë zie dhe nga ana tjetër bën hipoteza që të bjerë në sy të aleatëve perëndimorë që unë e arrestova terroristin”, u shpreh Selimi.

Për këtë arsye, ish-ministri i Jashtëm tha se qeveria e Kosovës duhet të ketë një plan konkret në aspektin e sigurisë dhe politikës për të dalë nga situata e tensionuar në të cilën ndodhet.

Sipas Selimit, Serbia dëshiron që të provokojë luftë, por pa mbajtur asnjë përgjegjësi.

“Serbia do luftë, por nuk dëshiron që të jetë fajtore për atë luftë dhe faji t’i mbetet Kosovës”, u shpreh Selimi për Klan News.

Kujtojmë se Kosova e ka cilësuar sulmin e 24 Shtatorit si terrorist dhe ka kërkuar një hetim ndërkombëtar për Serbinë, lidhur me rolin e saj në këtë sulm.

Klan News


Read Entire Article