“25 vite Kushtetutë”, presidenti Begaj: Shqipëria hapa pozitivë me reformat që ka ndërmarë sidomos ajo në drejtësi

10 months ago 24
11:02 27/11/2023

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj i pranishëm në sallën e Kuvendit në kuadër të veprimtarisë “25 vite Kushtetutë” u shpreh se Shqipëria ka bërë hapa pozitivë me reformat që ka ndërmarë ku ka veçuar me shumë reformën në drejtësi.

Begaj gjatë fjalës së tij vlerësoi punën e bërë ndër vite, por theksoi që ka ende shumë punë për të bërë sidomos në drejtimin e integrimit në Bashkimit Europian.

Bajram Begaj: Parimi i shtetit të së drejtës është një nga elementet themelor të sanksionuar në preambolën e Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Ky parim përbën një kusht të domosdoshëm për funksionimin e një shoqërie të lirë për paqen, mirëqenien, kulturën solidaritetin shoqëror dhe respektimin e vlerave të demokracisë. Po kaq me rëndësi është edhe parimi i ndarjes së pushteteve dhe balancimi i tyre që përbën thelbin e ekzistencës dhe mirëfunksionimit të shtetit të së drejtës. Kushtetuta jonë arriti t’i paraprijë dhe të parashikojë procesin e integrimit Euroatlantik të Shqipërisë që lidhet ngushtësisht me parimin e së drejtës dhe sovranitetit shtetëror. Përmes kësaj Kushtetute u arrit të sanksionohen dispozita të rëndësishme që vendosin parimet bazë për përgatitjen dhe legjitimitetin e integrimit të Shqipërisë në aleancat ndërkombëtare duke i çelur rrugën anëtarësimin në NATO dhe procesit në integrimit në BE.

Ndryshimet kushtetuese të vitit 2016 sollën ndryshime në sistemin e drejtësisë si reformimin e organeve ekzistuese dhe krijimin e strukturave të reja me qëllim forcimin e pavarësisë dhe rritjen e llogaridhënies së organeve të drejtësisë. Referuar progresraportit të këtij viti Shqipëria ka bërë hapa pozitivë me reformat që ka ndërmarë sidomos me reformën në drejtësi e cila po jep rezultate të dukshem duke kontribuar në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Pavarësisht arritjeve sot sistemi i drejtësisë po përballet me një sfidë të madhe për shkak të numrit të madh të çështjeve që gjykata ka në shqyrtim.

Gjatë fjalës së tij Begaj ka vlerësuar edhe punën e bërë nga gjykata Kushtetuese.

Bajram Begaj: Të gjithë ne kemi përgjegjësinë dhe detyrën që jemi garant të Kushtetutës dhe normave themelore që ajo pasqyron. Respektimi i saj ndihmon si në rritjen e cilësisë ligjvënëse ashtu edhe të kontrollit kushtetues. Sot është dita për të vlerësuar edhe kontributin e gjykatës Kushtetuese. Drejtësia kushtetuese dhe roli i kësaj gjykate ka ndihmuar në tre drejtime që ka të bëjë më parimin e ndarjes dhe balanmcimit të pushteteve, parimin e sigurisë juridike, mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave themelore të njeriut.

Presidenti ndër të tjera u shpreh: Kemi shumë punë për të bërë sidomos në drejtimin e integrimit në BE që mbetet objektivi ynë madhor dhe parësor. Progresi është i vazhdueshëm por edhe me sfida të reja për të cilat kërkohet angazhim maksimal nga institucionet për harmonizimin e plotë të legjislacionit tonë të brendshëm me atë të Bashkimit Europian dhe nxitjen e reformave të nevojshme në të gjitha fushat për të finalizuar sa më shpejtë anëtarësimin tonë në Bashkimin Europian./tvklan.al


Të ngjashme

Read Entire Article