Grabiti një makinë dhe shuma parash, arrestohet 43-vjeçari në Lushnjë

1 month ago 28

Një 43-vjeçar është arrestuar këtë të mërkurë në Lushnjë.

Ai akuzohet se ka vjedhur një automjet, produkte të ndryshme dhe 2 arka kursimi në një market, gjatë natës.

Sipas njoftimit zyrtar, 43-vjeçari ishte i dënuar më parë për vjedhje. Sendet e vjedhura u gjendën në banesën e tij.

“Menjëherë pas marrjes së njoftimit nga pronari i një marketi, në fshatin Golem i Vogël, se gjatë natës i kishin vjedhur disa produkte dhe 2 arka kursimi me vlera monetare, në marketin e tij, shërbimet e Policisë kanë organizuar punën për zbardhjen e rastit dhe identifikimin e autorit.

Nga veprimet e para hetimore dyshohet se shtetasi R. B., banues në fshatin Golem i Vogël, ka dëmtuar dritaret e marketit në pronësi të shtetasit T. B. dhe ka vjedhur aty, produkte të ndryshme ushqimore dhe 2 arka kursimi me para. Më pas, shtetasi R. B. ka vjedhur një automjet të parkuar pranë këtij marketi dhe ka transportuar me të, produktet e vjedhura, në banesën e tij.

Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë arrestuan shtetasin R. B., 43 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”.

Po punohet për të zbardhur vjedhje të tjera që mund të ketë kryer ky shtetas. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftim. /vizionplus.tv

Read Entire Article