
Napolit do t’i duhet ende durim për të parë Victor Osimhen në fushë. Rikthimi i sulmuesit rrezikon të shtyhet për në fund të nëntorit raporton gazeta italiane “Il Mattino”.
Në javën e ardhshme bomber i të kaltërve do t’i nënshtrohet terapive të mëtejshme dhe testeve për të kuptuar në detaje gjendjen e kofshës së tij. Për momentin 24-vjeçari nuk ka pasur dhimbje apo probleme, por stafi mjekësor ka këshilluar kujdes për të shmangur tërheqje apo probleme të tjera muskulore.
Vetëm në konsultën e radhës Osimhen do të marrë dritën jeshile përfundimtare. Nisur nga kjo, po flasim të paktën për fundin e nëntorit, por nuk është e sigurt që sulmuesi tashmë është gati për të luajtur ndeshjen ndaj Atalantës.
Problemet fizike nuk janë i vetmi shqetësim për lojtarin. Nigeriani nuk e ndoqi skuadrën në Berlin, por fluturoi drejt Frankfurtit për të parë ndeshjen e Ligës së Kampioneve ndaj Unionit me disa miq. Tifozët u shqetësuan, ndërsa klubi u justifikua duke e quajtur një udhëtim personal të autorizuar.
Lojtarit i skadon kontrata në verën e 2025, por megjithë përpjekjet e klubit, me situatën e tensionuar nuk janë bërë hapa përpara për firmosjen e një kontratë të re nga të dyja palët.
Klan News
Të ngjashme