“Ka shumë fakte për këtë politikan”/ Qarri tregon pse Serbia nuk po e dorëzon Milan Radoiçiqin

2 hours ago 26

Ditë më parë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas përfundimit të Samitit të Berlinit ka thënë se Kosova do të insistojë që Serbia ta dorëzojë Millan Radoiçiqin dhe grupin terrorist për sulmin në Banjskë të Zveçanit.

“Ne po presim Komisionin e ri europian që të filloj me dinamikë të re dhe për ketë arsye jemi optimist. Edhe më tej insistojmë që të dorëzohet kryekrimineli Millan Radoiçiq që na e vrau rreshterin Afrim Bunjaku, por edhe grupi i tij paramilitar i terroristëve që tashmë ndodhen në aktakuzën e Prokurorisë së shtetit në Kosovë”, tha kryeministri Kurti.

Por sipas analistit dhe njohësit të zhvillimeve politike, Gani Qarri, presidenti serb, Aleksandër Vuçiq nuk do ta dorëzojë asnjëherë në Kosovë kriminelin, Milan Radoiçiq.

Image

Gani Qarri

"Duke pasur parasysh lidhjet e gjata të Aleksandër Vuçiqit, ish ministrit të informatave në Qeverinë e kasapit Millosheviq, presidentit aktual serb dhe personalitetit të inkriminuar për më tepër se tri dekada në të gjitha ngjarjet tragjike të ish republikave jugosllave, si dhe varësinë e kryeterroristit Millan Radoiçiq, i cili gjithmonë ka vepruar sipas urdhrave nga Beogradi të dërguara enkas nga Vuçiqi, për kohën, vendin dhe mënyrën e veprimit të kryeterroristit Radoiçiq, përfshi edhe agresionin terrorist serb të Banjës së Zveçanit, në veriun e Kosovës, atëbotë ende të pakontrolluar plotësisht nga institucionet e Kosovës, nuk besoj se Vuçiqi guxon ta marrë guximin, që ta dorëzoj fare Millan Radoiçiqin, veçanërisht në Kosovë, ngase kjo do të ishte një lloj vetëvrasje dhe fundi politik edhe i vet Vuçiqit në Serbi", nënvizon analisti Qarri.

Sipas tij, Radoiçiq ka shumë fakte për Vuçiqin, andaj kjo është edhe një arsye pse Vuçiq nuk do ta dorëzojë në Kosovë.

"Radoçiq duket se din aq shumë fakte, lidhur me Vuçiqin, sa që po të dorëzohet ai në Kosovë, edhe pozita e vet Aleksandër Vuçiqit, në Serbi, do të luhatej seriozisht dhe ndoshta ai do të mund të merrej në trajtim nga drejtësia serbe, nëse nuk dalin argumente rënduese të atilla, që edhe ndërkombëtarët të detyrohen të merren me Vuçiqin politikisht e pse jo edhe juridikisht, nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, për bëmat e tij monstruoze, mese tri dekadëshe në politikën gjenocidiale gjithëserbe dhe veçanërisht në veprimet kriminale të ushtrisë e policisë së Serbisë dhe grupeve të ndryshme paramilitare serbe, nga Kroacia e Bosnja, deri te vrasjet masive dhe masakrat gjenocidiale në Srebrenicë të Bosnjës dhe gjithandej në Kosovë", shprehet Qarri.

Por kur mundet që Serbia ta dorëzojë Radoiçiqin në Kosovë?

"Megjithatë, aktualisht, unë nuk shoh jo vetëm kushte, por as presion ndërkombëtar, që Vuçiqi, jo të detyrohet, por ta ndjejë nevojën, për dorëzimin e Radoiçiqit, vetëm me ndryshimin e kryesimit politik të BE-së, dhe marrjen e postit të të parës së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian në Bruksel nga zonja Kaja Kallas, ndoshta do të ndryshojë gjendja dhe fillojë presioni ndërkombëtar, për dorëzimin e Radojçiqit në Kosovë, të cilit Vuçiqi, megjithatë, më me dëshirë do t`ia organizonte një gjykim farsë në Serbi, se sa ta dorëzoj te autoritetet e Republikës së Kosovës, me ç ‘rast do të dilnin në shesh të gjitha planet e Vuçiqit, për gllabërimin e veriut dhe aneksimin me forcë të kësaj pjese të Republikës së Kosovës", përfundon analisti Gani Qarri.

Read Entire Article