U vra në veri të Kosovës, sot varroset polici Afrim Bunjaku

11 months ago 17
Reklamë
09:01 25/09/2023

Polici i Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili u vra dje në veri të vendit, do të varroset sot në orën 16:00. Klan Kosova shkruan se ai do të varroset në varrezat e fshatit Samadrexhë, sipas faqes jozyrtare të këtij fshati në Facebook.

“Nesër nga ora 16:00 bëhet varrimi i policit të rënë në detyrë, Heroit, Afrim Bunjaku. I njoftojmë të gjithë bashkëvendësit dhe të gjithë popullin e Kosovës se nesër, ditë e hënë, nga ora, 16:00, në varrezat e fshatit Samadrexhë, me nderime shtetërore, do të bëhet varrimi i policit të rënë në detyrë, bashkëvendësi ynë, Heroi, Afrim Bunjaku”, thotë njoftimi në këtë faqe.

Bunjaku humbi jetën si pasojë e një sulmi të kryer nga një grup personash të armatosur në veri të Kosovës. Kjo ngjarje mjaft e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit të së dielës në hyrje të fshatit Banjskë, që banohet me shumicë serbë. Persona të armatosur bllokuan rrugën me kamionë dhe më pas qëlluan me armë zjarri dhe granata dore në drejtim të policisë së Kosovës.

Për pasojë mbeti i vrarë Bunjaku ndërsa u plagosën dy policë të tjerë që janë jashtë rrezikut për jetën.

Sipas policisë së Kosovës agresorët kanë qenë rreth 30 persona, një pjesë e të cilëve u mbyllën pas ngjarjes në Manastirin e Banjskës. Pas operacionit që zgjati rreth 17 orë, autoritetet kosovare njoftuan se vranë 3 sulmues dhe arrestuan 2 të tjerë. Po ashtu janë vënë në pranga edhe 4 persona të dyshuar të cilët kanë qenë në përdorim të paligjshëm të radiolidhjeve, të cilët dyshohet se ndërlidhen me grup terrorist.

Policia e Kosovës u shpreh se gjatë kontrollit të ushtruar në manastirin e Banjskës janë gjetur dhjetëra, qindra armë të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, uniforma dhe pajisje logjistike, përfshirë armë ushtarake të kalibrit të rëndë si granata, mitralozë apo dhe kallashnikovë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani shpalli 25 Shtatorin ditë zie shtetërore në nderim të policit Afrim Bunjaku./tvklan.al


Të ngjashme

Read Entire Article