6 të vdekur nga tërmeti i fortë në Japoni

10 months ago 35
20:40 01/01/2024

Mijëra banorë mbetën pa shtëpi, dëme në infrastrukturë

Japonia uli nivelin e paralajmërimit për cunami pas tërmetit me magnitudë 7.6 në perëndim të vendit.

Lëkundjet e tërmetit lanë pas të paktën 6 viktima dhe shembje ndërtesash në brigjet perëndimore të ishullit kryesor të Japonisë, Honshu. Të paktën 16 shtëpi u dëmtuan nga tërmetet dhe një numër banorësh u bllokuan nën rrënojat e tyre, tha zëdhënësi i qeverisë Yoshimasa Hayashi. Një zjarr shpërtheu në qytetin Wajima dhe mbi 30 mijë banorë mbetën pa energji elektrike, tha ai.

Agjencia Meteorologjike e Japonisë fillimisht lëshoi një paralajmërim të shkallës më të lartë për cunami në zonën e Ishikavës, por më vonë e uli shkallën e paralajmërimit për zonën në fjalë dhe rajone të tjera bregdetare në pjesën perëndimore të Japonisë.

Gjithsesi autoritetet kanë këshilluar qytetarët që të bëjnë kujdes nga paslëkundjet që mund të pasojnë, pasi mund të jenë me rrezik për jetën.

Mijëra njerëz janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre dhe shumë prej tyre po kalojnë natën në qendrat e evakuimit. Personeli ushtarak ka shpërndarë ushqim, ujë dhe batanije. Bilanci i viktimave dhe dëmeve pritet të bëhet pasi të kalojë emergjenca e shpallur në disa rajone.

Klan News


Të ngjashme

Read Entire Article