A ka ndonjë “prapavijë” debati për hapjen e urës mbi Ibër?! Analistët: Asnjë kompromis me sovranitetin e shtetësisë!

1 month ago 6
Reklamë

Çështja e hapjes së urës së Ibrit edhe pse çështje e politikës së brendshme të Kosovës po del të jetë problem, madje serioz.

Pikërisht, ura ishte tema e cila nxiti kundërshtime mes bashkësisë ndërkombëtare dhe institucioneve vendore.

BE dhe QUNIT-ti u deklaruan kundër hapjes së urës, derisa BE tha se duhet të bisedohet për të në Bruksel.

Edhe, ambasadori amerikan në Kosovë, ka thënë se tani ura nuk duhet të hapet.

“Ne përfaqësuesit e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe, Shtetet e Bashkuara u takuam me kryeministrin Kurti për ta informuar që qeveritë tona në konsultim me NATO-n nuk mund ta mbështesin asnjë ndryshim të statusin aktual të urës së Mitrovicës aktualisht”, tha Hovenier.

Kurse, presidentja Vjosa Osmani, është shprehur kategorikisht kundër, duke thënë se kjo nuk duhet të jetë pjesë e dialogut.

"...një gjë e tillë do të ishte shkelje e rëndë e sovranitetit, integritetit territorial dhe e kushtetutshmërisë në vendin tonë".

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se ura duhet të hapet.

“Andaj ura duhet të hapet. Ajo është në shërbim të të gjithëve, dhe nuk është kundër askujt. Liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit nuk e rrezikojnë paqen dhe sigurinë, përkundrazi”, thuhet në njoftim.

Ahmeti: Vendet e Quint-it me qëndrim kontradiktor, të cilat shpërfaqin njëanshmërinë dhe tendencën për të "kontrolluar" shtetin e Kosovës

Analisti Hidajet Ahmeti në një përgjigje për “Bota sot”, thotë se parimet e BE-së, janë të natyrës liberaliste, madje ai kritikon edhe deklarimin e vendeve të QUINT-it, për të cilin thotë se po dalin kontradiktor me qëndrimet e tyre.

Image

Analisti Hidajet Ahmeti

Sipas tij, hapjes së urës nuk duhet t’i japin kahje të gabuar sepse institucionet e Kosovës po veprojnë brenda kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë.

“Parimet mbi të cilat është ndërtuar BE-ja, por edhe politikat që promovon janë të natyrës liberaliste. Kurse tash kur vendet e Quint-it dalin me qëndrim kontradiktor, të cilat shpërfaqin njëanshmërinë dhe tendencën për të "kontrolluar" shtetin e Kosovës. Nuk duhet të konceptohet gabimisht apo tendencën t'i jepet kahje të gabuar pavarësisë dhe sovranitetit të shtetit, pasi institucionet e Kosovës nuk po veprojnë jashtë kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, thjeshtë po e bëjnë detyrën që ju takon”, thotë ai.

Tutje, Ahmeti nënvizon se Kosova duhet të veprojë për të larguar çdo pengesë që pengon lirinë e lëvizjes, bashkëpunimin edhe nëse ndërkombëtarët janë kundër.

“Mendoj se Kosova duhet të veprojë për të larguar çdo pengesë që pengon lirinë e lëvizjes, bashkëpunimin, edhe nëse ndërkombëtarët nuk pajtohen, pasi ky veprim është në të mirën e të gjitha komuniteteve.

Institucionet e Kosovës duhet të punojnë në vazhdimësi për të mirën e të gjitha komuniteteve, por asnjë kompromis me sovranitetin e shtetësisë, pasi Kosova është shtet i pavarur e me legjitimitet ndërkombëtar”, thekson Ahmeti.

Hoxha: Ura dhe ajo vijë ndarëse është lënë me qëllim pjesë e ngrirë

Image

Ish-ushtaraku Hafir Hoxha

Ish-ushtaraku Hafir Hoxha në një përgjigje për “Bota sot”, vë fokusin te ndarja e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, që sipas tij, e gjitha kjo po bëhet për këtë qëllim, duke thënë se qëllimisht atë pjesë të veriut e kanë lënë në këtë mënyrë që të jetë pjesë e kompromisit final mes Kosovës dhe Serbisë.

“Këtë urë, dhe tërë vijën që e ndan pjesën veriore të Kosovës ku FSK nuk mundet të kryen detyrat e saj pa miratimin e forcave të NATO-s dhe ku aty kurrë nuk është shtri tërësisht funksionalizimi i shtetit të Kosovës e kam thënë vitin 2000, edhe më vonë dhe rregullisht do ta them dhe është e kuptueshme që ajo pjesë e Kosovës është lënë me qëllim pjesë e ngrirë (as e Kosovës e as e Serbisë) ku është llogarit nga këta që tani po thonë se ura nuk duhet të hapet pra këta me pas dashtë ajo urë kurrë nuk ish mbyllë e as në veri kurrë nuk do t’i kishim pas problemet që i kemi!

Pra, ata me qëllim e kanë aneksuar veriun e Kosovës që të jetë pjesë e kompromisit final mes Kosovës dhe Serbisë dhe se do t’i jepet Serbisë si shpërblim po të pranonte Serbia pavarësinë e Kosovës pa veriun, do të hynte në BE dhe pjesë e NATO-s  

Këtë Serbia ende nuk është gati ta bëjë, bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë gati që patën marrë një kahje me angazhimin e Eskobarit ku ai me Vuqiçin arriti t’i afron idetë por Hashim Thaçi u dobësua në Kosovë, kundër ishin LDK, AAK, dhe VV, Eskobar shkoj i kërkoj ndihmë Edi Ramës që t’i ndihmojë Hashim Thaçit në këtë ide, por Thaçi e humbi pushtetin, i dolën problemet tjera në Hagë dhe kjo punë nuk përfundoi.

Tani nëse Hashim Thaçi lirohet i pafajshëm dhe si (Hero) rikthehet në politikën kosovare atëherë me siguri detyrë kryesore do ta ketë këtë çështjen, pra demarkacionin, rishqyrtimin e kufirit në Serbinë rregullisht me garancion që Serbia të larghohet nga ndikimi rus dhe të bëhet anëtare e BE dhe NATO-s.

Në Serbi dhe Kosovë këta që janë kundër hapjes së urës dëshirojnë të kenë lider zë fuqishëm ani pse pak si diktatorë por të jenë të dëgjueshëm për ta e nëse në Serbi e bëjnë ose e lënë Vuçiqin tani në Kosovë ata dëshirojnë të kenë një lider që është i fortë dhe i dëgjueshëm që guxojnë dytë me i hy kësaj teme, pra me i shkëmbye territoret”, shpjegon ish-ushtaraku.

Tutje, Hoxha thotë se bisedimet, sulmi në Banjskë, thotë se janë të menaxhuara nga këta zotërinjtë që duan t’i detyrojnë palët që të arrijnë një marrëveshje.

Ai përmend vitet 1998/99 kohën e Milosheviqit dhe Franjo Tugjmanit, për të cilët thotë se SHBA i kishte diktator të dëgjueshëm.

“Prandaj këto bisedime që bëhen, sulmet si në Banjskë etj, janë krejt të planifikuara dhe zë menaxhues nga këta zotërinjtë që t’i detyrojnë dy palët në marrëveshje finale me njohje dy palëshe, por kjo bëhet kur Serbia do të jetë gati! E kur do të jetë nuk dihet. për momentin pa u pa si po mbyllet lufta mes Rusisë dhe Ukrainës!

Se është dhe do të jetë kështu dëshmojnë faktet që këta aleatë kurrë nuk lejuan as nuk ndihmuan Kosovën të ketë atë pjesë në integritet të plotë të pushtetit, po ashtu nuk e ndaluan kurrë ndikimin e Serbisë në atë pjesë, pra në veri të Kosovës duke protestuar në hapat që po i bën Qeveria aktuale atje që e hoqi dinarin ishin dhe janë kundër, pranuan pasaportat serbe për veriun e Kosovës dhe nëse nuk bëhet kjo marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë për ndryshim të kufijve në marrëveshje, Nëse Serbia pranon të hyjë në BE dhe të bëhet pjesë e NATO-s pa marrë parasysh si reagojmë ne kosovarët ata do ta lejonin edhe me ushtri të hyjnë forcat serbe deri aty ku këta e kanë rezervuar për Serbinë dhe ne do të vihemi para aktit të kryer.

Edhe këtë: vitin 1998/99 SHBA po mos ta kishin Milosheviqin dhe Franjo Tugjmanin si diktatorë por të dëgjueshëm për ta Jugosllavia ende do të ekzistonte, por për fat të mirë Milosheviqi i dëgjueshëm ja mbushën mendjen se duhet me bë Serbinë e Madhe, ky dhe filloi projektit, Tugjmani në anën tjetër punoi për Kroacinë dhe u krijuan kushtet m’ u shpartallua Jugosllavia dhe në fund 1999 edhe me ndërhy NATO për të bërë këtë që është bërë deri më sot por Serbia që ende ka mbet pa hy në binarë me ish republikat tjera Jugosllave, por as kësaj nuk i shkon gjatë, e diktator të dëgjueshëm ende u duhet këtyre që i bëjnë politikat në Ballkan! Por jo të jenë fort të mençur….”, përfundon ai.

Read Entire Article