Zgjedhjet presidenciale në SHBA/ Republikanët marrin Dhomën e Përfaqësuesve

6 hours ago 17

Republikanët fituan numrin e mjaftueshëm të vendeve për të marrë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, duke arritur kështu një fitore të plotë të pushtetit dhe duke siguruar kontrollin e të dy dhomave të Kongresit. Me një shumicë të ngushtë, udhëheqësit republikanë siguruan mandatin që do t’u bëjë të mundur ndryshimin e qeverisë federale dhe zbatimin me shpejtësi të vizionit që ka zoti Trump për Shtetet e Bashkuara.
Presidenti i zgjedhur ka premtuar se do të ndërmarrë operacionin më të madh të deportimit në vend, do të mundësojë më shumë ulje të taksave, do të ndëshkojë armiqtë e tij politikë, do të marrë kontrollin e mekanizmave më të fuqishme të qeverisë federale dhe do të riorganizojë ekonominë amerikane. Fitorja që shënoi Partia Republikane në zgjedhje bën të mundur që Kongresi ta miratojë këtë agjendë ndërsa demokratët do jenë pothuajse të pafuqishëm për ta penguar atë.
Edhe në 2016, kur zoti Trump u zgjodh President, republikanët morën kontrollin e Kongresit, por ai u përball me disa udhëheqës republikanë që u bënë rezistencë politikave të tij. Po ashtu, Gjykata e Lartë në atë kohë kishte shumicë liberale. Por këtë herë, jo.

Kur zoti Trump të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë ai do të bashkëpunojë me një Parti Rapublikane e cila është transformuar plotësisht nga levizja e tij “Make America Great Again” (Ta bëjmë Amerikën sërish madhështore), dhe me Gjykatën e Lartë e cila dominohet nga gjyqtarë konservatorë, përfshirë tre anëtarë të emëruar prej tij.
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johson, i cili me mbështetjen e zotit Trump do ta mbajë këtë detyrë vitin e ardhshëm, ka hedhur idenë e ndryshimit të programeve të qeverisë federale, përfshirë ndryshimin tërësor të programeve, që demokratët i kanë patur përparësi në vitet e fundit,

“Republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat kanë një detyrë”, tha ai gjatë kësaj jave. “Populli amerikan kërkon që ne të zbatojmë dhe të çojmë përpara agjendën “Amerika e Para”. Ndërkohë, ligjvënësi Jim Jordan, drejtues i Komisionit të Ligjeve në Dhomën e Përfaqësuesve, tha se ligjvënësit republikanë nuk kanë “përjashtuar” asnjë element nga planet e tyre për të hetuar prokurorin e posaçëm Jack Smith, edhe pse ky i fundit po mbyll dy çështjet hetimore ndaj zotit Trump lidhur me përpjekjet për përmbysje të rezultatit të zgjedhjeve presidenciale të 2020 dhe atë lidhur me dokumentet sekrete të cilat zoti Trump i mori në Mar-a-Lago pasi përfundoi mandatin./VOA

Read Entire Article