Stuhia godet edhe Serbinë/ Dy viktima nga era e fortë, shënohen edhe dëme materiale

1 year ago 19
Reklamë

Një fëmijë 12-vjeçar, një grua dhe një burrë kanë mbetur të vdekur në Serbi gjatë një stuhie vdekjeprurëse, e cila goditi veriun e Ballkanit në orët e para të mëngjesit të kësaj të shtune.

Stuhia nisi të premten kur fillimisht goditi Slloveninë, duke vazhduar drejt Kroacisë, e më pas drejt Serbisë dhe Bosnjës me erëra të fuqishme dhe shira të rrëmbyeshëm.

Autoritetet raportuan probleme me energjinë elektrike dhe dëme të mëdha, përfshirë pemë të shkulura, të cilat dëmtuan automjete dhe çati shtëpish.

Në qytetin verior serb të Novi Sadit, djali 12-vjeçar u gjet i vdekur në rrugë gjatë shiut të rrëmbyer, por mbetet e paqartë nëse ai u godit nga rrufeja apo u vra nga rryma e energjisë elektrike. Siç njoftojnë mediat në Serbi një grua gjithashtu mbeti e vdekur pas një zjarri që u shkaktua nga një masë elektrike në banesën e saj. Edhe një burrë tjetër mbeti i vdekur për shkak të rrymës teksa tentonte të largonte fijet elektrike të këputura prej stuhisë.

Rreth 30 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore, ndërsa shumë rrugë kanë mbetur të bllokuar në orët e para të mëngjesit.

Të mërkurën e kësaj jave, një stuhi tjetër vrau gjashtë persona në rajon, katër prej të cilëve në Kroaci, një në Slloveni dhe një në Bosnjë.


Meteorologët thonë se stuhitë ishin aq të fuqishme, për shkak të ditëve jashtëzakonisht të nxehta.

Read Entire Article