Tesla ndalon prodhimin në fabrikat gjermane si pasojë e sulmeve në Detin e Kuq

9 months ago 24

Tesla ka ndaluar prodhimin e veturave elektrike në fabrikat gjermane, për shkak të vonesave të porosive si rrjedhojë e sulmeve të fundit në Detin e Kuq.

Tensionet në Detin e Kuq kanë ndikuar në ndërprerjen e rrugëve të ndryshme detare, gjë që i ka detyruar kompanitë të përdorin rrugë tjera alternative të cilat kanë dërguar në rënien e tregtisë globale.

Ndryshe, Deti i Kuq përbën rreth 12 për qind të trafikut detar global, pasi u jep anijeve akses në Kanalin e Suezit.

Tensionet u përshkallëzuan së fundmi kur SHBA-ja dhe Britania e Madhe nisën sulme ajrore dhe raketore në zonat e kontrolluara nga Houthi-t e Jemenit.

SHBA-ja tha se kishte nisur sulme mbi 60 objektiva në 16 lokacione militante të mbështetura nga Irani, duke përfshirë depot e municionieve, objektet e prodhimit, dhe sistemet e radarëve të mbrojtjes ajrore.

Kjo kundërpërgjigje ushtarake nga SHBA-ja dhe Britania e Madhe, erdhi pasi Houthi-t nisën një sulm me dron dhe raketa drejt një flote anijesh amerikane dhe britanike në jug të Detit të Kuq.

Përveç që ndikoi në rritjen e menjëhershme të çmimit të naftës, sulmi i fundit shtoi edhe shqetësimet rreth një konflikti më të gjerë në Lindjen e Mesme.

Sulmet nga militantët Houthi, cilësohen si “brutale dhe dramatike”, dhe thuhet se mund të dërgojnë në inflacion të gjithë ekonominë globale. /Telegrafi/

Read Entire Article