Spanja nis hetimet ndaj shefit të federatës së futbollit për sulm seksual

1 year ago 20
21:43 28/08/2023

Prokurorët në gjykatën kryesore penale në Spanjë njoftuan se kanë nisur një hetim preliminar ndaj shefit të futbollit spanjoll, Luis Rubiales, pasi ai puthi në buzë futbollisten Jenni Hermoso në ceremoninë e Kupës së Botës. Prokurorët do të hetojnë nëse kjo përbën “sulm seksual”.

“Prokurorët e Gjykatës Kombëtare kanë nisur një hetim preliminar për të shikuar faktet, të cilat mund të përbëjnë veprën e sulmit seksual”, u tha në njoftimin e gjykatës.

Prokurorët thanë se kanë kontaktuar Hermoson dhe i kanë ofruar asaj mundësinë që të bëjë padi brenda 15 ditësh.

Presidenti i Federatës spanjolle të Futbollit (RFEF) gjatë fundjavës u pezullua nga posti i tij nga FIFA. Ai mund të përballet me sanksione të reja nëse gjykata e sportit pranon ankesat kundër tij në takimin që mbahet të hënën.

Pasi kombëtarja e grave në futboll e Spanjës fitoi Kupën e Botës më 20 gusht në Sidnej, Rubiales gjatë ceremonisë së ndarjes së medaljeve puthi me forcë Hermoson. Ky veprim nxiti reagime të shumta.

Më pas Hermoso deklaroi se puthja kishte ndodhur pa pëlqimin e saj dhe ajo ishte ndierë “sikur një viktimë e dhunës”.

Gjykata Kombëtare ka nisur hetimet për të përcaktuar nëse këto deklarata mbështeten nga aspekti ligjor.

“Duke pasur parasysh deklaratat publike të bëra nga Jennifer Hermoso, akti seksual, subjekt i të cilit ishte ajo nga Rubiales, nuk ishte konsensual”, u tha në njoftimin e gjykatës.

Nëse futbollistja Hermoso vendos që të mos ngre padi, prokurorët “do ta kenë të vështirë” që ta shtyjnë këtë çështje përpara, thanë disa burime ligjore për AFP-në.

Deri më tani, gjykata tha se ka pranuar gjashtë ankesa ndaj Rubiales për incidentin e puthjes. Nëse vërtetohet se puthja ka ndodhur pa dëshirën e futbollistes, sipas ligjeve spanjolle, do të përbënte sulm seksual.

Gjatë fundjavës, organizata botërore e futbollit, FIFA, suspendoi për 90 ditë Rubialesin. Ai mund të përballet me një suspendim edhe më të gjatë nga Qeveria spanjolle, nëse gjykata sportive nis procedura ligjore ndaj shefit të futbollit.

Gjykata sportive e Spanjës (TAD) ka mbajtur një mbledhje online. Qeveria spanjolle ka thënë se do të ndërmarrë veprime ndaj Rubialesit nëse gjykata sportive udhëzon diçka të tillë. Afër 81 futbolliste kanë hyrë në grevë në shenjë proteste ndaj shefit të futbollit në Spanjë, i cili po refuzon që të japë dorëheqje. /REL

Read Entire Article