Irani ka thënë se vrasja e zyrtarit të lartë të Hamasit, Saleh al Arouri të martën në një sulm izraelit me dron në Liban do të ndezë më tej rezistencën kundër Izraelit.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Nasser Kanaani tha se “gjaku i martirit do të ndezë padyshim një valë tjetër në damarët e rezistencës dhe motivimit për të luftuar” kundër Izraelit.
Kanaani dënoi gjithashtu shkeljen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Libanit.
Hamasi ka fajësuar Izraelin për sulmin në Bejrut, ndërsa Agjencia Kombëtare e Lajmeve e Libanit tha se shpërthimi vrau katër persona dhe u krye nga një dron izraelit.
Izraeli nga ana tjetër nuk e ka komentuar vdekjen e al Arourit.
Hezbollahu tha se shpërthimi që vrau zyrtarin e lartë të Hamasit Saleh al Arouri në Bejrut ishte një “sulm serioz ndaj Libanit”.
Grupi militant libanez, i mbështetur nga Irani, shtoi se vdekja e al Arourit është një “zhvillim i rrezikshëm në rrjedhën e luftës”.
Hezbollah shtoi se vrasja “nuk do të kalojë pa përgjigje apo ndëshkim” dhe tha se “boshti i rezistencës” një koalicion i grupeve anti-izraelite dhe antiperëndimore të mbështetur nga Irani.
Al Arouri vdiq sot në një shpërthim në një periferi të kryeqytetit libanez.
Nga ana tjetër, ministri izraelit i Financave, Bezalel Smotrich shkroi në platformat e tij zyrtare të mediave sociale se të gjithë armiqtë e Izraelit do të “shkatërrohen”.
Komenti i tij vjen pasi Hamasi tha të martën se një nga zyrtarët e saj të lartë ishte vrarë në një sulm në Bejrutin jugor.
Saleh Al-Arouri ishte një udhëheqës i shquar politik dhe ushtarak palestinez, të cilin Izraeli e konsideron një nga themeluesit kryesorë të Brigadave Al-Qassam, krahut ushtarak të Hamasit, në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Top Channel