Si i kaloi Ilir Meta 48 orë në qeli! Rrobat dhe ushqimin e kërkoi nga jashtë, brenda donte palestër

2 hours ago 160

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka dy ditë në qelinë e paraburgimit tek “313”. Edhe pse në qeli, Meta ka vëmendjen e të gjithë gazetarëve, avokatit të tij apo dhe kolegëve që japin detaje lidhur me mënyrën sesi Meta po e përballon izolimin brenda katër mureve.

Në “Breaking”, gazetarja Anila Hoxha ka dhënë detaje lidhur me atë që po ndodh tek “313”. Ajo tha se Meta është mirë nga gjendja psikologjike, por edhe shëndetësore, madje ka bërë edhe kërkesat e para. Sipas saj, rrobat dhe ushqimi i kanë ardhur nga jashtë, ndërkohë që nga gardianët e burgut ka kërkuar vetëm një ambient ku të ushtrohej dhe të bënte palestër.

“Ilir Meta është dërguar në sektorin B, ka kaluar fazën e observimit ku është mbajtur nën kontroll. Është mbajtur nën kontroll nga psikologët dhe mjekët, më pas ka marrë statusin e të paraburgosurit. Është pyetur nëse ka problematika me persona të tjerë që janë të paraburgosur. Sot është kaluar në sektorin B. Në këtë sektor mbahen të dyshuar që janë ish-zyrtarë për korrupsion dhe vepra të ngjashme. Meta është vendosur që të qëndrojë i vetëm në qeli. Në qeli ai është vetëm. Siç më bëjmë me dije burime, zoti Ilir Meta ka kërkuar ambient për aktivitet sportiv, ka kërkuar nëse ka palestër apo një vend ku të merrej me sport. Zoti Meta nuk vuan nga asnjë problem shëndetësor, edhe gjendja psikologjike është e qetë. Ka një ambient për palestër tashmë dhe ka një ambient për ajrosje. Ditën e djeshme, në qelinë që e kanë akomoduar i kanë instaluar edhe një TV, janë pranuar edhe veshje nga jashtë që ia kanë dërguar familjarët e tij. Janë pranuar edhe produkte ushqimore. Nuk e ka konsumuar ushqimin e burgut. Ka marrë ushqim nga jashtë që më së shumti ndodh edhe në burgjet e tjera. Në orët e para të arrestimit të tij, Meta ka qenë i nervozuar dhe madje ka akuzuar edhe forcat e Policisë për mënyrën sesi është arrestuar,”- tha gazetarja.

Po ashtu, detaje kanë dhënë edhe zyrtarë të tjerë të Partisë së Lirisë. Sekretari për Çështjet Ekonomike e Financiare i Partisë së Lirisë, Petraq Milo në një lidhje me “Skype” me emisionin Quo Vadis hodhi poshtë pretendimet se Meta është shfaqur agresiv në burg.

“Ka takime të rregullta me personat që e takojnë. Po e ndihmojnë me gjërat personale. Të paktën nga ato që thotë zoti Blushi, është në gjendje shumë të mrië, nuk ka absolutisht asnjë gjë. Për mua në gjykimin tim ka një qendrueshmëri. E gjitha kjo që thuhet për të se nuk është në gjendje të qëndrueshme është politike për të, nuk ka asnjë lloj shenje të tillë,”-tha Milo në fjalën e tij.

Ndërsa njeriu më i afër për të, Tedi Blushi gjithashtu e ka përmendur sot gjatë protestës që opozita zhvilloi para godinës së Bashkisë së Tiranës. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi pretendon se në burg janë futur persona me një qëllim: të provokojnë Ilir Metën! Po ashtu, i bëri edhe një përshëndetje nga ekrani, duke i treguar protestuesëve të tjerë se tashmë Meta mund t’i ndiqte live nga qelia e paraburgimit.

“Një përshëndetje për Presidentin e PL që po na ndjek. Rrëmbimi i presidentit nga kjo bandë terroriste nuk është gje tjetër veçse kapitullim pa kushte i reformës në drejtësi. Është e qartë që arrestimet politike i udhëron Edi Rama. Është e qartë që burgosja politike e Presidentit të PL, e liderit të PD është bërë pa fakte, pa prova dhe pa dëshmi. Madje më e rëndë akoma, edhe më ironik është fakti që këto akuza janë ngritur mbi krime që ka bërë vetë Edi Rama. Vijat e kuqe janë kaluar dhe është koha e aksionit. Është koha të organizohemi më shumë se kurrë. I bëj thirrje këtyre horrave që i kanë futur në burg për të provokuar Ilir Metën. Mos na provokoni tju japim një përgjigje si shqiptar. Dhe ju e dini përgjigjen që i japin armiqve të këtij vendi,”-tha Blushi.

Pranë Metës, deri më tani ka qenë avokati i tij, Genc Gjokutaj, por edhe i biri Besar Meta. Ndërkohë që ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi e ka parë vetëm në sallën e gjyqit, ndërsa për mediat është shprehur se nuk do t’i shkojë në qeli. Kjo për arsyen se ish-bashkëshorti i saj nuk do ta pranonte kurrë.

Read Entire Article