13 vjet nga vdekja e Teki Dervishit: Intelektual e publicist i pa kompromis, përndjeket edhe në parajsë

2 months ago 15
Reklamë

Intelektual, publicist i pakompromis, ka transformuar letërsinë dhe homazhet e tij do të mbesin të përjetshme, kështu kujtohet Teki Dervishi.

Sot më (29 qershor), shënohet përvjetori i vdekjes së një ndër personaliteve më të shquar që ka pasur Kosova.

Më këtë datë, para 13 viteve ndërroi jetë pas një sëmundjeje të rëndë në moshën 68 vjeçare, drejtori i gazetës kombëtare “Bota sot”, dramaturgu, shkrimtari dhe publicisti i shquar, Teki Dervishi.

Dervishi i cili ishte edhe një ndër ndihmuesit e botuesit Xhevdet Mazrekaj për krijimin e gazetës “Bota sot”, sot e kësaj dite mbetet një ndër personat që ka lënë boshllëk në kulturën dhe publicistikën shqiptare.

Ai vazhdon të kujtohet sot e kësaj dite, madje konsiderohet shkollë dhe model më vete i krijimtarisë artistike dhe i publicistikës.

“Teki Dervishi është shkrimtar shumë i rëndësishëm shqiptar, ai e ka transformuar letërsinë tonë”

Profesori dhe shkrimtari Ahmet Selmani, thotë se Teki Dervishi është shndërruar në metafizikë kombëtare, ai jeton si prani (trashëgimi kulturore) dhe si mosprani (kujtesë e jona).

Sipas tij, ka ardhur koha që të thuhet e të pranohet se Dervishi është shkrimtar shumë i rëndësishëm shqiptar, që ka transformuar letërsinë.

“Teki Dervishi tanimë është shndërruar në metafizikë kombëtare; ai jeton si prani (trashëgimi kulturore) dhe si mosprani (kujtesë e jona). Krijimtaria e tij është citta aperta (Umberto Eko), pret të bëhet makrotemë, të trajtohet e të studiohet në shumë aspekte. Megjithatë, kjo gjë po ec tepër ngadalë për shkak të pengesave burokratike, politike, ideologjike, provincialiste, klanore etj. Pas largimit në përtejbotë të T. Dervishit, një studim shumë dinjitoz për krijmtarinë e tij ka bërë studiuesi Nehas Sopaj duke i dhënë vendin e merituar. Po ashtu, herë pas herë është folur e shkruar, janë organizuar edhe disa aktivitete, por ato asnjëherë nuk kanë qenë të mjaftueshme.

Tani besoj se ka ardhur koha që të thuhet e të pranohet se Teki Dervishi është shkrimtar shumë i rëndësishëm shqiptar, ai e ka transformuar letërsinë tonë, i ka përmbysur të gjitha skemat dogmatike e socrealiste duke u shfaqur si shkrimtar sui generis, veçmas me librin “Shtëpia e sëmurë”, “Herezia e Dervish Mallutës”, “Palimpsest për Dush Kusarin” etj., pra si një shkrimtar tipik postmodern. Po ashtu, Teki Dervishi është i rëndësishëm edhe si drammaturg, ai i ka dhënë teatrit tonë në përgjithësi disa nga dramat e tij më të mira të cilat edhe sot e kësaj dite kanë mbetur si refefenca të përhershme, siç është drama “Zbutësi i njerëzve me sy prej zymrydi”, “Bregu i Pikëllimit” etj. Por, fatkeqësisht, Teki Dervishi ende qëndron i shpërfilluar e i përjashtuar nga shteti amë; çuditërisht andej janë botuar e ribotuar gjithfarë librash, por askush nuk e ka parë të udhës që Teki Dervishit t’ia botojë një libër. Kjo pra, është prani dhe mosprani njëkohësisht. Një lloj anatemimi i heshtur ose i pashpallur”, shprehet Selmani.

Image

Ahmet Selmani

Ishte intelektuar dhe publicist i pakompromis, nuk zmbrapsej para të vërtetës, thotë Selmani për Dervishin, gjersa shton se në mungesë të penave të ngjashme ai vjen si referencë e pa zëvendësueshme.

“Po ashtu, Teki Dervishi ka lënë gjurmë të thella edhe në publicistikën shqiptare; vetë fakti se ai vazhdon të përmendet e të citohet në raste të ndryshme, dëshmon qartë se ai është ngulitur thellë në jetën tonë shoqërore. Artikujt e tij publicistikë gjithmonë kanë qenë reagime të pastra intelektuale, plot inteligjencë e vizion, plot guxim e ballafaqim. Thjesht, ai ishte intelektual dhe publicist i pakompromis, nuk zmbrapsej para të vërtetës. Mbi të gjitha, ai ishte një shqiptar i madh, e mbronte kauzën kombëtare, e ndihmonte zgjidhjen e saj, artikulonte kërkesa e mendime të rëndësishme. Kështu, ndërprerja e penës së tij para 13 vjetësh, krijoi një zbrazëtirë të thellë. Prandaj, në mungesë të penave të ngjashme, herë pas herë ai vjen si referencë e pazëvendësushme”, deklaron profesori.

Shkollë dhe model më vete i krijimtarisë artistike dhe publicistikës, shton Selmani.

“Duke e përkujtuar pas vdekjes fizike, mund të themi se Teki Dervishi është shkollë dhe model më vete i krijimtarisë artistike dhe i publicistikës; nuk mund të kuptohet letërsia shqiptare pa Teki Dervishin, as publicistika nuk mund të mësohet pa modelin e tij. Mungesa e tij duhet të mbushet me ithtarë e apostuj krijues. Prania testamentale e tij duhet të gjejë vendin e merituar, të bëhet pjesë e rëndomtë e institucioneve arsimore, shkencore, kulturore etj”, shton shkrimtari dhe profesori Selmani.

“Edhe përndjekësit e Teki Dërvishit në kohën e sotshme nuk i merr gjumi”

Ndërsa, intelektuali Fahri Xharra, thotë se Teki Dervishi ka qenë ndëri ndër shkrimtarët disident më të përndjekur në sistemin komunist.

“Teki Dervishi, përndiqet edhe në parajsë. Ai ka qenë njëri ndër shkrimtarët disident më të përndjekur në sistemin komunist, i cili gjithë jetën për së gjalli nuk do t’i përvidhet as burgut më famëkeq të Goli Otokut, edhe pas ikjes fizike nga mesi ynë në një mënyrë të përçuditshme (në “heshtje”), nuk do do t’i shpëtojë as përndjekjes të Policisë sekrete letrare edhe në Parajsë.” Deshta që me disa fjalë t`i jap vend në mënyrën time , në kujtesën e të “vjetërve” por edhe të “rinjve”, figurës shumë markante të letërsisë shqiptare në Kosovë, figura që pëndiqet edhe në amshim Teki Dervishit nga Gjakova .Fatkeqësia kombëtare ishte e madhe ( në atë që po e shajmë i madh e i vogël), por sot sa i vlerësojmë po ata krijues të temave të mëdha kombëtare dhe që e kishin mbajtur gjallë kombëtarizimin brenda e jashtë atdheut politik të shqiptarëve?”, pohon Xharra.

Image

Fahri Xharra

Sipas tij, përndjekësit e Teki Dervishit në kohën e sotme nuk i merr gjumi, kjo për shkak se kanë frikë se do të ngrihet nga varri për t’iu kërkuar përgjegjësi.

“I madh ishte Teki Dervishi se duke i ditur “miqtë” e tij në jetë, punë, varrime dhe rivarrime para kamerave televizive, do ta lë me testament (amanet), që varrimi i tij të bëhet në mesin e ngushtë familjar, pa “miq” e pa ceremoni mortore.” Populli thotë: Uji fle, por hasmi nuk fle. Edhe përndjekësit e Teki Dërvishit në kohën e sotshme nuk i merr gjumi. Natë e ditë shohin ëndrra të tmerrshme. Frikë kanë se, Shkrimtari do t’u ngritet nga varri dhe do t’u kërkojë përgjegjësi morale e politike për gjithë ato përndjekje të papara deri më sot për së gjalli”, thekson intelektuali.

Homazhe për Teki Dervishin do të jenë të përjetshme, shton Xharra.

“Pas shkollimit fillor ai i ra në sy regjimit serb të asaj kohe dhe u burgos e u dënua që në moshën 17 vjeçare, ku vuajti dënimin disavjeçar në burgjet serbe. Teki Dërvishi është ndër të burgosurit më të rinj shqiptar që vuajti në burgun famëkeq jugsollav të Goli Otokut .Teki Dervishi gjatë gjithë jetës së tij u mor me shkrime letrare e publicistike. Është autor i rreth 90 veprave letrare artistike, romane, poezi, drama. Është autor i romaneve: Pirgu i Lartë, 1972, Padrona, 1973, Skedarët. 1974, Herezia e Dervish Mallutës, 1981, Palimpsest për Dush Kusarin, 1993. I përmbledhjes së tregimeve: Etje dhe Borë, I vëllimit të poezive Nimfa 1970, Shtëpia e Sëmurë 1978, Thashë 1981, Nimfa 1986. Ka botuar edhe këto drama: Zbutësi i njerëzve me sy prej zymrydi, 1979, Bregu i Pikëllimit, 1985, Pranvera e Librave, 1990, Zhvarrimi i Pjetër Bogdanit, 1990, Kufiri me atdhe, 1996, Vojceku, 1996, Eshtrat që kthehen vonë, 2000, Nesër nisemi për Parajsë, 1999, Ku është Populli?, 2003 si dhe i veprës me ese e kritika mbi teatrin Qan e qesh Talia 1978. ( Bota sot). Poezia e tij është e jashtëzakonshme, vlerat e saj i kanë siguruar vend të veçantë në panteonin e poezisë shqipe. Dramat e Teki Dervishit siç ia pohonin edhe miqtë të tij perëndimor, jo vetëm se ishin të jashtëzakonshme, por ia kishin siguruar Teatrit shqiptar, repertoarin për një shekull! (Por, sa ka regjisor të zot që mund ti vë në skenë ato). Proza e tij është po aq e jashtëzakonshme! Numri i përgjithshëm i veprave të tij, kalon mbi 90, nga poezia tek publicistika! Si i tillë homazhet për Teki Dervishin do të mbesin të përjetshme”, përfundon intelektuali.

Read Entire Article