24 vjet nga vrasja e Shaban Manajt, Gjykata Speciale jep shpresë për zbardhjen e rastit!

1 month ago 6
Reklamë

Sot (e martë 23 korrik) u mbushën 24 vjet nga vrasja tinëzare e atdhetarit dhe veprimtarit të shquar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shaban Manaj.

Vrasja e Shaban Manajt bën pjesë mes shumë vrasjeve të tjera me motive politike që e goditën Kosovën e pasluftës.

Vetëm një ditë para se të kidnapohej Manaj, LDK-ja kishte publikuar listën e kandidatëve për kryetarë të Komunave, ku ai ishte nominuar si kandidat për kryetar të Komunës së Istogut.

Ishin zgjedhjet e para lokale të Kosovës së pasluftës.

Manaj, u kidnapua më 23 korrik, ndërsa u gjet i vrarë më 5 gusht të vitit 2000.

Kriminelët që e kishin masakruar dhe ia kishin djegur kufomën nuk u gjetën asnjëherë.

Ky rast tronditi Kosovën që sapo ishte çliruar nga regjimi gjenocidal i Serbisë.

Për vite me radhë drejtësia e kapur nga politika, heshti për rastin e Shaban Manajt, sikurse edhe për vrasjet e shumta politike që kishin ndodhur.

Kur shpresat e familjarëve nisën të veniteshin, formimi i Dhomave të Specializuara me seli në Hagë sikur i ringjalli ato.

Tani që Gjykata Speciale po zhvillon procese gjyqësore dhe po merr vendime përfundimtare, shpresat për zbardhjen e vrasjes së Shaban Manajt, sa vinë e rriten.

Në një përgjigje për gazetën “Bota sot”,  Zëdhënësi i Prokurorit të Specializuar të Kosovës, Christopher Bennett, ka thënë se ky institucion nuk i komenton hetimet.

Mirëpo, ai po ashtu ka theksuar faktin që data e vrasjes së z. Shaban Manaj bën pjesë në  periudhën e mandatit të ZPS-së 1998-2000.

“ZPS nuk jep informacion për hetimin e saj. Megjithatë, data 24 korrik 2000 është në periudhën e mandatit të ZPS-së”, thuhet në përgjigjen e z. Christopher Bennett.

Ndryshe, sot nën patronatin e Kryetarit të Komunës së Istogut dhe të Degës së LDK-së, Ilir Ferati, një delegacion i LDK-së dhe shumë qytetarë nderuan jetën dhe veprën e Shaban Manajt.

Shkëmb Manaj, i biri i z. Shaban Manaj, në një postim në Facebook mes tjerash ka shkruar se angazhimi për vendosjen e drejtësisë për këtë vrasje dhe plot vrasje tjera të veprimtarëve politik, mbetet i përhershëm!

“Sot, në 24-vjetorin e vrasjes, nën patronatin e Kryetarit të Komunës së Istogut dhe të Degës së LDK-së z. Ilir F. Ferati, se bashku me nënkryetarët e LDK-së Gazmend Muhaxheri dhe Anton Quni, me deputetë, me miq, bashkëveprimtarë, me struktura të Degës dhe të Komunës, me mergimtarë dhe qytetarë të shumtë, kujtuam dhe nderuam jetën dhe veprën e babait tim, Shaban Manaj, Hero i Kosovës.

Duke nderuar trashëgiminë e tij politike, angazhohemi të ecim tutje me përkushtim dhe vendosmëri për të realizuar idealet e tij dhe të plejadës së burrave dhe grave që një jetë e vunë në shërbim të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Paralelisht kësaj,  angazhimi për vendosjen e drejtësisë për këtë vrasje dhe plot vrasje tjera të veprimtarëve politik, mbetet e përhershme!

Në emër të familjes Manaj ju falënderojmë që sot ishit me Ne, si çdo herë dhe secilit që në forma të ndryshme të përkujtimit, ndatë kujtimet me të mira nga jeta dhe vepra e tij e madhe!”, ka shkruar Manaj në Facebook.

Read Entire Article