Menjëherë pas dërgimit të dosjes së Fredi Belerit në gjykatë nuk ka vonuar reagimi I Athinës. zëdhënësi i qeverisë Pavlos Marinakis ka akuzuar qeverinë shqiptare se nuk ka respektuar rregullat elementare të shtetit të së drejtës , teksa këtë cështje e ka cilësuar me prioritet të lartë.
“Shqipëria duhet të respektojë rregullat elementare të shtetit të së drejtës dhe është një çështje në të cilën vendi ynë do të vazhdojë të veprojë si prioritet absolut sepse ne duhet të mbrojmë edhe të drejtat e pakicës, si dhe një kryetar bashkie te zgjedhur ligjërisht. Për Athinën kjo është “një çështje me prioritet të lartë”.
Po ashtu zëdhënësi i qeverisë greke bëri të ditur se hapi i radhës në lidhje me këtë çështje është letra që Ministri i Jashtëm grek do t’u dërgojë homologëve të tij të BE-së, të cilëve do t’u shpjegojë se pse ndalimi i Belerit është një shkelje flagrante e çdo koncepti të shtetit ligjor. Kryeministri Kyriakos Mitsotakis e ngriti çështjen Beleri edhe në Samitin e fundit të Bashkimit Evropian në Bruksel.
Ndërkohë mediat greke raportojnë se mbajtja në qeli e Fredi Belerit shënon një kthesë në marrëdhëniet greko-shqiptare.