Taksa për profesionet e lira, deputetja e PL: Qeveria po mbush xhepat duke dëbuar shtresën e mesme

10 months ago 17

Deputetja e Partisë së Lirisë Erisa Xhixho është shprehur përmes një deklarate se duke nisur nga ky vit profesionistët e lirë preken nga një barrë e re financiare.

Ajo u shpreh se tatimi me 23% i profesionistëve të lirë do të rëndojë mbi 16 700 avokatë, kontabilistë, mjekë, dentistë, fotografë, arkitektë, farmacistë, dizajner, përmbarues, videografë, specialistë IT etj.

Sipas saj qeveria e cila ka dëbuar të rinjtë dhe bizneset fason ka gjetur një tjetër mënyrë për të mbushur xhepat e saj duke dëbuar edhe shtresën e mesme.

Deklarata e plotë:

Të nderuar qytetarë,
Dua ta nis këtë komunikim me një urim për të gjithë shqiptarët në emër të Partisë së Lirisë. Mbarësi, begati e shpresë për të gjithë shqiptarët, brenda dhe jashtë vendit.
Shumë prej jush e nisin këtë vit të ri me një barrë të re financiare. Nga 1 janari, qeveria u ka ngarkuar profesionistëve të lirë një taksë të re. Tatimi me 23% i profesionistëve të lirë do të rëndojë mbi 16 700 avokatë, kontabilistë, mjekë, dentistë, fotografë, arkitektë, farmacistë, dizajner, përmbarues, videografë, specialistë IT etj.
Kjo qeveri që ka dëbuar të rinjtë e po dëbon bizneset fason, ka gjetur një tjetër mënyrë për të mbushur xhepat e saj duke dëbuar edhe shtresën e mesme. Taksa 23% për profesionistët e lirë është taksë mbi dijen, sepse penalizon individë që kanë investuar një jetë në studime e formim profesional dhe punojnë me orare të zgjatura.
Kjo taksë e re nuk është rrjedhojë e një strategjie të qartë që i shërben mirëqeverisjes. Kjo qeveri e ka ndryshuar 4 herë mënyrën e deklarimit brenda 4 vitesh, duke dëshmuar një paqëndrueshmëri të pashembullt politikash fiskale.
Sot, varfërisë, mungesës së mbështetjes sociale, papunësisë dhe humbjes së shpresës, si arsyet që po i shtyjnë shqiptarët të largohen, u është shtuar edhe një tjetër.
Pa asnjë konsultim me grupet e interesit, me forcën e kartonit dhe duke mos marrë parasysh amendamentin e Partisë së Lirisë, ligji për profesionet e lira detyron sot profesionistët e lirë të paguajnë më shumë se biznesi i vogël dhe ai i madh.
Vendosja e kësaj takse në kulmin e krizës së cmimeve do t’i detyrojë shumë prej orfuesve të këtyre shërbimeve të marrin rrugën e emigrimit. Përfitimi i qeverisë nga ky taksim do të arrijë plot 2 miliard lekë ose 20 milion dollarë.
Këto para do të shkojnë në xhepat e klientëve të qeverisë, për koncesione e inceneratorë që nuk kanë punuar një ditë të vetme.
Qytetarët shqiptarë nuk mund të paguajnë sa herë qeverisë nuk i dalin llogaritë dhe i duhen para për të mbyllur aferat e saj.
Partia e Lirisë është e bindur se një sistem taksimi i pabarabartë dhe i pandershëm, në kushtet e krizës, kur qeveria duhet të mbështesë e jo të vjelë më shumë taksa, është arsyeja e mungesës së stabilitetit dhe të garancisë për të ardhmen si dhe mungesës së investimeve të huaja.
Me taksimin e ri, shtresës së mesme dhe intelektualëve, kjo qeveri po u tregon derën. Axhenda e qëllimshme për të shpopulluar vendin është shtrirë sot me ligj akoma më gjerë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Read Entire Article