TUNELI DHE PASAGJERËT E AJRIT

2 months ago 8
Reklamë

Nga Aladin Stafa/

Industria e turizmit ka marrë një hov jo të rastësishëm gjatë viteve të fundit në Shqipëri, e si pasojë ka sjellë jo vetëm përmendjen e emrit të Shqipërisë ndër revistat prestigjoze botërore por ndër të tjera dhe një zhvillim jo pak të cmueshëm ekonomik për shkak të motorëve të ndezur në këtë sektor.

Ndoshta në dukje si për inerci të kohëve të reja apo ndoshta dicka e paplanifikuar?

E kundërta është e vërtetë; turizmi duket se ka qenë një prej pikësynimeve të draft-projekteve të qeverisë duke u fokusuar bindshëm në të. Ndonëse në fushat e tjera të ekonomisë do të duhet të presim ende për të arritur aty ku duam, turizmi është një nga ata sektorë që po ecën me ritme të pëlqyeshme.

Në një nivel aq sa të mund të krahasohemi me fqinjët tanë të cilët këtë traditë e kanë fort të stabilizuar ndër dekada.

Turizmi padyshim është një nga sektorët kryesorë të ekonomisë botërore. Madje në shtete të caktuara, është një komponent jetësor i ekonomisë. Ka një mori avantazhesh që sjell turizmi për vende të ndryshme. Disa prej tyre janë të ardhurat, zhvillimet e infrastrukturës, krijimi i vendeve të reja te punes, si edhe shkëmbimi kulturor mes të huajve dhe shtetasve.

Shqipëria, përtej potencialit të saj dhe falë bukurive natyrore, për vite me rradhë nuk mundi dot që ta monetizonte këtë thesar duke mos u investuar sa duhet jo vetëm në infrastrukturë por edhe në kualifikim.

Të ardhur gjithashtu nga një izolim i gjatë dhe i lodhshëm, me një kulturë të dobët për të pranuar të huajin, të vështirë e të ashpër në komunikim jo vetëm me të panjohurin, rrugëtimi i saj për të arritur në këto nivele e shifra që shohim sot, ka qenë jo pa pengesa.

Ky vit dhe ai që lamë pas, do të mbahen mend në historinë tonë si dy vite që afruan te ne jo vetëm europianët por shtetas nga e gjithë bota, duke i ndryshuar njëherë e mirë imazhin dhe po aq edhe mitin se ne jemi një vend i rrezikshëm.

Shqipëria e vogël, e konsideruar tashmë nga tabloidet më të famshëm si perla e fshehur e Ballkanit Perëndimor, po kupton dita-ditës se turizmi është e vetmja shpresë për të lehtësuar frymëmarrjen, pas vështirësive ekonomike që Covid-19 dhe konfliktet që lindën, lanë pas.

Me ndërgjegjsimin e qeverisë pasi është ajo që i prin nismës infrastrukturore, menaxheriale dhe marketuese gjithashtu, ka ardhur dhe një frymë e re në popullatë, me motivimin për të hyrë në tregun e lirë të punës duke rritur ofertën, përballuar kërkesën e fluksin e jashtëzakonshëm.

Kujtojmë këtu statistikat të cilat na tregojnë se vetëm në muajin e kaluar 1 milion turistë të huaj pamë të hynin nëpërmjet Rinasit. Një e dhënë kjo që vite më parë dukej si një ëndërr e largët. Kjo shifër e jashtëzakonshme e tejkalon numrin e pasagjerëve të qershorit të vitit të kaluar prej 667,521, duke shënuar një rritje prej 61.6%% nga viti në vit.

Turizmi nuk është gjë tjetër vecse oferta e një vendi për të aksesuar sa më lehtë drejt bukurive natyrore të një vendi, për të mundësuar qëndrimin dhe për të prezantuar traditën dhe historinë e tij. Të gjithë këto faktorë kërkojnë një investim të madh në infrastrukturë, sic mund të theksojmë dhe tunelin e sapo-hapur të Llogarasë, që këtej e tutje një nga më të gjatët në vend, duke bërë të mundur lidhjen e shpejtë të Vlorës me Rivierën shqiptare.

Por jo vetëm. Ndërtimi dhe zhvillimi i zonave si në bregdet ashtu dhe në qytet po loz gjithashtu një rol të rëndësishëm në akomodimin e turistëve. E megjithatë, Shqipëria mbetet ende një vend në zhvillim, që do të thotë se cikli i mëkëmbjes së saj sapo ka nisur. Dhe puna që duhet bërë është e madhe e po aq e madhe do të duhet të jetë përpjekja për t’u çliruar prej mendësive të vjetra për secilin prej nesh, nëse ndonjë ditë do të duam të jemi si “Ata”.

Sepse ashtu si Aristoteli ka thënë, shteti do të bëhet shtet vetëm atëherë kur masa e bashkuar (qeveritë dhe populli) të jenë në gjendje të plotësojnë të gjitha nevojat e tyre të përbashkëta.

Por sigurisht, ky ndryshim së pari nis prej individit. Ai është faktori kryesor që bën diferencën dhe sjell zhvillimin.

Read Entire Article