A negocioi KFOR me terroristët serbë? Pikëpyetje dhe paqartësi të mëdha – ekspertët hedhin dyshimet e tyre mbi sulmin terrorist në Banjskë!

4 months ago 14

Së fundi, organizata joqeveritare “International Crisis Group”, e cila ka mision parandalimin e konflikteve në botë është cituar për një raport lidhur me sulmin në Banjskë në komisionin për mbrojtje e siguri në Asamblenë e Përgjithshme të NATO-s.

Aty u tha se në raportin e ICG-së është përmendur se KFOR ka negociuar për tërheqjen e e paramilitarëve serbë nga Banjska.

Në raport thuhej se kanë qenë paqeruajtësit e NATO-s ata që kanë zbuluar lëvizje të pazakonshme pranë Banjskës, një fshat në komunën e Zveçanit, dhe njoftuan policinë e Kosovës. Pas daljes në vendngjarje të policsë sulmi sipas raportit nisi dhe një polic u vra e u lënduan disa të tjerë.

E tërheqja e paramilitarëve serbë që ishin pozicionuar në Manastirin e Banjskës sipas ICG-së u bë me negocimin e KFOR-it.

“Nga frika e një gjakderdhjeje, KFOR-i negocioi tërheqjen e grupit në pyjet përreth, nga të cilat ata u shkrinë. Kosova beson se deri në 200 luftëtarë të tjerë ishin fshehur në atë kohë në pyllin e dendur midis Banjskës dhe kufirit serb”, thuhet në këtë raport.

Ky raportim mbi këto negocime nxiti reagime të forta, ku në shumë prej tyre u kritikua KFOR-i.

E për këtë arsye reagoi edhe KFOR, ku hodhi poshtë pretendimet e raportit të Grupit Ndërkombëtar të Krizave se misioni paqeruajtës i NATO-s negocioi për tërheqjen e një pjese të grupit të sulmuesve të armatosur serbë në Banjskë më 24 shtator të vitit të kaluar, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Përmes një deklarate, KFOR-i thotë se ky pretendim është i pasaktë.

“Grupi Ndërkombëtar i Krizave së fundmi publikoi një raport të titulluar “Kosova e Veriut: Pohimi i sovranitetit mes besnikërisë së ndarë”. Në rrëfimin e tij për dhunën që ndodhi në Banjskë në shtator 2023, raporti thotë se: “Duke pasur frikë nga një gjakderdhje, KFOR-i negocioi tërheqjen e grupit [luftëtarëve serbë] në pyjet përreth, nga të cilat ata u shkrinë”. Kjo është e pasaktë. Në asnjë moment KFOR-i nuk ishte i përfshirë në negociatat e supozuara”, thuhet në deklaratë.

E të dhënat e raportit mbi zhvillimet në Banjskë i komentuan njohësit e çështjeve të sigurisë.

Halimi: Kosova duhet krahas përgjegjësisë nga Serbia, ta kërkojë edhe nga ndërkombëtarët!

Fillimisht, për këtë temë, në një bashkëbisedim me “Bota sot” foli Armend Halimi nga Instituti për Studime të Sigurisë ISS.

Ai ishte i ashpër në komentin e tij, derisa ngriti disa dyshime dhe pikëpyetje.

Image

Armend Halimi nga Instituti për Studime të Sigurisë ISS.

Ndër të tjera, Halimi pyeti se si arritën të futen çindra terroristë nga Serbia në Kosovë, kur KFOR-i ka përgjegjësi sigurinë e terrorit të shtetit tonë.

"Nëse bazohemi në vetë raportin zyrtar të NATO-së, ku thuhet se KFOR-i ka ndihmuar (negociuar) evakuimin e terroristëve nga Bansjka, kemi të drejtë të ngritim këto dyshime:

-Gjersa KFOR-i ka përgjegjësi sigurinë apo mbrojtjen territoriale të Kosovës, si arritën të futen qindra terroristë apo agresorë nga Serbia në Kosovë (shumica prej tyre u tha se ishin nga Serbia), si dhe dhjetëra mjete, në mesin e tyre blinda ushtarake?!;

-Gjersa nuk besohet se deportohet pa u vërejtur nga KFOR-i, a mos ka qenë krejt ky plan (i hershëm për çka edhe vendorët e pushtetshëm patën nisur të flasin, si dhe me bekimin ndërkombëtar, që pas sulmeve të parapara, veriu të merr karakter të zonës së konfliktit, me ç ‘rast do ishte ‘imponuar’ të hyn në mes faktori ndërkombëtar, për të kaluar pastaj gradualisht si një zonë autonome ‘e imponuar’ serbe (model i Republika Serbska)?!;

-Kosova duhet krahas përgjegjësisë nga Serbia, ta kërkojë edhe nga ndërkombëtarët!

-Policia e Republikës së Kosovës me këtë rast dëshmoj se meriton trajtimin maksimal ta marr nga shteti, ngase falë saj dështoj ndarja e Kosovës (sikur mos të ishte rënë heroi Afrim Bunjaku, sot me siguri situata do të ishte shumë problematike dhe e pariparueshëm në çdo aspekt)” – përfundoi Armend Halimi në prononcimin e tij për “Bota sot”.

Hoxha: Veriu i Kosovës është pezulluar

Ndërsa, ish-ushtaraku Hafir Hoxha tha se kishe parashikuar një gjë të tillë me të ndodhur sulmi në Banjskë.

Image

Hafir Hoxha

Kjo pasi, sipas tij ishte e pamundur të lëviznin aq shumë automjete me mbishkrime të NATO-s dhe KFOR-i të mos ishte në dijeni.

“Tani nuk po dëshiroj dhe nuk kam kohë të ju kthej në deklaratat e mia të mëhershme në lidhje me ngjarjen në Banjskë, por shkurt po ua them që ditën e nesërme (pas sulmit) kam deklaruar në gazetën tuaj dhe pastaj pas një jave e më shumë analistët kanë arritur të bien në fjalët e mia se ky skenar ishte në realitet një skenar, ku KFOR-i ka bërë pjesë në të.

Është plotësisht e pamundur një lëvizje e tillë me ato automjete dhe me ato mbishkrime të NATO-s të lëvizin në Kosovë dhe forcat e KFOR-it mos ta dinin se cila patrullë është në pyetje!”- nënvizoi ai.

Hoxha në një bashkëbisedim me “Bota sot” potencoi se situata në veri është e ‘ngrirë’, derisa tha se ndërkombëtarët do ta shpërblejnë Serbinë me veriun nëse pranon të bëhet pjesë e NATO-s e BE-së.

Mirëpo, ai vuri në theks lidhjen e Serbisë me Rusinë dhe pritshmërit e saj për luftën në Ukrainë.

“Veriu i Kosovës është pezulluar, është ngri ose të them më troç është rezervuar për Serbinë që të joshet si lloj karote dhe në fund të shpërblehet me të pasi të pranoj që të bëhet pjesë e NATO-s dhe e BE-së!

Pasi nuk u anëtarësua Serbia menjëherë pas bombardimeve të NATO-s (1999), logjike që u dashur kohë që populli serb, Serbia të pranojnë diçka të tillë.

Që nga ajo kohë, Serbinë e kanë udhëhequr politikanë nacionalistë dhe shovinistë të së njëjtës shkollë politike si të Millosheviqit. Nuk janë penduar aspak për krimet e bëra nga ta në ish Jugosllavi dhe politika globale ka pasur ndryshime në favor të Serbisë.

Tani Serbia vetëm bën politikë për të mbajtur disa relacione manovruese me ta por pret rezultatin final mes Rusisë dhe Ukrainës, ku nëse fiton shteti rus, atëherë me siguri në të njëjtën mënyrë edhe Serbia do të veprojë në veri të Kosovës”, theksoi Hoxha.

Në fund, ish-ushtaraku se Serbia nuk mund ta provokojë ushtarakisht Kosovën, pa mbështetje të Rusisë dhe Kinës.

Ai tha se shteti serb mund ta ketë ndihmën e BE-së dhe NATO-s nëse bëhet pjesë e tyre, nëse jo NATO mund të planifikojë ta çarmatosë atë.

“Pra rregullisht provokimet ushtarake të Serbisë, pa mbështetje të sigurta për fitore të Rusisë dhe Kinës, nuk mund të ketë ndaj Kosovës.

Kurse, ndihmën e BE dhe NATO-s, SHBA-së mund të ketë Serbia nëse pranon dhe garanton të bëhet pjesë e tyre ose nëse nuk pranon kurrsesi dhe NATO-s i konvenon që edhe një herë me çarmatos Serbinë.

Pra, Serbia në mënyrë paqësore po të hiqte dorë nga Rusia dhe të bëhet pjesë e NATO-s dhe BE-së, ajo do të fitonte pjesën veriore të Kosovës me rishqyrtim të kufirit. Por, një gjë të tillë nuk guxon ta bëjë Rusia e as nga radikalët e tyre, pasi ende nuk kanë një qeveri të fuqishme që do ta bënte këtë gjest!

SHBA, kanë investuar në Vuçiqin, që të jetë absolut i fuqishëm, por edhe i dëgjueshëm për ta dhe të veprojë, por në momente të caktuara po ndalet dhe nuk po guxon t’i bëjë ato veprime!” – përmbylli Hafir Hoxha për “Bota sot”.

Read Entire Article