SHBA – Një gjyqtare e kontesë Clark në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka rënë pre e një sulmi fizik nga një kriminel në sallën e gjyqit.
Gjyqtarja Mary Kay Holthus ishte duke dhënë dënimin me burgim për Deobra Redden i akuzuar për kanosje, kur ky i fundit vrapoi drejt tryezës së saj dhe iu hodh sipër duke e qëlluar.
Pamjet e publikuara nga gjykata tregojnë reagimin e menjëhershëm të një prej ndihmësve të gjyqtares, i cili nis të përleshet me kriminelin dhe më pas në ndihmë të tij vijnë edhe policët dhe pjesëtarë të tjerë të stafit të gjykatës.
Ata nuk i kursejnë grushtet dhe shkelmat ndaj tij deri sa e nënshtrojnë.
Gjyqtarja Holthus, 62 vjeçe, u plagos dhe u dërgua në spital, ashtu si edhe një oficer policie që ndërhyri në këtë incident.
Momente para sulmit, avokati i Redden po i kërkonte gjykatës butësi në dhënien e vendimit, duke thënë se klienti i tij vuante nga sëmundje mendore dhe po kthehej në rrugën e duhur dhe nuk e meritonte të qëndronte në burg.
Por gjyqtarja nuk e mori parasysh këtë kërkesë për shkak të së shkuarës kriminale të 30-vjeçarit, çka solli dhe reagimin e pazakontë të këtij të fundit.
Tv Klan
Të ngjashme