Shqipëria të dielën do të mbajë zgjedhjet e reja parlamentare, ku pritet të shihet nëse do të fitojnë demokratët apo do të marrin pushtetin sërish socialistët. Kryeministri aktual, Edi Rama pretendon të fitoj më tepër mandate sa ka aktualisht, derisa kreu i demokratëve, Sali Berisha pretendon përmbysje të Ramës.
Zgjedhjet në Shqipëri mbahen vetëm pak kohë pas atyre të Kosovës. Në Kosovë fituese e zgjedhjeve doli sërish Lëvizja Vetëvendosje, por që ende nuk kanë arritur ndonjë marrëveshje qeverisje, duke pamundësuar kështu formimin e institucioneve të reja.
Dihet botërisht se Kryeministri Albin Kurti dhe homologu i tij shqiptar, Edi Rama nuk patën një raport të mirë, gjatë qeverisjes së tyre. Madje ky i fundit në takimet rajonale u tregua më shumë miqësor me kreun e shtetit gjenocidal ndaj Kosovës, Aleksandër Vuҫiqin. Qëndrimet e Ramës ndaj Kurtit u kritikuan shumë herë, po që vazhduan po njëjtë.
Tani pas zgjedhjeve në Shqipëri, pritet të shihet nëse do të jetë në krye të Shqipërisë Rama apo Berisha dhe si do të jetë raporti me krerët e Kosovës.
Pra, një ndryshim qeverisjeje në Shqipëri a do e ndryshonte këtë raport?
Lidhur me këtë ҫështje, profesori universitar Fejzulla Berisha ka thënë se, marrëdhëniet ndërmjet dy kryeministrave shqiptarë, Albin Kurti dhe Edi Rama, janë karakterizuar nga tensione të shpeshta politike dhe përplasje të hapura, si në aspektin ideologjik ashtu edhe në atë personal. Kjo situatë përbën një paradoks për opinionin publik shqiptar, i cili tradicionalisht ka pritur një bashkëpunim të thelluar ndërmjet dy shteteve shqiptare në rajon.
Berisha: Një qeveri e re në Shqipëri mund të nxisë një nivel më të strukturuar të bashkëpunimit me Kosovën
“Nisma “Ballkani i Hapur”, e promovuar që nga viti 2019 nga Edi Rama, Aleksandar Vuçiq dhe Zoran Zaev, synon lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve dhe njerëzve në Ballkanin Perëndimor. Albin Kurti dhe Qeveria e Kosovës e kanë refuzuar në mënyrë të përsëritur këtë iniciativë, duke e cilësuar si “projekt rajonal pa njohje të ndërsjellë”, i cili, sipas tyre, normalizon hegjemoninë serbe dhe anashkalon dialogun Kosovë–Serbi të ndërmjetësuar nga BE. Qëndrimi refuzues i Qeverisë së Kosovës ndaj “Ballkanit të Hapur” ka qenë i matur dhe i qëndrueshëm. Mund të argumentohet se, në këtë kontekst, ky do të ishte pozicioni i çdo subjekti politik që do të udhëhiqte Kosovën, pasi refuzimi është pranuar gjerësisht si nga pozita ashtu edhe nga opozita. Krahasim konkret:Në samitin e “Ballkanit të Hapur” në Tiranë (dhjetor 2021), Edi Rama priti Vuçiqin dhe Zaevin, ndërkohë që Kosova jo vetëm që nuk mori pjesë, por zyrtarët e saj e cilësuan këtë iniciativë si “sfidim të konsensusit shqiptar për çështjen e njohjes nga Serbia”, nënvizoi Berisha.
Fejzulla Berisha
Ai rikujton më tutje se edhe Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina refuzuan pjesëmarrjen, duke përmendur mungesën e kushteve politike. Kjo e përforcoi pozicionin e Kurtit se Kosova nuk ishte e vetmja që kishte rezerva të thella ndaj kësaj nisme.
“Refuzimi i pjesëmarrjes në “Ballkanin e Hapur” mund të vlerësohet si një vendim i qëlluar dhe me kohë, pasi kjo nismë, në formën e saj ekzistuese, do të mund të përforconte ndikimin ekonomik dhe politik të Serbisë në rajon. Në korrik 2021, Edi Rama zhvilloi një vizitë zyrtare në Kosovë, por nuk pati një konferencë të përbashkët për shtyp me Albin Kurtin – një zhvillim i pazakontë për dy liderë shqiptarë. Rama e shfrytëzoi vizitën për të promovuar “Ballkanin e Hapur” dhe për të kritikuar Kurtin për mungesë bashkëpunimi, ndërkohë që Kurti shmangu daljet publike me të”, kujton ai.
Tutje, profesor Berisha thotë se një ndryshim i qeverisë në Shqipëri mund të ndikojë ndjeshëm në riformësimin e marrëdhënieve me Kosovën, sidomos nëse sjell një orientim të ri politik dhe diplomatik.
“Historikisht, Partia Demokratike (PD) dhe liderët e saj, veçanërisht Sali Berisha, kanë ndjekur një vijë më kombëtariste në raport me Kosovën. Gjatë periudhës 2006–2013, Berisha ishte promotori i disa marrëveshjeve të rëndësishme dypalëshe, përfshirë: Marrëveshjet për doganat e përbashkëta, Liberalizimin e qarkullimit të mallrave dhe njerëzve, Krijimin e Komisionit Ndërqeveritar për bashkëpunim ekonomik dhe arsimor. Krahasim konkret: Në vitin 2012, gjatë qeverisjes së Berishës dhe Thaçit, u nënshkruan marrëveshje për unifikimin doganor dhe krijimin e terminalit të përbashkët në Morinë – një projekt me rëndësi praktike dhe simbolike për bashkëpunimin ndërshqiptar. Këto përparime u zbehën gjatë qeverisjes Rama–Mustafa dhe Rama–Haradinaj, për shkak të tensioneve politike dhe mungesës së koordinimit të qëndrueshëm”, vlerëson ai
Ai thotë se, edhe në rast se nuk ndodh një rotacion i plotë politik, një rikonfigurim i brendshëm brenda Partisë Socialiste – për shembull, zëvendësimi i Ramës me një figurë më bashkëpunuese – mund të zbusë tensionet. Emra si Majlinda Dhuka, e angazhuar në Procesin e Berlinit, apo Belinda Balluku, përfaqësojnë mundësi për një dialog më teknik dhe më pak të personalizuar me qeverinë e Kosovës.
“Një qeveri e re në Shqipëri mund të nxisë një nivel më të strukturuar të bashkëpunimit me Kosovën përmes: Rikthimit të platformës ndërqeveritare Shqipëri–Kosovë, e cila pas vitit 2016 është reduktuar në takime formale pa rezultate konkrete. Koordinimit të politikës së jashtme, sidomos në organizata ndërkombëtare, ku shpesh Shqipëria ka ndjekur agjenda që nuk janë përputhur me ato të Prishtinës (p.sh. votimet në OKB). Harmonizimit ekonomik dhe fiskal, përmes krijimit të zonave ekonomike të përbashkëta, një tregu të unifikuar për produktet vendore dhe bashkëpunimit në projekte ndërkufitare të mbështetura nga BE”, thotë profesori për ‘Bota sot’.
Po ashtu, për këtë ҫështje, ka folur edhe njohësi i ҫështjeve politike, Nexhat Bexheti. Ai thotë për ‘Bota sot’ se, nuk është sekrete për opinionin e Shqipërisë dhe të Kosovës se raportet e qeverisë Rama dhe Kurti, nuk janë në nivelin e dëshiruar për ne shqiptarët në përgjithësi, sepse vërehen plasaritje të raporteve në mes dy qeverive.
Bexheti: Më se e nevojshme është që të ndryshohet qeveria, bashkë me qeverinë e re të ndryshojnë edhe paradokset politike, në raportin e qeverisë së re të Kosovës
“Fatmirësisht në këtë dekadencë nuk u përfshinë qytetarët e dy shteteve, në mes populates ekziston dashuria dhe bashkëpunimi në sferat kulturore-artistike dhe afariste. Popullata është ngopur nga politikanët me fjalor acarues dhe fyerje. Kjo etnopsikologji patologjike dhe armiqësore ndërqeveritare kohëve të fundit ka marrë përmasa apokaliptike dhe ajo që më tepër rrezikon mbijetesën, e trungut të përbashkët, edhe pse dallohen dy territore me kushtetuta të ndara dhe me uniformat Doganore dhe policie, si dhe me qarkullimin monetar të ndryshëm. E dime nga Historia se si u ndanë nga një vend në dy vende. E cila u nda nga vendimet të cilat për ne trajtohen fatkeqësi teritoriale”, vlerëson ai.
Nexhat Bexheti
Sipas Bexhetit, nga politika e Ramës mundemi të kuptojmë se ndikohet nga paragjykimet, të cilat nuk i kupton edhe vet.
“Njëherë bëhet politikan i ngrohtë, disa herë i ftohtë, domethënë se i qaset politikës ngrohtë-ftohtë kundrejt Kurtit. Rama do të bëhej patriot kombëtar po qe se të dilte mbrojtës i territorit të Kosovës, në momentet kur Vuçiq disa vite me radhë shfaqte pretendime territoriale ndaj Kosovës. Ai u strehua në heshtje, megjithëse kishte të drejtë kushtetuese, që të reagojë në qarqet ndërkombëtare, ku Kosova akoma nuk ka qasje. Nëse bazohemi në konstatimet e sociologëve dhe psikologëve ku ata thojnë se pushteti i gjatë kohor e devijon mentalisht politikanin e rastësishëm në politik shtetërore”, thekson ai.
Sipas tij, më se e nevojshme është që të ndryshohet qeveria, bashkë me qeverinë e re të ndryshojnë edhe paradokset politike, në raportin e qeverisë së re të Kosovës.
“Qytetarët janë në pritje të një ndryshimi të kursit Shqipëri – Kosovë edhe detyrimisht qeveria e re të zbatojë obligimin kushtetues për mbrojtjen e shqiptarëve në përgjithësi jashtë teritorit administrativ të Shqipërisë”, vlerëson ai.