Zjarret në Greqi! Dalin jashtë kontrollit flakët në Aleksandropoli

1 year ago 11
Reklamë

Jashtë kontrollit ndodhen vatrat e zjarrit në qytetin lindor të Greqisë Aleksandropoli, ndërsa flakët i janë afruar në orët e para të së martës ambienteve të spitalit i cili u evakuua pasi po mbulohej nga tymi.

Ndërsa qindra zjarrfikës po luftojnë me zjarret masive që e kanë rrethuar, mbi 90 pacientë janë transportuar me autoambulanca në tragetin “Adamantios Korai” në portin e Aleksandopolit, 30 prej të cilëve pacientë të repartit të terapisë intensive. Mbi 110 të tjerë janë larguar gjatë natës në spitale të tjera.

Deri në orën dy pas mesnate janë evakuuar dhe 8 vendbanime përreth qytetit, Elaion, Elato, Pefki, Agios Georgios, Plakë, Dikellë, Makri dhe Nea Çili, ndërsa mijëra banorë dhe turistë po largohen nga zona e djegur.

Rreth 130 të moshuar u larguan si masë paraprake nga një azil pleqsh dhe institucioni kishtar për të sëmurët kronikë, me ndihmën e Autoritetit Bashkiak të Aleksandropolit.

Të shoqëruar nga punonjës policie dhe me ndihmën e stafit, ata u evakuuan në dy grupe pasi zjarri ishte afruar tek dy godinat.

Pak pas orës 03.00, Bashkia e Aleksandropolit përmes rrjeteve sociale bëri me dije se ka mundësi që banorët e braktisur nga shtëpitë të qëndrojnë në disa palestra shkollash. Gjithashtu qytetarët këshillohen se mund të qëndrojnë edhe në parkingun e portit, ose sallën e pritjes së aeroportit.

Ndërkohë njoftohet se është gjetur në pyllin e Dadias që po digjet, një emigrant i vdekur që ka humbur jetën nga zjarri. Në këtë pyll fronti i flakëve kalon 20 km.

Sa i përket pjesës tjetër të vendit zjarret ndodhen ende të pakontrolluara në Evia, Viotia, Kavala, Rodhopi etj. Shërbimi i Mbrojtjes civile paralajmëron se edhe sot të paktën mbi 5 prefektura të Greqisë ndodhen në alarm të kuq për zjarret.

Top Channel

Read Entire Article