6 muaj më shumë për Reformën Zgjedhore

1 year ago 37
Reklamë
17:56 19/09/2023

Kuvendi voton të Enjten zgjatjen e afatit për Komisionin e Posaçëm

Pas 1 viti aspak produktiv, Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore do të ketë dhe 6 muaj kohë për të bërë ndryshimet e nevojshme në Kodin Zgjedhor. Zgjatja e afatit pritet të miratohet nga deputetët në seancën e ditës së enjte.

Në këtë sezon të ri, Komisioni do përballet me ndryshime nga kampi opozitar. PD ka paralajmëruar ndryshimin e bashkëkryetarit, por dhe përbërjen e deputetëve, ndërsa nga PS, Damian Gjiknuri do të vijojë të jetë përfaqësuesi i mazhorancës.

Brenda 6 muajve, dy janë çështjet emergjente të cilat do duhet të marrin zgjidhje: mundësimi i votës së emigrantëve dhe ndryshimi i formulës për renditjen e garuesve në zgjedhjet parlamentare, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të rrëzuar formulën e herësit.

Dita e enjte do të jetë vendimtare edhe për rritjen e pagës së Gjyqtarëve. Në rendin e ditës janë përfshirë për miratim ndryshimet ligjore që e mundësojnë këtë gjë, por që për socialistët nuk pritet të jetë e lehtë.

Miratimi i këtij ligji kërkon një shumicë prej 84 votash, ç’ka detyron PS të shtrijë dorën drejt kampit blu.

Teksa deputetët e Sali Berishës e kanë kundërshtuar, Lulzim Basha ka dalë haptazi i gatshëm për të bashkuar votën me mazhorancën. Por javën që lamë pas garancia e Lulzim Bashës nuk mjaftoi, duke e shtyrë votimin për një moment të dytë.

Seanca e radhës pritet të konfirmojë nëse përfshirja në axhendë e këtyre ndryshimeve ligjore vjen pas një garancie se 84 votat tashmë janë të garantuara.

Klan News


Të ngjashme

Read Entire Article