A ka demokraci opozita shqiptare?

9 hours ago 24

Nga Shefqet Meko/

Opozita përherë duhet të jetë më demokratike se qeveria, pse nuk bërtasim për këtë?

Në demokracitë e vërteta perëndimore, opozita pas çdo cikli votimi, vështron kritikshëm nga vetja duke afruar ide, vizione dhe plane për të ardhmen. Ajo së pari bën një “vetpastrim” duke braktisur teza, individë dhe ide që nuk e sollën në pushtet dhe rigjenerohet duke kthjelluar vështrimin për të ardhmen e shoqërisë. Opozita e vërtetë në një shoqëri të shëndetshme bëhet një “kundërpeshë” e Partisë në pushtet jo thjesht duke “raportuar” korrupsion e vjedhje, por duke diskutuar me mençuri në parlament rreth çdo aspekti të qeverisjes dhe si Ajo do ishte më e mirë nëse “ne do ishim në pushtet”. Ky në themel është missioni i opozitës duke i rrëfyer votiesve që “Herën Tjetër” kanë një shans dhe mundësi të re për të votuar.

Për fatin shqiptar, opozitat e të gjitha kohëve përherë vajtojnë për “votat e vjedhura” duke harruar se “humbja është shans për fitore”.

Kam ndjekur nga larg debatet në mediumet e vendlindjes sime. Shoh që ka edhe zëra të mençur, ka vështrime moderrne se si Shqipëria mund të bëhet më e mirë, por ka një debat neveritës rreth “dashurisë për opozitën”. Bërtitet në mediat sociale, në Tv, në gazeta, në kafene se “po burgoset opozita”, “po prangosen udhëheqsit”, po vdes demokracia dhe Liria e fjalës dhe nuk mbarojnë të sharat, klithmat dhe vojtimet si vojticat që përshkruan Kadare.

Arrohet debati më fondamental: Sa demokraci ka në opozitën shqiptare?

Pa ndonjë “dashuri” për ata që kanë pushtetin, mendoj se debati më madhor që duhet të bëjë shoqëria shqiptare është “Demokracia në opozitë”. Aty është “foleja” ku projektohet “qeverisja ndryshe”. As që diskutohet që çdo qeveri në pushtet, është një lloj diktature përmes së cilës shumica në pushtet kërkon të realizojë programin e saj elektoral që të fitojë zgjedhjet e tjera, ndaj ajo ka në krye të dikastereve “militantët politikë”.

Në demokraci, së paku për brezin që jetoi “diktaturën e proletariatit”nuk është ferr i shoqërisë nëse një forcë politike “vijon qeverisjen me votë”. Frika është kur opozita bie në “impotencë politike”, duke shuar shpresën e ndryshimit.

Ka shumë britma se “duhet rrotacion”, “duhet ndryshim” që në aktualitetin shqiptar të kujton fjalën e urtë “ Ik o prift të ulet hoxha”.

Dinamizmin e një shoqërie e sjellin idetë, vizionet, mençuritë politike, garat e lira, ardhja e talenteve “pa miq dhe lidhje”. Për fat të keq në këtë plan opozita shqiptare është në venitje të dhimbëshme. Ekranet helmuese televizive sjellin si “emblema” politike vetëm tre njerëz që shumë shqiptarë i lemerisin edhe në ëndërr, jo më në jetën e përditshme.

Opozitës shqiptare i mungon vlera monumentale e demokracisë: Dorëheqja. Për ironi të fatit, ata që duhet të ishin larguar për gjithmonë nga politike janë kthyer në “idhuj opozitarë”. A është e ndershme ky lloj “pushtimi” i opozitës shqiptare? Si mundet të “risjellë” demokracinë një opozitë autoritare? Pse nuk ka guximin e duhur opozita të luftojë “demonët” në gjirin e vet që po i marrin shpirtin duke e përdorur si dikur brezin tim në fundjavë duke e çuar në aksion si “Dita e Enverit”( Sot dita e protestës). Nëse populli ka arritur “valencën” e protestës, nuk ka nevojë të “urdhërojë byroja”, por derdhet në rrugë dhe proteston siç u protestua për “mbetjet Kimike” vite të shkuara.

Pse nuk shihet realiteti në sy? Pse gënjehet vetja me protesta të orkestruara, si dikur me “informacione operative”.

Nëse ata që shihen “simbole” të opozitës u dhimbset demokracia shqiptare, nëse vërtet nuk duan që Shqipëria mos mbetet në autoritarizëm dhe “diktaturë” ( që unë dhe shumë të tjerë, nuk e shohim ende( Mbase miopi), ata duhet të bëhen shembulli i madh i ndryshimit: të dorëhiqen. Të përballen si “dy Vojo Kushë” me drejtësinë duke e lënë në misionin e vet opozitën shqiptare.

Kjo është një “abc” në një shoqëri të së drejtës dhe të barazisë para ligjit. Kur kjo të ndodhi, shoqëria do ndihet e çliruar.Vetë opozita do të “formatohet” e çliruar nga çdo lloj “pushtet njëshi”, sepse nëse nuk ndodh kjo, pra nëse nuk demokratizohet opozita nuk do të mundet kurrë “narkoshteti” siç bërtitet nëpër ballkone.

Është moment i artë politik për opozitën të fillojë demokratizimin e vetes si “antidoti” që të shpëton nga “vdekja politike”.

Pra, kur shohim që ka një shpresë tek një “drejtësi e re” le ta provojmë dhe të shohim rezultatet. Është një shans i madh që opozita të “rilindë” duke ngritur zërin tek ish-SHQUP-i: “Jemi me barazinë para ligjit”

Ky moment mbase vjen. Demokracia e vërtetë fillon nga opozita.

Read Entire Article