A i bëri Scholz ‘presion’ Vuçiqit? Zbardhen prapaskenat e bisedës mes tyre – ja çfarë pritet të ndodhë me dialogun Kosovë-Serbi!

1 week ago 26
Reklamë

Dialogu Kosovë-Serbi ka ngecur tash e një kohë, derisa në këtë drejtim nuk ka ndonjë përparim eventual.

Pala serbe po refuzon të zbatojë marrëveshjet e arritura me Kosovën, sa që po kritikon qeverinë Kurti kur po merr vendime për zbatimin e tyre.

Vlen të theksohet se, edhe Bashkimi Evropian gjatë gjithë kohës këmbëngul se të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, i cili ka nisur qysh në vitin 2011, duhet të zbatohen.

Marrëveshje të tilla janë me dhjetëra, por shumë pak janë zbatuar.

Së fundi, Qeveria Federale e Gjermanisë përmes një komunikate për media bëri të ditur se kancelari Olaf Scholz ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin serb, Aleksander Vuçiq. Ndër temat e diskutuara ka qenë edhe dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Siç njoftoi qeveria gjermane, kancelari Scholz nënvizoi rëndësinë e dialogut në mes të dy shteteve që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian dhe ka përsëritur përkrahjen e Gjermanisë për procesin.

“Kancelari Federal foli edhe për rëndësinë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe ritheksoi mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë për këtë”, thuhet në njoftim.

Mirëpo, se a është ky sinjal që Gjermania po ushtron presion ndaj Serbisë, treguan analistët me këndvështrimet e tyre.

Shabani: Ky komunikim mes Scholzit dhe Vuçiqit ka gjasa të rrit presionin mbi Serbinë në raport me Kosovën

Image

Amir Shabani

E në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli njohësi i marrëdhënieve diplomatike, Amir Shabani.

Së pari, ai u shpreh se kjo bisedë e Scholz me presidentin serb, mund të rris presionin ndaj Vuçiqit në raport me Kosovën.

Në këtë rast, përmendi edhe Ballkanin e Hapur dhe Procesin e Berlinit.

“Po, ky komunikim mes Scholzit dhe Vuçiqit ka gjasa të rrit presionin mbi Serbinë në raport me Kosovën, pasi që Serbia është ajo që nuk e ka përfillur Procesin e Berlinit dhe e promovoi të dështuarën Open Balkan. Ndërsa, Kosova vazhdimisht ka nxitur në materializimin e Procesit të Berlinit, sidomos me qeverisjen e Kurtit.

Zgjerimi i BE-së është një imperativ gjeopolitik, veçanërisht në lidhje me integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Si pjesë e përgatitjeve për samitin e Procesit të Berlinit në tetor të këtij viti, i dërguari special i Bundestagut gjerman, Manuel Sarrazin po zhvillon sërish takime me liderët në rajon”, nënvizoi ai.

Ndër të tjera, njohësi i marrëdhënieve diplomatike potencoi edhe vizitën e Sarrazin, si dhe angazhimin e Kosovës për Procesin e Berlinit.

Manuel Sarrazin vizitoi Kosovën për t'i kërkuar Albin Kurtit të bëjë kompromis për CEFTA-n, duke u mundësuar liritë kyçe qytetarëve të Kosovës.

Shikuar nga ky aspekt, mendoj se Kosova mbetet plotësisht e angazhuar në Procesin e Berlinit, i cili duhet të jetë një qendër e procesit integrues të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe një platformë që ofron barazi dhe përshpejton anëtarësimin në Bashkimin Evropian për vendet që realisht duan të anëtarësohen, për dallim nga Serbia e cila përveç që shfaq pesimizëm ndaj eurointegrimit, ka gjasa rrezikshmërie të destabilizimit në rajon me mbështetjet e aleatit të saj rus”, përfundoi Amir Shabani për “Bota sot”.

Zogaj; Biseda telefonike e kancelarit Olaf me Vuçiqin nuk besoj se mund të jetë presion

Kurse, publicisti Skender Zogaj tha se diplomacia evropiane po ballafaqohet me disa probleme.

Image

Skender Zogaj

Ai në një bashkëbisedim me “Bota sot” tha se këto shqetësime, BE-së po i vijnë nga disa vende “problematike”.

Diplomacia evropiane është duke u ballafaquar me disa halle jo të vogla, që janë duke u shkaktuar nga disa vende "problematike" të cilat po shkaktojnë shqetësime të dëmshme për veten e tyre, por me ndikim edhe për BE-n, objektivi integrues i së cilës po pengohet për çudi, nga vet shtetet që kanë interes jetik të integrohen”.

Po ashtu, Zogaj tha se tensionet Kosovë-Serbi po tentohen të zgjidhen përmes dialogut, gjë të cilën e konfirmoi edhe Scholz, për të cilin beson se po jep kontribut në këtë çështje.

Tensionet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës janë përcaktuar që të zgjidhen përmes dialogut dhe, këtë qëndrim këto ditë e kanë rikonfirmuar zyrtarët më të lartë evropian, siç është edhe Kancelari gjerman Olaf Scholz, i cili është duke dhënë kontributin e tij për zgjidhjen e problemeve serbo-shqiptare, sepse nga kjo varen edhe raportet bilaterale ndërmjet vendevd të rajonit”, nënvizoi ai.

Në fund, publicisti vlerëson se nuk po bëhet presion ndaj Serbisë së Vuçiqit, por që dialogu duhet të vazhdojë.

Biseda telefonike e Kancelarit Olaf me Aleksandar Vuçiqin nuk besoj se mund të jetë presion, por jam i bindur se është "këshillë" miqësore e Gjermanisë, për dialogun dhe sqarim i pikëpamjeve gjermane rreth zgjidhjes së problemeve në rajon. Dialogu dhe vetëm dialogu po del të jetë qëndrimi gjerman për Serbinë, por kjo kërkesë vlen të kuptohet edhe nga Kosova, që duhet të mos ngurroj, sepse kohë më nuk ka për pritje!” – përmbylli Skender Zogaj për “Bota sot”.

Read Entire Article