Shpërthim në Zubin Potok, dëmtohet një kanal i ujit (Detajet)

1 week ago 37

Një shpërthim që ka ndodhur mbrëmjen e 29 nëntorit në fshatin Varagë të Zubin Potokut ka dëmtuar kanalin e ujit të Ibër-Lepencit. Policia e Kosovës ka konfirmuar për mediat lokale në Kosovë se është dëgjuar një shpërthim në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, duke shtuar se ekipet policore po punojnë që ta zbardhin rastin.

Ujësjellësi rajonal Mitrovica njoftoi se ka ndërprerë furnizimi me ujë të pijes për shkak të dëmtimit të kanalit. Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit, tha se e dënon ashpër dëmtimin e kanalit të ujit në fshatin Varagë. “Dëshirojmë të bëjmë të qartë se ky akt është absolutisht kundër interesave të popullit serb dhe kërkojmë nga KFOR-i dhe EULEX-i hetim urgjent në lidhje me këtë rast”, tha kjo parti përmes një postimi në rrjetet sociale.

Lista Serbe tha se dëmtimi i kanalit të ujit, përveç se ka rrezikuar furnizimin me ujë të qytetarëve, po ashtu “ka shkaktuar shqetësim te serbët në veri të Kosovës”. Shpërthimi në Zubin Potok ndodhi disa orë pasi Policia e Kosovës njoftoi se ka shtuar masat e sigurisë në nivel vendi, përfshirë në pjesën veriore të banuar me shumicë serbe, ku ditëve të fundit kanë ndodhur disa incidente me mjete shpërthyese. Policia tha se do të shtojë aktivitetet, do të rrisë prezencën në terren, “duke realizuar më shumë patrullime në zona më kritike, më shumë pika kontrolli dhe rritje të bashkëpunimit me qytetarët”.

Ky institucion tha se me shtimin e masave policore synohet të ruhet rendi e qetësia publike, të parandalohen aktet kriminale dhe të hetohen e vihen para drejtësisë “të gjitha ata që do të guxojnë të atakojnë sigurinë, ligjin dhe rendin kushtetues”. Në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, ditëve të fundit janë shënuar incidente me mjete shpërthyese. Më 27 nëntor, autoritetet njoftuan se stacioni policor në Zveçan ishte sulmuar me dy granata dore. Ndërkaq, më 29 nëntor Policia bëri të ditur se është sulmuar me një mjet shpërthyes, që dyshohet të jetë granatë dore, edhe ndërtesa e Komunës së Zveçanit.

Ky incident është dënuar nga autoritetet në Kosovë, që i kanë cilësuar si “akte kriminale” që synojnë “të ndjellin frikë”. Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, e fajësoi Serbinë për, siç tha, “dirigjimin” e bandave kriminale për kryerjen e sulmet të ditëve të fundit ndaj institucioneve në veri. Katër komunat në veri të Kosovës – Zubin Potoku, Zveçani, Leposaviqi dhe Mitrovica e Veriut – udhëhiqen nga kryetarë shqiptarë, pasi serbët dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës dhe bojkotuan zgjedhjet lokale të mbajtura vitin e kaluar.

Në vitet e fundit, në veri të Kosovës janë regjistruar një sërë incidentesh. Rastet e hedhjeve të mjeteve shpërthyese dhe djegie të veturave u rritën veçmas gjatë periudhës kur po zbatohej vendimi i Qeverisë së Kosovës për konvertimin e targave serbe në ato RKS – Republika e Kosovës. Prej atëherë, tensionet në veri vazhdojnë të jenë kryesisht të larta, gjithashtu për shkak të atyre që Qeveria e Kosovës i konsideron si hapa për shtirje të sovranitetit në këtë pjesë./Rel/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Read Entire Article