Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka folur për atmosferën zgjedhore dhe integritetin e procesit në prag të votimeve të 11 majit, gjatë një interviste për emisionin “Kjo Javë”.
Ai u shpreh i kënaqur me mbarëvajtjen e fushatës, duke theksuar se bashkëpunimi mes institucioneve, veçanërisht me SPAK-un dhe Prokurorinë, ka sjellë një ndikim real në garantimin e standardeve të procesit.
“Angazhimi i katër institucioneve për të adresuar problematikat zgjedhore ka pasur efektin që donim. Nuk kemi pasur raste masive të shkeljeve, por përkundrazi, një proces më të kontrolluar dhe më të ndershëm,” tha Celibashi.
Ai theksoi se janë regjistruar 35 procedime penale për deformim të votës dhe se KQZ ka bashkëpunuar ngushtë me SPAK-un, duke ofruar dokumentacion në kohë rekord.
Kreu i KQZ theksoi se prania e përfaqësuesve të SPAK, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Policisë në selinë e KQZ-së 24/7 është një garanci shtesë që procesi të zhvillohet pa ndërhyrje apo vonesa. “Nuk është një bashkëpunim i imponuar, por një reflektim i pjekurisë institucionale,” u shpreh ai.
Celibashi: “Iniciativë e cila mund ta them pa hezitim që ka prodhuar efektin që ne donim. Ndoshta me siguri mendon krejt ndryshe, por jam i bindur që qoftë edhe afirmimi publik i angazhimit të katër institucioneve për të adresuar shpejt problematikat zgjedhore e ka dhënë impaktin e vet. Nuk kemi raste masive të shkeljeve apo veprave në fushën e zgjedhjeve.
Besoj ka qenë një kontribut pozitiv për integritetin e procesit. Nëse flasim për rezultate, ka disa raste ndalimesh apo arrestimesh. KQZ u është përgjigjur në kohë rekord çdo kërkese të strukturave për dokumentacion për prova që sipas tyre janë të nevojshme për procedime të caktuara penale.
Në KQZ janë prezentë 24/7 përfaqësues të SPAK, Prokurorisë së Përgjithshme dhe policisë. Informacioni nuk humb në kanalet burokratike, jemi bashkë si njësi për të ndjekur çfarë po ndodh me procesin zgjedhor. Sikurse SPAK apo Prokuroria kanë bërë publike janë një sërë kallëzimesh penale që po shqyrtohen për disa ka edhe procedime penale dhe besoj është e qartë për këdo që këto struktura janë duke punuar.
Strukturat si SPAK dhe Prokuroria kanë nisur disa procedime penale për deformimin e votës, janë 35 procedime. Ka subjekte që ata i kanë proceduar dhe vazhdon ndjekja penale ndaj tyre.
Deri më sot bashkëpunimi ka qenë konkret, ka ardhur si rrjedhojë e vetë institucioneve që janë palë në bashkëpunim, nuk ka qenë i imponuar nga faktorë vendas apo ndërkombëtarë dhe mendoj se është reflektim i pjekurisë institucionale të këtyre institucioneve për të reaguar dhe vepruar si duhet të veprojnë. Jemi në komunikim të përditshëm me këto struktura.
Do të vazhdojnë ta shohin me skepticizëm këtë bashkëpunim, ka paragjykime për të gjithë institucionet dhe ne si individë, por është e vështirë t’u thuash njerëzve ta bazojnë gjykimin në fakte. Disave thuaji çfarë të duash dhe do vazhdojnë ta mendojnë si duan, pa predispozitën dhe dëshirën për të qenë realistë.
Për fat këta janë pakica sepse ajo që konstatojmë, shumica e qytetarëve shqiptarë dhe shumica e faktorit politik dhe atij jo politik e shohin që gjërat po funksionojnë. Me siguri dikush pret edhe më shumë, apo e quan të realizuar nëse ka nja 200 veta në burg, por nëse nuk ka për të dënuar, nuk ka.”
Në lidhje me përdorimin e burimeve shtetërore për qëllime elektorale, Celibashi tha se nuk janë konstatuar raste flagrante.
“Rastet janë minimale dhe të papërfillshme krahasuar me zgjedhjet e kaluara. Shumica e ankesave të opozitës kanë qenë pa prova konkrete,” theksoi ai, duke shtuar se sjellja e funksionarëve të lartë publikë ka qenë më e përgjegjshme këtë herë.
Celibashi theksoi se pavarësisht skepticizmit të disa individëve, shumica e qytetarëve dhe faktorëve politikë e shohin se procesi po funksionon. Ai i bëri thirrje të gjithëve të bazojnë gjykimet mbi fakte dhe jo mbi perceptime apo paragjykime.
Celibashi: “Kemi një strukturë që e ndjek këtë proces dhe monitoron në mënyrë të përditshme bazuar edhe në kërkesat dhe ankesat që i vijnë KQZ. Mund të them pa hezitim se nuk kemi raste flagrante të abuzimit me resurse publike, rastet janë kaq minimale sa krahasuar me rastet e mëparshme janë të papërfillshme.
Pjesa dërrmuese e ankesave nga opozita janë marrë në konsideratë por janë pa prova. I kemi shqyrtuar të gjitha pretendimet në lidhje me këtë çështje. Në nivelet e larta të administratës publike kemi pasur një qasje më të përgjegjshme.
Mund të jetë më e kamufluar sic pretendohet, por sjellja e tyre dallon në krahasim me zgjedhjet e kaluara, por ka gjithmonë shumë për të bërë në këtë aspekt se është edhe çështje mentaliteti dhe kulture se ai që është për shembull kryetar bashkie apo ministër thotë se kjo është puna e tij dhe nuk ndikon.
Kemi komunikuar më mirë, ua kemi bërë të qartë ku janë këto kufij dhe pjesa e bashkëpunimit mes institucioneve ka bërë efektin e vetë. Është kontribut pozitiv në të gjitha aspektet e tij.”
(BalkanWeb)
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb