A u negociua largimi i terroristëve serbë nga Kosova? Pretendimet “pengojnë” hetimin e plotë të sulmit terrorist në Banjskë

4 months ago 8

Sulmi në Banjskë ka arritur të rikthehet si temë në vëmendjen e opinionit publik me anë të publikimit të një raporti zyrtar, në të cilin u pretendua se misioni i KFOR-it u mor vesh me sulmuesit që të ikin nga kishin ardhur.

Të shtunën (25 maj) në raportin e Grupit Ndërkombëtar të Krizave, gjatë diskutimit në komisionin për mbrojtje e siguri në Asamblenë e Përgjithshme të NATO-s, u tha se misioni i KFOR u mor vesh me sulmuesit që të ikin nga kishin ardhur, përfshirë edhe nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiq, ndaj të cilit ekziston edhe një flet-arrest ndërkombëtar i lëshuar nga INTERPOL-i.

“Zyrtarët e KFOR-it negociuan tërheqjen e pjesës tjetër të grupit në pyjet përreth, ku ata ishin zhdukur. (ICG, 2024). Autoritetet e Kosovës besojnë se potencialisht qindra sulmues të tjerë po fshiheshin në pyjet mes Banjskës dhe kufirit serb dhe ata zbuluan një arkiv të madhe armësh të gatshme për të shkaktuar dëme dhe viktima. Kjo përfshinte raketat anti-tank, granata hedhës, minat anti-tanke dhe 24 makinat (njëra e blinduar) (ICG, 2024)”, thuhet në raportin e NATO-s.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i KFRO-it duke mohuar një gjë të tillë.

“Grupi Ndërkombëtar i Krizave së fundmi publikoi një raport të titulluar “Veriu i Kosovës: Pohimi i sovranitetit mes besnikërisë së ndarë”. Në rrëfimin e tij për dhunën që ndodhi në Banjska në shtator 2023, raporti thotë se: “Duke pasur frikë nga një gjakderdhje, KFOR-i negocioi tërheqjen e grupit [luftëtarëve serbë] në pyjet përreth, nga të cilat ata u zhdukën”. Kjo është e pasaktë. Në asnjë moment KFOR-i nuk ishte i përfshirë në negociatat e supozuara”, thuhet në një kumtesë për media të lëshuar nga misioni i KFOR-it.

Të njëjtit kërkojnë që autorët duhet të përballen me drejtësinë, duke theksuar koordinimin e tyre të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in për të vendosur sigurinë në atë zonë.

Mirëpo, sa mund të konsiderohet si pengesë në rastin e hetimeve për Banjskën aludimi se ikja e terroristëve u negociua nga një organ siç është KFOR-i?

Quni: Vlerësimi nga vendngjarja është më i saktë se lajmi që prodhohet në zyre

Për këtë temë i pyetur nga “Bota sot”, ka folur deputeti Anton Quni.

Image

Anton Quni

Ai u shpreh se paraprinë që t’i besojë qëndrimit zyrtar të KFRO-it.

“Në lidhje me deklarimet e ICG-së dhe KFOR-it, për tërheqjen e njësisë paramilitare/terroriste serbe nga Banjska e të cilat janë kundërthënëse njëra me tjetrën, jam i prirë t'i besojë qëndrimit zyrtar të KFOR-it”, thotë ai.

Deputeti më tej shton që vlerësimi nga terreni është më i saktë se lajmi që prodhohet në zyre.

“Në shumicën e rasteve, vlerësimi nga vendngjarja apo terreni është më i saktë se lajmi që prodhohet në zyre”, potencon deputeti Quni për “Bota sot”.

Elezi: Dua të besoj që Prokuroria e Kosovës deri më tani ka arritur të grumbulloj provat dhe argumentet e duhura

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur eksperti i sigurisë Bedri Elezi.

Image

Bedri Elezi

Ai thotë se lajmi që KFOR-i është i përfshirë në këtë rast është i vërtetë, ani pse ka qenë për të u shmangur një rrezik më I madh për dy vendet.

Elezi përmend edhe faktin që për këtë sulm terrorist Vuçiqi ka bashkëpunuar drejtpërdrejt edhe me Radojçiqin.

“Në fakt ne edhe më parë kishim paralajmëruar se fal Inteligjencës së lartë të NATO-së që veproi në kuadër të NATO-së, që veproi shpejt rreth situatës së rëndë siç ishte ajo në Banjskë. Ndërsa sa i përket kësaj situate, kemi pasur një negocim në këtë rast pavarësisht që KFOR-i është munduar ta demantoj këtë lajm ani pse e gjithë kjo është bërë për të mirën e sigurisë së vendit  për të ruajtur një shkëmbim të zjarri të fuqishëm mes palëve.  Duhet përmendur faktin që bisedat ishin zhvilluar në atë kohë edhe me vet presidentin Vuçiq i cili kishte negocuar drejtpërdrejt edhe me Radojçiqin dhe i njëjti kishte përfituar nga marrëdhënia me faktorin ndërkombëtar që është person që garanton në sigurinë e rajonit”, u shpreh ai.

Ndër të tjera, eksperti i sigurisë thotë që ky deklarim nuk duhet të lejohet të ndikojë në rastin hetimor.

Mirëpo sipas tij Prokuroria duhet të ketë grumbulluar deri më tani argumentet dhe provat e forta që të mos lejohet të ndikohet ky proces hetimor.

“Ndërsa sa i përket hetimit të këtij sulmi në Banjskës publikimi i këtij informacioni do të ketë impakt. Por se në anën tjetër dua të besoj që Prokuroria e Kosovës deri më tani ka arritur të grumbulloj provat dhe argumentet e duhura që të mos lë të ndikoj në rastin hetimor ky deklarim. Në raste të tilla jem të vetëdijshëm që edhe KFOR-i por edhe institucionet që merren me hetimin e këtij procesi do të kenë mundësi të ruajnë mënyrën e komunikimit dhe publikimit të informacioneve. Komunikime të cilat mund të ndikojnë negativisht qoftë në hulumtimet e ardhshëm apo për rrezikun që mund të i kanoset Kosovës si rezultat i organizimeve të ngjashëm të grupeve terroriste apo edhe në proceset hetimore që drejtësia ka nevojë të sjellë një ballafaqim qoftë duke siguruar prezencën e të dyshuarve qoftë edhe pa prezencën e tyre për të i dhënë një epilog kësaj ngjarje tejet të rëndë e cila ka të bëj me cenimin e sovraniteti të Kosovës”, foli Elezi për “Bota sot”.

Read Entire Article