Fund sezoni në Maldivet e Europës, Olti Çaçi për ‘Log.’ rrëfen projektet: Ja si po transformohet Saranda e Ksamili, ëndrra e qytetit është…

1 week ago 28

Olti Çaçi, kryebashkiak i Sarandës, në një intervistë ekskluzive për emisionin ‘Log.’ të gazetarit Endri Xhafo në News24 tha se qëllimi apo synimi është që Saranda të bëhet një qytet atraktiv jo vetëm për turistët, por edhe banorët që jetojnë këtu.

Në këtë kuadër, Kryebashkiaku shprehet se janë bërë disa masterplane në aspektin urabistik dhe mobilitetit, pasi këto janë dy pikat kryesore që vuan qyteti i Sarandës.

Kryebashkiaku tha se në Sarandë, me mbylljen e sezonit turistik,  po punohet tashmë gjithandej.

“Është rruga hyrëse e qytetit, janë dy nyje kryesore, në të cilat fillojnë punimet këtë muaj, kemi rrugën e ‘5-të’ që po rikonceprohet e gjitha”, tha Kryebashkiaku. Ai shprehet se ëndrra e qytetit ështe rruga e 6-të dhe tuneli.  Kjo rrugë pritet të zgjidhë aksesin në qytet për 30 vitet e ardhshme.

Në vijim Çaçi tha se kemi filluar me stacionin interurban që është në hyrje të qytetit, që do të thotë se autobusët nuk do të lejohen të hyjnë në brendësi, dhe kjo është shumë e rëndësishme për mobilitetin e qytetit, veçanërisht gjatë sezonit turistik, ku ka një 7 apo 10 fishim të numrit të popullsisë, dhe është e pamundur që të kemi edhe autobusa që futen në qytet.

Kryebashkiaku u shpreh se stacioni interurban do të jetë funksional për 12 muaj. Ai tha se po studiohet për dy parkime të mëdha jashtë qytetit të Sarandës, ndërsa theksoi se jemi në një projekt me Bankën Botërore për të shtuar disa mini-autobusë elektrikë.

“Saranda është qyteti i mundësive, është nga të paktat qytete në Shqipëri, ndoshta pas Tiranës, që ka rritje popullsie. Kjo tregon që është qytet mundësish. Në Sarandë ka rreth 4500 biznese të regjistruara, ndërkohë që ka 15 mijë votues, pra 1 në 3 merret me biznes”, tha Çaçi.

Lidhur me Ksamilin, Kryebashkiaku rrëfen se janë duke u bërë 3 parkime, sikundër do të bëhet By Pass dhe një rotondo, duke çliruar kështu trafikun e rënduar në këtë qytezë.

“Javën tjetër nis rikonfigurimi i rrugës hyrëse të Ksamilit. Një projekt i Bankës Botërore dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit do të rikonceptojë pedonalen. Investimi total do të jetë 9 mln, do të jetë një model. Loti i parë shkon deri te Gjiri i Manastirit”, tha Çaçi duke zbuluar disa detaje nga projekti.

Ksamili në sezonin e fundit turistik pati një bum turistësh, ndërsa Kryebashkiaku rrëfen se me një reklamë që kushtoi vetëm 40 dollarë, u reklamua bregdeti shqiptar. “Reklama në Time Square kushtoi vetëm 40 dollarë”, sqaroi Kryebashkiaku, ndërsa pas saj, për Ksamilin kanë shkruar mediat ndërkombëtare, përveç atyre shqiptare.

Kryebashkiaku i Sarandës mohon që Ksamili të ketë pasur çmime më të larta se Dhërmiu apo Palasa. Ai thotë se duhet të jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm me çmimet, sepse Shqipëria, një nga aryset pse vijnë turistët është sepse jemi vend i lirë ekonomik. “Nuk kemi pse të nxitojmë pa kaluar fazën e eksplorimit, dhe Shqipëria është në fazë eksplorimi. Sa më lirë të mbajmë çmimet, sepse e rëndësishme është të mbajmë një sezon të qëndrueshëm”, tha Çaçi.

Ai tha se çmimet në Ksamil, për çadrat varionin nga 10 deri në 30 euro.

“Saranda dhe Ksamili do të mbetet destinacion për të rinjtë”, tha Kryebashkiaku.

Përsa i takon plazheve publike, Kryebashkiaku tha se do të jenë në formatin 30% të çdo plazhi.  Ai tha se patjetër që për të realizuar këtë duhet pasur edhe mbështetja e pushtetit qendror.

Dhe për Kryebashkiakun e Sarandës, vënia në funksion e aeroportit të Vlorës do të jetë një tjetër shtysë e madhe për turizmin.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Read Entire Article