Mbi 15 persona janë vrarë dhe 24 janë plagosur rëndë, si pasojë e sulmit me armë zjarri në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Karlit, në Pragë të Republikës Çeke, kanë thënë shërbimet e emergjencës.
Policia tha se sulmuesi, 24-vjeçar, ka qenë student i universitetit dhe sulmi ka qenë i paramenduar.
Vrasjet masive më të rënda të viteve të fundit në Evropë
Belgjikë, maj 1987: Michael Van Ëeyendele, i cili kishte plagosur vjehrrit e tij dhe po vraponte i shqetësuar në komunitetin rural të Bogaarden, në jug të Brukselit, vrau veten ndërsa policia po përpiqej ta bindte të dorëzohej. Më parë ai kishte vrarë 6 persona.
Britani, gusht 1987: Michael Ryan, një 27-vjeçar nga qyteti Hungerford, vrau 16 persona dhe plagosi 11 të tjerë përpara se të vriste veten.
Francë, korrik 1989: Një fermer francez qëlloi dhe vrau 14 persona, duke përfshirë anëtarë të familjes së tij, në fshatin Luxiol, afër kufirit me Zvicrën. Ai u plagos dhe u arrestua nga policia.
Francë, shtator 1995: Një 16-vjeçar, i armatosur me një pushkë, vrapoi në qytetin e Kierre pas një sherri me prindërit e tij. I mituri qëlloi dhe vrau 16 persona dhe më pas u vetëvra.
Britani, mars 1996: Thomas Hamilton u fut në një shkollë fillore në Dunblane, Skoci, ku qëlloi dhe vrau 16 fëmijë dhe mësuesin e tyre, përpara se të vriste veten.
Gjermani, prill 2002: Robert Steinhauser, 19 vjeç, hap zjarr në Erfurt pasi tha se nuk kishte ndërmend të bënte një test matematike. Ai vrau 12 mësues, një sekretar, dy studentë dhe një oficer policie në shkollën e mesme Gutenberg dhe më pas vrau veten.
Finlandë, nëntor 2007: Pekka-Erik Auvinen vrau gjashtë shokë të klasës, një infermiere dhe drejtorin e shkollës së mesme Jokela, afër Helsinkit, përpara se të kthente armën mbi vete dhe t’i jepte fund jetës së tij.
Finlandë, shtator 2008: Studenti Matti Saari hap zjarr në një shkollë profesionale në Kauhajoki, Finlanda veriperëndimore, duke vrarë nëntë studentë dhe një punonjës. Autori u vetëvra.
Gjermani, mars 2009: Një person i armatosur 17-vjeçar vrau nëntë nxënës dhe tre mësues në një shkollë pranë Shtutgartit dhe një person tjetër në një klinikë. Ai u vra më vonë në një shkëmbim zjarri me policinë, në të cilën u vranë edhe dy kalimtarë të rastit, duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave, përfshirë edhe sulmuesin, në 16.
Britani, qershor 2010: Derrick Bird hap zjarr ndaj komuniteteve të ndryshme në Cumbria rurale. Dymbëdhjetë persona u vranë, 11 u plagosën. Autori u vetëvra.
Sllovaki, gusht 2010: Një person i armatosur vrau gjashtë anëtarë të një familje rome dhe një grua tjetër në kryeqytetin Bratislavë. 14 persona të tjerë u plagosën. Autori vrau veten.
Holandë, prill 2011: Tristan van der Vlies hapi zjarr në qendrën tregtare Ridderhof në jug të Amsterdamit, duke vrarë gjashtë persona përpara se të kthente armën kundër vetes.
Norvegji, korrik 2011: Anders Behring Breivik vrau gjithsej 77 persona. Tetë u vranë nga shpërthimi i makinës me bombë në Oslo. Më pas ai hapi zjarr dhe vrau 69 të tjerë, shumica prej tyre adoleshentë,në një kamp veror të të rinjve të Partisë Laburiste.
Francë, nëntor 2015: Ekstremistët islamikë të armatosur me kallashnikovë dhe bomba synuan sallën e koncerteve Bataclan, gjashtë bare dhe restorante dhe zonën përreth Stade de France jashtë kryeqytetit francez, duke vrarë gjithsej 130 njerëz dhe duke plagosur qindra të tjerë.
Gjermani, korrik 2016: Një 18-vjeçar gjermano-iranian, i fiksuar pas vrasjeve masive, vrau nëntë persona në Mynih.
Gjermani, mars 2023: Një person i armatosur në Hamburg vrau gjashtë persona dhe më pas veten në një sallë lutjesh të Dëshmitarëve të Jehovait. Tetë persona të tjerë u plagosën, përfshirë një grua shtatzënë që humbi foshnjën e saj.
Serbi, maj 2023: Një djalë 13-vjeçar vrau tetë shokë të klasës dhe një roje sigurie në një shkollë në Beograd. Dy ditë më vonë, një person i armatosur vrau tetë persona dhe plagosi 14 të tjerë në një fshat afër kryeqytetit serb. Të dy të dyshuarit janë arrestuar.