Ushtria ndryshon ligjin për të mbajtur personelin, relacioni: Janë ulur ndjeshëm rekrutimet, ka mungesa dhe boshllëqe

1 year ago 42
Reklamë

Ligji për “Karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura” pritet të ketë ndryshime thelbësore siç janë: rekrutimi, mosha maksimale e shërbimit, përforcimi i piramidës së gradave në tre forcat si dhe rikthimi në detyrë edhe nëse ushtaraku është ne lirim.
Projektligji i ri synon qe t’i japë meritën për sa i përket përparimit në gradë dhe vlerësim të drejtë të punës së secilit ushtarak që shërben në Forcave të Armatosura.
Jo pak mangësi apo dhe padrejtësi në karrierën e ushtarakëve me grada të ulëta apo madhore janë evidentuar ndër vite gjatë zbatimit të ligjit aktual. Çështje që jo pak kanë përfunduar në dyert e gjykatës. Përtej meritokracisë që pretendohet se do të arrihet, ligji aktual për karrierën ushtarake po ndryshon pasi rekrutimet janë ulur drastikisht në Forcat e Armatosura duke krijuar mungesa në personel por dhe boshllëqe për arritjen e kapaciteteve operacionale të kërkuara.
Fakt që theksohet edhe në relacionin që shoqëron draftin ku shkruhet se “Si pasojë e uljes së numrit të rekrutimit del e nevojshme mbajtja e personelit që kemi.”
Një ndër nenet që pritet të ndryshojë është rritja e moshës së pranimit për t’u bërë pjesë si ushtarak aktiv nga 27 vjeç, sipas përcaktimit aktual në 30 vjeç.
Në nenin 2 të draftit është parashikuar të rritet mosha maksimale e qëndrimit në shërbimin aktiv.
Në të gjitha gradat ushtarake deri në nënkolonel ka rritje të moshës së daljes në pension të parakohshëm psh:
h) Kapiten Kapitenlejtënant ishte 45 dhe bëhet 48 vjeç;
i) Major Kapiten i rangut të tretë Ishte 55 dhe do bëhet 57 vjeç;
j) Nënkolonel Kapiten i rangut të dytë Ishte 57 dhe do bëhet 58 vjeç;
Në nenin 6, Forcat e Armatosura do të kenë mundësi për të kthyer në shërbimin aktiv ish-oficere, nënoficer dhe ushtarë aktivë, me qëllim arritjen e kapaciteteve operacionale, kur e kërkon misioni për specialitete të veçanta.
Rikthimi ne ushtri sipas draftit, do të thotë se ushtaraku merr gradën që ka pasur në momentin e lirimit nga detyra.
Sakaq ushtaraku qe emërohet në detyrën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm merr gradën e funksionit të përcaktuar për këtë pozicion dhe do jete ushtaraku me gradën më të lartë në hierarkinë e gradave.
Duke ndjekur modelin e ushtrisë amerikane e jo vetëm, ushtarakët mund te përfitojnë gradën jashtë radhës por vetëm një herë gjatë karrierës ushtarake.
Të mbash mbi supe uniformën e ushtarakut është padyshim e vështirë dhe shumë sfidues.
I trumbetuar shpesh si profesioni që të siguron të ardhura të mira si dhe përfitime e lehtësira të shumta duket se të qenit ushtarak nuk është zgjedhja e parë e të rinjve shqiptarë pasi kjo reflektohet tek ulja e numrit të rekrutimeve dhe boshllëqeve të mëdha të krijuara në strukturat e saj nga dalja në lirim e personelit pasi mbush moshën e qëndrimit në çdo gradë.
Ligji i ri për “Karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura” synon të ndryshojë situatën për të përmbushur objektivin e rëndësishëm që kanë Forcat e Armatosura: Siç është sigurimi dhe mbajtja në gatishmëri e kapaciteteve të nevojshme operacionale për ruajtjen dhe mbrojtjen e pavarësisë, sovranitetit dhe tërësisë territoriale të vendit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Read Entire Article