Vuçiq vjen me një “parashikim”, tregon se kur vendet e Ballkanit Perëndimor do të bëhen pjesë e BE-së

4 months ago 16
Reklamë

Në Kotorr filloi sot samiti i liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian nën moton “Një rajon, vizioni i përbashkët”, ku do të diskutohet për Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Dhe siç raportojnë mediat serbe, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se rajoni i Ballkanit Perëndimor ndoshta do të presë edhe gjashtë vjet për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

“Unë e di që ne nuk do të jemi pjesë e Bashkimit Evropian, askush nga ne, para Ukrainës. Kur do të hyjmë në Bashkimin Evropian, nëse do të hyjmë së bashku me Ukrainën, ky është një problem tjetër”, citohet të ketë thënë ai në samit, përcjell Telegrafi.

Ndryshe, kryetari i Qeverisë së Malit të Zi, Milojko Spajiq, nikoqir i samitit, u ka uruar mirëseardhje liderëve të rajonit të Ballkanit Perëndimor, të cilët po marrin pjesë në këtë takim.

Samiti rajonal në të cilin janë duke marrë pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ai i Shqipërisë, Edi Rama, do të përfundojë me një konferencë të përbashkët për shtyp nga Spajiq dhe Komisionari i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi.

Ndryshe, Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor parasheh mbështetje financiare prej gjashtë miliardë eurosh, prej të cilave dy miliardë janë grante të pakthyeshme, ndërsa katër miliardë janë kredi të favorshme të dhëna nga BE-ja.

Qëllimi është inkurajimi i rritjes ekonomike të rajonit dhe përshpejtimi i harmonizimit socio-ekonomik.

Plani i referohet periudhës 2024-2027 dhe parashikon që çdo qeveri e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor të marrë një shumë të caktuar parash çdo gjashtë muaj, në varësi të reformave që ka zbatuar gjatë asaj periudhe. /Telegrafi/

Read Entire Article