Al Hilal nuk heq dorë nga Osimhen

11 months ago 12
Reklamë
21:07 29/09/2023

Klubi saudit pritet që të bëjë një tjetër ofertë në merkaton e Janarit për sulmuesin Nigerian

Klubi saudit i Al Hilal është favorit për të nënshkruar me Viktor Osimhen, nëse sulmuesi vendos që të largohet nga Napoli.

Marrëdhëniet mes nigerianit dhe “të kaltërve” janë mjaft të tensionuara, pas një videoje të postuar në Tok-Tokun zyrtar të klubit, ku sulmuesi vihej në lojë.

Sipas mediave italiane, 24-vjeçari ka qenë i pakënaqur me klubin në muajt e fundit dhe episodi i fundit mund të jetë një shtysë e madhe që ai të largohet nga Napoli.

Al Hilal i ofroi në muajin Gusht një kontratë pesë vjeçare sulmuesit, që do të përfitonte deri në 45 mln Euro në vit.

Klubi saudit ishte i gatshëm që të paguante edhe 200 mln Euro për kartonin e futbollistit tek italianët.

Për Osimhen interes ka edhe Çelsi, që pavarësisht shpenzimeve të mëdha, edhe në këtë sezon është larg pritshmërive të drejtuesve dhe tifozëve.

Në lidhje me videon me përmbajtje tallëse, agjenti i nigerianit, Roberto Calenda, tha se ka të drejtën që të ndërmarrë veprime ligjore kundër klubit pasi “lojtari i tij ka pësuar dëm shumë serioz”.

Golashënuesi më i mirë i sezonit të shkuar me 26 gola u vu në lojë për penalltinë e humbur në ndeshjen e fundit të kampionatit kundër Bolonjës.

Nigeriani ka hequr pothuajse të gjitha fotot me fanellën e Napolit nga Instagrami i tij dhe ndaloi së ndjekuri profilin e klubit.

Kontrata e Osimhen përfundon në verën e 2025, ndërsa ai po negocionte me “të kaltrit” për të rinovuar.

Klan News


Të ngjashme

Read Entire Article