Sveçla protestën e veteranëve e lidh me luftën hibride nga Serbia

1 year ago 68
Reklamë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla u shpreh se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç po e humb betejën me kryeministrin Albin Kurti.

Ai ka potencuar se Vuçiç po i kthehet luftës hibride që siç potencoi ai, përmes mekanizmave që ka në kontroll të tentojë të nxisë trazira në Kosovë.

Ai si nxitje të trazirës e konsideron edhe protestën e sotme të veteranëve, e cila do të mbahet kundër qeverisë.

“Ai po e humb ndikimin në veriun e Kosovës sepse i janë arrestuar kriminelët kryesorë, i janë mbyllur rrugët e kontrabandës dhe i janë shkatërruar laboratorët e drogës e fermat e kriptovalutave.  Atij po i dobësohen krahët sepse dora e djathtë e tij dhe njeriu kryesor që mban lidhjen me Moskën, Aleksandër Vulin, para ca ditësh iu sanksionua nga SHBA.  I gjendur në një situatë të tillë, ku pozicioni i tij karshi Kosovës po dobësohet dita ditës, me sa duket Vuçiqi ka vendosur që t’i kthehet luftës hibride, që përmes dezinformatave, shpifjeve, krijimit të frikës e mosdurimit, të provojë të nxisë pakënaqësi e trazira edhe në Kosovë. Kjo nuk ka qëllim forcimin e pozicionit negociues të Vuçiqit, por dobësimin e pozicionit të Kurtit”, shkroi Sveçla në Fcaebook.

Ai u shpreh i çuditur që protesta e veteranëve të qëlloi në të njëjtën ditë kur, siç shkroi ai, në Beograd po organizohet protestë kundër Vuçiçit.

“Biseda të zhvilluara në Kuvend, të cilat Lista Serbe i kishte incizuar dhe incizimet ia kishte dorëzuar Vuçiçit, nga dora e Vuçiçit gjetën rrugën e tyre për t’u publikuar në një media në Kosovë.  Dhe tani si rezultat i keqinterpretimeve të qëllimta e patëm një skenë dhune të provokuar në parlamentin e Kosovës, dhe si të mos mjaftonin ato skena që portretizuan Kosovën si vend jostabil në të gjitha mediat ndërkombëtare, sot ka edhe një protestë të thirrur para qeverisë.  Është e çuditshme se si qëlloi që protesta të jetë e organizuar të shtunën, kohën e njejtë me protestën në Beograd që atje po organizohet kundër Vuçiçit.  Është edhe më e çuditshme që këtë protestë e kanë thirrur Berat Buzhala e Vehbi Kajtazi në emër të mbrojtjes së vlerave të UÇK-së, kur të gjithë i dijnë deklaratat e tyre publike se UÇK-ja ka kryer krime lufte në Kosovë”, shkroi ministri tutje në Facbook.

Sipas tij, mbetet të shihet sot “nëse qytetarët e Republikës së Kosovës do të ruajnë dinjitetin personal dhe pozicionin e shtetit, apo do të bien në këtë grackë të luftës hibride të Serbisë”.

Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të mbajnë sot nga ora 18:00 protestë në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë. Në njoftim është potencuar se do të protestohet kundër skandaleve qeveritare.

Kuvendi i Kosovës ka miratuar mbrëmë (13 korrik) Projektligjin për pagën minimale, në të cilin nuk janë përfshirë veteranët.

Top Channel

Read Entire Article