2 korriku i vitit 1990, gur-themeli i pavarësisë së Kosovës

2 months ago 11
Reklamë

Se shqiptarët kanë vuajtur dhe kanë qenë të okupuar, këtë e thotë edhe historia. Ndër vite kanë luftuar për të pasur një shtet dhe për ta ruajtur identitetin kombëtar.

Sot e 34 vjet më parë, Kosova kishte festë. Vendi ynë 34 vjet më parë u nda nga republikat jugosllave duke u bërë njësi e barabartë me to.

2 Korriku shënon datën kur delegatët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, miratuan Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut.

Deklarata e 2 Korrikut 1990 ishte akti që do të shënojë hapin historik institucional të pavarësimit të Kosovës.

Kjo ngjarje u zhvillua jashtë objektit të Parlamentit, në kushte të rrethimit nga forca të mëdha policore e ushtarake.

Buxhovi: Deklarata Kushtetuese – gur-themel i shtetësisë së Kosovës

Historiani Jusuf Buxhovi në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se kjo deklaratë paraqet ngjarjen më të rëndësishme të shtet ndërtimit të Kosovës.

Image

Jusuf Buxhovi

Sipas tij, Deklarata Kushtetuese, që pastaj i hapi rrugë Kuvendit të Kaçanikut janë dy ngjarjet që vunë Kosovën në binarët e pandalshëm historik të shtet - ndërtimit të vendit tonë, Kosovës.

“Deklarata e kushtetues e 2 korrikut 1990 paraqet ngjarjen më të rëndësishme në historinë e shtet-ndërtimit të Kosovës. Delegatët e Kuvendit të Kosovës, me shpalljen e kësaj Deklarate, Kosovën e shkëputën nga pushtimi serb. Kjo legjitimoi Kosovën njësi të barabartë të federatës jugosllave me të drejtën e shkëputjes. Deklarata e kushtetuese si e tillë, i hapi rrugën Republikës së Kosovës, e cila u shpall në Kuvendin e Kaçanikut më 7 shtator të atij viti.

Këto dy vendime madhore të përcjella nga Referendumi për Pavarësi i 26 shtatorit 1991, zgjedhjet Presidenciale dhe Parlamentare të 24 maj 1992 si dhe krijimin e qeverisë së Kosovës në fund të atij viti, që mori përsipër rezistencën institucionale, Kosovën e vunë në binarët e pandalshëm historik të shtet ndërtimit, që do të konfirmohet ndërkombëtarisht, më 17 shkurt 2008”, thotë historiani Jusuf Buxhovi.

Tahiraj: Me këtë datë filloj punën pushteti demokratik i Republikës së Kosovës, paralel me pushtetin pushtues, kriminal të Serbisë

Image

Saim Tahiraj

Edhe veprimtari Saim Tahiraj, thotë se kjo Deklaratë ishte bazament për shtetndërtim dhe shtet - formim të Kosovës.

Sipas tij, me këtë u bo ndarja e Kosovës në njësi të barabartë me republikat tjera të asaj kohe jugosllave, duke shtuar se me këtë “u rrumbullakua në aspektin juridik shteti i Kosovës dhe filloi punën pushteti demokratik i Republikës së Kosovës, paralel me pushtetin pushtues, kriminal të Serbisë”.

Deklarata e ish Kuvendit të Kosovës që shpallën delegatët me 02.07.1990 para ndërtesës së kuvendit, përballë tytave të armëve dhe autblindave të pushtuesit serb, është data më e rëndësishme në historikun e formimit të shtetit të Kosovës. Nën ato masa të rrepta policore, delegatët trima, të vendosur më tepër se kurrë, lexuan Deklaratën me të cilën shpallën Kosovën si njësi kushtetuese (Republikë), të barabartë me njësit (Republikat) tjera të Jugosllavisë. Kështu që përfundimisht Kosova lirohet nga pushtimi shekullor shovenist serb dhe populli i Kosovës barazohet me popujt tjerë në Jugosllavi.

E them këtë me bindje të fuqishme sepse ajo deklaratë ishte bazamenti i fortë mbi të cilën u ndërtuan të gjitha aktet tjera juridike që formësuan përfundimisht shtetin e Kosovës. Po ai Kuvend me të njëjtit delegatë me 07.09.1990 në Kaçanik shpallën edhe kushtetutën e Kosovës që në historinë tonë hyri si Kushtetuta e Kaçanikut ku Kosova shpallet Republikë.

Këto dy vendime të rëndësishme historike që vunë bazat shtetit të Kosovës i hapen rrugë mbajtjes së referendumit për pavarësi të Kosovës që u mbajt me 26.09.1991 ku mbi 90% votuan për Shtetin e Pavarur të Republikës së Kosovës.

Në bazë të Kushtetutës së Kaçanikut u mbajtën zgjedhjet Parlamentare dhe Presidenciale ku President u zgjodh dr. Ibrahim Rugova, gjithashtu u formua edhe Qeveria e Republikës së Kosovës me shumë ministri. Kështu u rrumbullakua në aspektin juridik shteti i Kosovës dhe filloj punën pushteti demokratik i Republikës së Kosovës, paralel me pushtetin pushtues, kriminal të Serbisë”, shprehet ai.

Për këtë datë historike, ai thotë se duhet të festohet nga institucionet dhe populli i Kosovës, si data e shpalljes së shtetit të Kosovës, duke kritikuar ata të cilët kanë tendenca për të minimizuar një akt të tillë në historinë e Kosovës.

"2 Korriku duhet të shënohet në histori dhe të festohet nga institucionet dhe populli i Kosovës, si data e shpalljes së shtetit të Kosovës. 2 Korriku me aktet tjera përcjellëse juridike që përmendëm më lartë, janë bazamenti i fuqishëm i shtet formimit dhe shtet-ndërtimi të Republikës së Kosovës. Të gjitha tendencat për ta minimizuar këtë datë, më të rëndësishmen në historinë e re të Kosovës, janë anti-historike dhe qëllimkëqija, janë mohim i përpjekjeve titanike të popullit të Kosovës për shtet-formim dhe shtet-ndërtim.

Kjo tendenca e një grupi të vogël të ideologjisë së kuqe LPK-së, për të mohuar çdo gjë historike që bëri populli dhe institucionet e Kosovës dhe për të paraqitur se vetëm atë që ata kanë bërë është historia e shtet-formimit dhe shtet-ndërtimit, është jo reale, anti-historike dhe shumë e rrezikshme për vet historinë tonë. Historia e vërtetë duhet shkruar me fakte, argumente, dokumente reale dhe jo me falsifikime dhe puqe ideologjike.

Urime 2 Korriku, Dita e Pavarësisë së Kosovës të gjithë shqiptarëve kudo që janë”, përfundon ai për “Bota sot”.

Read Entire Article