World Vision Albania organizon Festivalin e Rinisë, dhjetëra të rinj nga 7 bashki mblidhen në Tiranë

11 months ago 5
Reklamë

Më shumë se 100 adoleshentë dhe të rinj nga 7 bashki të Shqipërisë u bënë bashkë në Tiranë këtë të mërkurë, në një prej eventeve kombëtare më të rëndësishme kushtuar brezit të ri dhe çështjeve që ata duan të sjellin për diskutim – Festivali i Rinisë 2023.

Prej shtatë vitesh radhazi organizata World Vision Albania, e cila punon me të rinjtë në 18 bashki të vendit, është organizatore e këtij festivali, duke iu dhënë zë të rinjve për të nxjerrë në pah problematikat që i shqetësojnë ata në komunitetet ku jetojnë.

Nën moton “Një botë me mundësi për të rinjtë”, këtë vit festivali trajtoi një nga çështjet më të diskutuara sot në Shqipëri: aftësitë dhe punësimi i të rinjve.

Referuar raportit vjetor të World Vision Albania për 2022-in, 47% e adoleshentëve raportojnë se aftësitë e buta (soft skills) janë ato që u duhen për të gjetur një vend pune në të ardhmen. Ndër të tjera evidentohet se të rinjtë ndjejnë përgjegjësi për të ndryshuar komunitetin e tyre dhe për të qenë pjesë e proceseve vendimmarrëse që lidhen me ta.

Për të sjellë në vëmendje këtë çështje, të mbështetur nga grupet e të rinjve në 7 bashki të vendit, gjatë 2023-it ndërmorën një fushatë të quajtur ‘Thuaje’ – SAY IT DIGITAL. Përmes fotografive bardh e zi ata jepnin mesazhe rreth: edukimit cilësor, aftësimit sipas kërkesave të tregut të punës, apo rreth rolit të vajzave dhe grave në jetën ekonomike dhe sociale të vendit, etj.

Çdo qytetar që pati mundësi ta vizitojë këtë ekspozitë fizikisht apo virtualisht, kishte mundësinë të jepte edhe propozime për zgjidhjen e sfidave që hasin të rinjtë kur përballen me tregun e punës.
Festivali i Rinisë 2023 përmbylli këtë angazhim dixhital me qasje artistike inovative të të rinjve, të cilët ofruan edhe 5 ide që sipas tyre i japin zgjidhje çështjes së punësimit të të rinjve dhe ndërlidhjes së tyre me tregun e punës.
Gjatë festivalit u zhvillua edhe një bashkëbisedim mes të rinjve dhe Ministrit të Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, drejtorit ekzekutiv të World Vision Albania, Eljona Elmazi, drejtueses së Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor – RYCO në Shqipëri, Alba Brojka, kreut të Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, Klevis Hysa, si dhe artistes së talentuar dhe ambasadores së World Vision Albania, Marsela Çibukaj.

Panelistë theksuan rëndësinë e përfshirjes së të rinjve si vendimmarrës në çështjet që prekin direkt jetët e tyre, duke shfrytëzuar fuqinë e teknologjisë si një mjet për të gjetur zgjidhje. Drejtuesit e insitucioneve u angazhuan para të rinjve që përgjatë vitit që vjen do të përfshijnë njërën prej këtyre ideve në nismat, angazhimet apo sipermarrjet e tyre.

“Sa për World Vision Albania, unë dëshiroj të ritheksoj angazhimin tonë për të punuar për mirëqenien e fëmijëve, të rinjve dhe komuniteteve në nevojë. Vështrimi ynë do të jetë sigurisht tek fëmijët dhe të rinjtë dhe do të vazhdojmë t’i japim zë atyre dhe t’i mbështesim në idetë që kanë.

Ne jemi të ndërgjegjshëm që sfidat që të rinjtë hasin për të aksesuar tregun e punës janë të mëdha. Prandaj organizata World Vision do të vijojë të jetë krah të rinjve edhe në këtë drejtim.

Dëshiroj të theksoj edhe një herë gatishmërinë tonë për të bashkëpunuar me çdo institucion, partner apo donator i cili kontribuon në këtë drejtim. Partneritet dhe bashkëpunimi janë kyç për të arritur suksesin e dëshiruar. Ndaj edhe për çështjet që ju keni ngritur sot, si edhe propozimet tuaja, ne jemi të gatshëm të bashkojmë forcat me të gjithë aktorët që punojnë në këtë drejtim,” – tha drejtoresha ekzekutive e World Vision Albania, Eljona Elmazi.
Këtë vit, Festivali i Rinisë 2023 u organizua nga World Vision Albania në bashkëpunim me Zyrën Rajonale për Bashkëpunim Rinor – RYCO.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Read Entire Article