Zjarrfikësit shqiptarë në Greqi/ Nisin punën kundër zjarreve në pyjet e Aleksandropolis

1 year ago 17
Reklamë

Për të pestën ditë rrjesht rreth 300 zjarrfikës grekë, të ndihmuar tashmë edhe me përforcime nga Bullgaria, Çekia, Shqipëria dhe Rumania vazhdojnë përpjekjet për ndalimin e fronteve të zjarrit në zonën e Evros, përreth qytetit lindor të Greqisë Aleksandrupolis.

Në betejën me frontet e zjarrit janë prej mesditës sipas planeve operacionale, 48 zjarrfikësit nga Shqipëria që kanë mbërritur në orët e para të mëngjesit në një bazë në qytetin e Aleksandrupolit, siç deklaron për TCH, përgjegjësi i Sektorit të Mbështetjes Operacionale dhe Humanitare në Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Leonard Qyra.

“Rreth orës 21:30 forcat dhe mjetet kanë kaluar në doganën e Kapshticës. Kemi udhëtuar gjithë natën të shoqëruar nga policia ndërs anë orën 09:00 të mëngjesit kemi arritur në Aleksadropulos, më pas u vendosëm në bazën ku do të qëndrojnë trupat”- tha Leonard Qyra përgjegjësi i Sektorit të Mbështetjes Operacionale dhe Humanitare në Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.

Zjarrfikësit shqiptarë  do të operojnë çdo ditë për dy javë, sipas marrëveshjes në dy grupe në mënyrë që pesë makinat zjarrfikëse dhe mjetet e tjera disponuese të punojnë pandërprerje.

“Rreth orës 2 do të fillojmë operacionin, aktualisht jemi duke bërë përgatitjet për tu vendosur në bazë, gjatë ditës së nesërme do të zhvillohet operacioni nga ora 8 e mëngjesit deri në 8 të mbrëmjes.”- tha Leonard Qyra

Sipas satelitit në këtë zone deri dje në mesditë janë djegur më shumë se  61.700 hektarë . Dhjetra shtëpi janë shkrumbuar madje flakët nuk kanë kursyer as varrezat në fshatin Kirkis.

Ndërkohë një tjetër zjarr i madh në skajin veriperëndimor të Athinës po djeg  shtëpi dhe po shkrumbon hektarë të tëra në parkun kombëtar Parnitha, një nga zonat e fundit  të gjelbra  pranë kryeqytetit grek.

Bashkë me 260 zjarrfikësit që operojnë deri tani, me dhjetëra mjete nga toka dhe ajri ,në luftë me flakët edhe banorët përpiqen të mbrojnë shtëpitë e tyre. Me gjithë përpjekjet e tyre manastiri i Agjia Paraskevi për pesë minuta u përfshi nga flakët.

“Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi, por ajo që është vendimtare është fakti që qeveria dhe shteti të dërgojnë të gjitha forcat e nevojshme për të shuar zjarrin.”- tha Giorgos Tatsis, kandidat për zgjedhjet e ardhshme të prefekturës lokale

Mbi 700 emigrantë janë larguar nga kampi i pritjes në zonon Amigdaleza. Në shumë vendbanime dhe fshatra organet greke kanë urdhëruar banorët të largohen nga shtëpitë e tyre . Të paktën 20 persona , midis tyre 18 emigrantë në pyllin Dadias, kanë vdekur nga zjarret në vend gjatë tre ditëve të fundit.

Fronti i tretë i madh i zjarreve ndodhet në Viotia , ndërsa në gjithë vendin numërohen dhjetëra vatra të tjera.

Ministri i shtetit ka deklaruar se bëhet fjalë për situata ekstreme të cila vendi po i përjeton për herë të parë, ndërsa zyrtarë të tjerë qeveritarë duke ju përgjigjur kritikave të partive opozitare fajësojnë ndryshimet klimatike për frekuencën dhe intensitetin në rritje të zjarreve në Greqi, por edhe në vendet e Evropës Jugore me verën e tyre të nxehtë dhe thatësirën e vazhdueshme.

Top Channel

Read Entire Article