A ka rënë opozita në “gracë” për zgjedhje, ja si përgjigjet Pal Lekaj: PDK nuk ka bërë mirë...

4 months ago 6

Sot ka qenë afati i fundit për shpërbërjen e Kuvendit, sipas Partisë Demokratike e Kosovës dhe pastaj do të hapet rruga për zgjedhjet e reja.

PDK insistonte në zgjedhje të reja përmes shpërbërjes së kuvendit, ndërsa LDK e AAK insistojnë në dorëheqjen e kryeministrit Kuti.

Meqenëse duket se nuk do të ketë marrëveshje për këtë, shpërndarja e Kuvendit me shumë gjasa nuk do të ndodhë.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri tha të hënën se kishin mbetur vetëm edhe dy ditë që të gjendej një dakordim në mënyrë që zgjedhjet të mbaheshin më 30 qershor apo 7 korrik, dy datat e propozuara nga partia më e madhe opozitare.

“Sa i përket shpërndarjes së Kuvendit, kanë mbetur edhe dy ditë realisht që vendit tonë t’i mundësohet që zgjedhjet të mbahen më 30 qershor apo 7 korrik. Pa dyshim që këto dy ditët e ardhshme do t’i japin një epilog kësaj çështjeje”, tha Tahiri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, duke paralajmëruar se do të presin dhe do të insistojnë “deri në momentin e fundit” që vendi të shkojë në zgjedhje para kohe dhe në vjeshtë të ketë “një qeveri të re, me një kryeministër të ri”.

Ai tha se vendimtare për këtë do të ishin dita e martë dhe dita e mërkurë.

“Në rast se edhe këto dy ditë nuk kemi një dakordim që më së largu ditën e enjte, më 30 maj, të shpërndahet Kuvendi, atëherë normalisht që ky opsion tashmë bjen dhe Qeveria do ta përfundojë mandatin dhe po ashtu edhe Kuvendi do ta përfundojë mandatin e vet kushtetues të rregullt dhe zgjedhjet do t’i kemi në periudhën mes 20 janarit dhe 20 shkurtit të vitit të ardhshëm”, deklaroi Tahiri.

Data tashmë është duke përfunduar dhe asgjë e re në front nuk ka, prandaj lind pyetja nëse opozita ka rënë në “grackën” e Kurtit për ta larguar vëmendjen nga mos përfshirja në agjendë kërkesa për anëtarësimin e Kosovës në KIE.

Për këtë ka folur edhe deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, i cili thotë se kërkesa për zgjedhje në shpërbërjen e kuvendit është një lojë dhe mos korrektësi morale e politike.

Sipas tij, kryeministri Kurti e ka bërë Kosovën kaos dhe pastaj vjedhurazi dëshiron të largohet nga pushteti.

“Kërkesa për zgjedhje në formën që Kuvendi të shpërbëhet është një lojë dhe mos korrektësi morale e politike e Qeverisë Kurti ndaj Qytetarëve të Kosovës dhe Spektrit Politikë. Ikja nga përgjegjësia për temat si Dinari, mos anëtarësimi i Kosovës në KiE, Asociacioni i Serbëve, Prishja e Raporteve me Ndërkombëtarët, Zgjedhjet në veri, e shumë dështime të tjera që ndikuan negativisht në mirëqenien e qytetarëve dhe shtetit të Kosovës, janë arsyet pse Qeveria Kurti dëshiron të shkojë në zgjedhje me shpërbërjen e Kuvendit. Kjo nuk është e drejtë sepse Kryeministri e bëri Kosovën kaos dhe pastaj vjedhurazi po don të largohet nga pushteti. Prandaj ideja e AAK-së ishte që Qeveria Kurti duhet të japë dorëheqje nga dështimet e njëpasnjëshme në mandatin e tyre, dhe jo si proces normal i shkuarjes në zgjedhje”, shprehet Lekaj.

Më 13 maj, Abelard Tahiri i PDK-së së bashku me shefin e tij të partisë, kryetarin Memli Krasniqi, ishin në një darkë me kryeministrin Albin Kurti dhe shefen e grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari, ku u pajtuan se si të shkojnë në zgjedhje para kohe.

Krasniqi kishte kërkuar “hapësirë për t’i konkretizuar hapat në ditët në vijim” për të shkuar para kohe në zgjedhjet parlamentare, pas darkës me Kurtin. Të dy u pajtuan për opsionin e shpërndarjes së Kuvendit, ndërsa kryetari i PDK-së tha se “është e domosdoshme që kjo të bëhet brenda muajit maj, sepse jashtë muajit maj, nuk ka më kuptim”.

“Në momentin që kalojmë pastaj në faza të mëvonshme, nuk mendoj që duhet.. Ka kuptim zgjedhjet e parakohshme në një periudhë që është 7-8 muaj para zgjedhjeve të rregullta, 3 muaj, 4 muaj para zgjedhjeve të rregullta s’ka asnjë kuptim”, deklaroi Krasniqi pas takimit.

Ai u shpreh se “zgjedhjet janë nevojë e vendit, janë domosdoshmëri”, ndërsa shtoi se diskutimet me Kurtin për këtë “duhet të kemi hapësirë për t’i konkretizuar me hapa në ditët në vijim”. Tha se shpresonte për “dakordësim edhe me partitë tjera parlamentare opozitare dhe ato të pozitës”.

PDK nuk ka vepruar mirë me afrimin ndaj pushtetit, ka deklaruar Lekaj, gjersa ka shtuar se ka forma të tjera që mund të rrëzohet kjo qeveri.

“Kosova nuk është në pozitë të mirë të funksionimit, prandaj Qeveria duhet të marrë përgjegjësinë dhe pastaj të shkojmë në zgjedhje. PDK nuk ka vepruar mirë me afrimin ndaj pushtetit, sepse ka forma të tjera që mund dhe duhet të rrëzohet kjo Qeveri. E udhës është bashkërendimi opozitar për zgjedhje të reja, dhe pastaj secili është i lirë për afrim e koalicione partiake para dhe pas zgjedhore”, pohon Lekaj.

Nëse Kuvendi do të shpërndahej, presidentja Vjosa Osmani brenda 10 ditësh do të duhej ta shpallte datën e re të zgjedhjeve. Zgjedhjet e parakohshme nuk do të mund të mbaheshin më herët se 30 ditë dhe me vonë se 45 ditë pas shpërndarjes së Kuvendit.

Osmani para pak muajsh e pati shprehur gatishmërinë që të diskutonte me partitë politike për zgjedhjet, në qoftë se ato do të pajtoheshin për këtë.

Ka disa muaj që partitë politike e kanë rritur angazhimin për t’u mobilizuar për zgjedhje të reja.

Nëse nuk do të ketë dakordim për këtë çështje, zgjedhjet e rregullta parlamentare do të mbahen në fillim të vitit 2025.

Read Entire Article