A po i merr SHBA “frenat” e dialogut Kosovë-Serbi? Vjen parashikimi i fuqishëm: Ja çka ndodhë nëse fiton Trump!

2 hours ago 23

Dialogu Kosovë-Serbia tash e sa kohë është një nga çështjet më të diskutuara në vend, dhe jo vetëm.

Thuajse, gjithë zyrtarët e lartë ndërkombëtarë, kur zhvillojnë vizita në Kosovë apo takime me liderët tanë, s’ka se si të shmangen kërkesat apo këshillat, në lidhje me negociatat me Serbinë.

Mirëpo, ajo që dihet është fakti se nuk po arrihet një marrëveshje finale mes dy palëve, apo më mirë të themi se gjërat janë larg që të ndodhë një gjë e tillë.

Pavarësisht se Bashkimi Evropian, thuhet se ka shtuar përpjekjet e tij për biseduar dhe bindur palët për zbatimin e marrëveshjeve, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Mund të themi, se dialogu ka stagnuar dhe se nuk ka asnjë zhvillim apo progres në ndonjë aspekt apo marrëveshje.

Gjithashtu, përveç BE-së, edhe SHBA është treguar mjaft e zëshme kur vjen puna te dialogu, ndonëse nuk është e përfshirë direkt në këtë proces.

Madje, së fundi ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, qëndroi në Prishtinë dhe Beograd. Qëllimi - nxitja e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

O'Brien tha në Prishtinë se SHBA-ja pret nga Kosova që projekt statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe ta dërgojë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese. Sipas tij, ky mekanizëm nuk krijon një qeverisje të re apo një shtresë tjetër të pushtetit paralel. Por është një mekanizëm për koordinim siç është në disa vende të Evropës.

Krahas kësaj, zyrtari i lartë amerikan komentoi edhe procesin e dialogut, duke nënkuptuar se SHBA është shumë e përfshirë në mënyrë të tërthortë në këto bisedime.

"Bashkimi Evropian do të ketë një komisioner të ri, pra personel të ri, i cili do të mbikëqyrë procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Edhe në SHBA kemi zgjedhje dhe e dimë që do të kemi edhe aty një tranzicion”, tha O'Brien.

Zyrtari i lartë amerikan i cili ditë më parë vizitoi edhe Serbinë, tha se SHBA-ja "dëshiron që Kosova dhe Serbia t'i zbatojnë plotësisht zotimet e marra me marrëveshjen e një viti më parë”.

Duke parë, këtë përfshirje nga ‘larg’ të SHBA-së, a mund të themi se kjo shenjë po tregon se ka ardhur momenti që kjo e fundit zyrtarisht ta ketë një emisar në kuadër të dialogut!

A do kishte SHBA ‘fuqinë’ që po i mungon BE-së, për t’i shtyrë palët drejt një marrëveshje finale?

Koci: Përmbajtja e planit të ri eventual të Donald Trump mund të sjellë befasi të mëdha

Kurse, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, ish-kryeredaktori i Radio Evropa e Lirë, z. Melazim Koci foli për përfshirjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialogun Kosovë-Serbi dhe deklaratat e fundit të O’Brien në lidhje me këtë çështje.

Image

Melazim Koci

Si fillim, Koci e cilësoi si iluzion kërkesën që qeveria Kurti ta dërgojë në Kushtetuese, draftin e Asociacionit, para zgjedhjeve të reja parlamentare.

Vizita dhe deklarimet e zotit O'Brien ishin kurtuazi diplomatike dhe përpjekje për të ruajtur status quon në raportet Kosovë-Serbi. Zoti O'Brien e di shumë mirë se avancim dhe jetësim të Marrëveshjes Franko - Gjermane nuk mund të ketë deri në përfundim të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë. Është iluzore të pritet që Qeveria e Kosovës të dërgoj draftin e Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese para 9 shkurtit. Rrjedhimisht nuk mund të pritet asnjë zhvillim që do të avanconte çështjet rreth Marrëveshjes Franko - Gjermane deri pas zgjedhjeve”.

Po ashtu, Koci potencoi se e rëndësishme për negociatat mes dy palëve, janë zgjedhjet presidenciale në SHBA, ku tha se në rast se fiton Harris marrëveshja franko-gjermane jetësohet, derisa tha se në rast se Trump fiton, atëherë kjo marrëveshje nuk mbijeton.

Ai përmendi edhe një plan të Trump, që do mund ta bëjë SHBA-në prijëse të dialogut.

Por, ajo që tash është shumë e rëndësishme është epilogu i zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara. Fitorja eventuale e kandidates demokrate Kamala Harris do të bënte që Marrëveshja FGJ të mbetet në fuqi dhe të bëhen përpjekje nga Uashingtoni dhe Brukseli që ajo të jetësohet. Por, nëse garën zgjedhore do ta fitojë ish - presidenti Trump, kjo marrëveshje nuk besoj se do të mbijetojë. Supozoj se Donald Trump dhe ekipi i tij pas një kohë do të dalin me një plan tjetër që nuk do të jetë i harmonizuar dhe koordinuar me Bashkimin Evropian.

Kjo do të bënte që SHBA të marrë rolin prijës në dialogun Kosovë-Serbi”, nënvizoi ai.

Ndër të tjera, parashikoi edhe befasi tjera, ku paralajmëroi se nëse fiton Trump, roli i SHBA-së në dialogun Kosove - Serbi do të jetë shumë më i madh

Përmbajtja e planit të ri eventual të Donald Trump mund të sjellë befasi të mëdha, sepse ish këshilltari për siguri nacionale John Bolton këto ditë deklaroi se nuk duhet përjashtuar as rikthimin e idesë për këmbimin e territoreve.

Sidoqoftë, gjitha këto tani janë vetëm spekulime dhe shumë çka do të varret edhe nga epilogu i luftës në Ukrainë. Por, një është e sigurt: me kthimin eventual të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, roli i SHBA-së në dialogun Kosove - Serbi do të jetë shumë më i madh dhe nuk duhet përjashtuar mundësinë që ata të marrin rolin prijës!” – përfundoi Melazim Koci për “Bota sot”.

Zogaj: SHBA po përfshihet gjithnjë e më shumë në mënyrë jo vetëm indirekte, në dialogun Kosovë-Serbi

Image

Skënder Zogaj

Ndërsa, publicisti Skënder Zogaj e vlerësoi vizitën e O’Brien në Kosovë, ku mes tjerash tha se kjo e konfirmoi interesimin e SHBA-së për dialogun me Serbinë.

Vizita në Prishtinë e Ndihmës sekretarit amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euro Azinë, James O’Brien, është shenjë e vlefshme dhe e dobishme për Kosovën, sepse, tregon interesimin e SHBA-së për rajonin, dhe angazhimin për sanimin e gjendjes me zgjidhje përfundimtare, në kuadër të bisedimeve Kosovë-Serbi, që dy vendet i kanë miratuar dhe ka vite që i zhvillojnë, por pa suksesin e dëshiruar dhe të pritshëm!”

Zogaj në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” konsideroi se vizitat e shpeshta nga zyrtarë të lartë amerikan po konfirmojnë faktin se SHBA po përfshihet gjithnjë e më shumë në bisedimet e Kosovës me Serbinë.

“Prandaj, kjo vizitë e verifikoi edhe një herë dëshirën amerikane që Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë zotimet e dhëna në marrëveshjet e Brukselit dhe të Ohrit.

Kjo është kërkesa decidive e cila nuk lë hapësirë për kurrfarë komenti tjetër!

E dyta: vizitat e këtilla kanë qenë të shpeshta edhe para kësaj dhe, të gjitha e kanë qenë të prera dhe mjaft miqësore, gjë që tregon se, SHBA po përfshihet gjithnjë e më shumë në mënyrë jo vetëm indirekte, por tashmë është e përfshirë në dialogun Kosovë-Serbi!”, potencoi publicisti.

Në fund, ai kërkoi nga Kosova që të koordinohet dhe bashkëpunojë me SHBA-në për hapat e mëtutjeshëm në kuadër të dialogut me Serbinë.

Serbia, sa po shoh unë, i ka pallu veshët dhe, po përpiqet të luaj rolin e viktimës, duke e drejtuar   gishtin e fajit kah Kosova, prandaj, i mbetet politikës kosovare që të analizojë "hallet" e veta dhe të përcaktojë veprimet konkrete, që të bashkëveprojë me partnerët ndërkombëtar, e veçmas dhe enkas me SHBA-të, dhe të bëjë hapa konkret drejtë një marrëveshje finale, e cila është jetike për Kosovën! Veprimi nuk është e lehtë, sepse jemi të vonuar, por vonesa e mëtutjeshme është me pasoja të pariparueshme! Kemi ardhur në momentin kur nuk mund të zgjedhim, por duhet të marrim atë që është në sofër, sepse, karota soset dhe pason thupra!” – përmbylli Skënder Zogaj për “Bota sot”.

Read Entire Article