Ilirjan Celibashi, Komisioneri Shtetëror për Zgjedhjet, po zhvillon një mbledhje me KZAZ në Himarë, atje ku po zhvillohen zgjedhjet për Kryebashkiak, ndërsa në garë janë Petro Gjikuria, kandidat i opozitës, dhe Vangjel Tavo nga Partia Socialiste.
Në një prononcim për mediat, Celibashi tha se çështja që është sjellë në vëmendje është ajo e vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit. Celibashi tha se kjo çështje mbetet jashtë procesit zgjedhor në themelin e vet, duke shtuar se nuk është një kompetencë e KQZ.
“Është e vërtetë që janë rreth 6 mijë votues që dokumenti i identifikimit ose i ka skaduar ose i skadon në ditën e sotme. E njëjta gjë ka qenë edhe në zgjedhjet e kaluara, por në atë kohë pati një vendim dhe ata u lejuan të votonin. Në këtë rast nuk kemi pasur asnjë njoftim apo kërkesë zyrtare nga partitë politike, në ditët e fundit kemi pasur një shqetësim të ngritur në mënyrë informale”, tha Celibashi, duke ripërsëritur qëndrimin se kjo çështje nuk i përket KQZ-së.
Sipas tij, nuk dihet se sa është numri i qytetarëve që kanë shkuar për të votuar dhe sa nuk janë lejuar të votojnë sepse kartat e identitetit të tyre ishin të skanduara.
“Jemi apo s’jemi në përputhje me parashikimet e ligjit”, tha Celibashi duke iu referuar rasteve në Himarë.
Celibashi tha se nuk ka pasur komunikime me përfaqësues të Qeverisë apo Ministrisë së Brendshme lidhur me këtë problematikë. “Është një çështje që lidhet me interesin e vetë votuesve, pra kanë ose jo interes ato për të votuar, dhe për të pasur një dokument të vlefshëm identifikimi. Ky proces më pas i përket kandidatëve dhe subjekteve të interesuara”, tha ai.
Kreu i KQZ tha se në përgjithësi procesi ka shkuar qetë, ka pasur raste që janë evidentuar problematika. “Në një qendër votimi ka pasur pretendime për persona të paautorizuar në një qendër votimi. Kemi pasur një incident në një qendër votimi në Lukovë, ku përfaqësuesit e mediave nuk janë lejuar të hyjnë për të filmuar”, tha Celibashi.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb