Ushtria amerikane përfundon ndërtimin e bazës lundruese në brigjet e Gazës

4 months ago 16
Reklamë

Një bazë e përkohshme e shumëpritur e ndërtuar për të dërguar ndihmë urgjente te civilët palestinezë në Gazë, është ankoruar në një plazh pranë enklavës së rrethuar nga izraelitët, ka njoftuar ushtria amerikane.

Komanda Qendrore e SHBA-së tha se personeli i saj ka ankoruar bazën rreth orës 07:40 të mëngjesit si pjesë e një misioni për të dërguar ndihma humanitare në Gazën ku mijëra njerëz përballen me mungesë ushqimesh.

Ky hap nga ushtria amerikane vjen pasi Izraeli me sulmet e tij ka komplikuar dërgimin e furnizimeve kritike.

“Si pjesë e kësaj përpjekjeje, asnjë trupë amerikane nuk ka hyrë në Gazë. Kamionët që transportojnë ndihma humanitare pritet të fillojnë të lëvizin në breg ditëve në vijim. OKB-ja do ta marrë ndihmën dhe do të koordinojë shpërndarjen e saj në Gazë”, ka njoftuar ushtria amerikane.

Megjithatë, siç raportohet, OKB-ja ende nuk ka vendosur se si do ta realizojë shpërndarjen e ndihmave nga baza lundruese, shkruan skynews, përcjell Telegrafi.

Sipas ushtarakëve, fillimisht do të ketë një testim të sistemit, me 90 kamionë në ditë me ndihma, numri i të cilëve do të rritet shpejt në 150.

Një dërgesë fillestare e nisur nga Qipro thuhet të jetë e mjaftueshme për 11 mijë persona.

Ndryshe, në përpjekjet e tij për të rritur ndihmën në Gazë, Uashingtoni ka të ngjarë të përballet me sfida që kanë shqetësuar OKB-në dhe agjencitë e tjera prej muajsh.

Ato përfshijnë rreziqet e dhënies së ndihmës në një zonë lufte, si dhe mungesën e derivateve për kamionët me ndihma.

“Sapo të dorëzohen ushqimet dhe furnizimet në Rripin e Gazës, qoftë nga baza apo nga pikat e kalimit, nuk ka siguri dhe nuk ka derivate”, tha Bob Kitchen, nënkryetar i Komitetit Ndërkombëtar të Shpëtimit.

E mbushur me sfida logjistike, moti dhe sigurie, baza detare është projektuar për të rritur sasinë e ndihmës, por nuk konsiderohet si zëvendësim për dërgesat nga toka që agjencitë i konsiderojnë më të qëndrueshme.

Ndihmat do të depozitohen në një strukturë të ndërtuar nga izraelitët në jugperëndim të Gazës dhe më pas do të shpërndahen nga grupe të ndryshme.

Siç raporton OKB-ja, luftimet e ashpra midis izraelitëve dhe militantëve palestinezë kanë zhvendosur rreth 600 mijë njerëz vetëm nga jugu i Gazës.

E për faktin që zona e re e shpërndarjes mund të jetë nën rrezik nga sulmet, Pentagoni ka njoftuar se ajo do të monitorohet nga afër.

“Mbrojtja e forcave amerikane është përparësi. Dhe si e tillë, SHBA-ja dhe Izraeli kanë hartuar një plan sigurie për të mbrojtur personelin”, tha zëvendëskomandanti i Komandës Qendrore të Ushtrisë Amerikane, Brad Cooper. /Telegrafi/

Read Entire Article