Alarmi për sulmin e Serbisë në Kosovë, reagojnë ekspertët: Informacionet duhet të merren seriozisht ose rreziku është për...

2 months ago 7
Reklamë

“Institucionet tona kanë informacione të sakta se një grup tjetër prej qindra personash po bëjnë të njëjtën gjë, po ushtrohen, po përgatiten për ndonjë sulm eventual që mund ta përjetojmë”, kështu ka deklaruar kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca të hënën.

Sipas tij, Kosova është gjithmonë e përgatitur për çfarëdo sulmi.

“Por, ne jemi gjithmonë të përgatitur, dhe institucionet tona të sigurisë janë në vigjilencën më të lartë, që ta përballin çfarëdo që na vjen ose sulm ose provokim nga ana e Serbisë”, ka shtuar kryeparlamentari.

Për sulm të Serbisë ndaj Kosovës ka folur edhe deputeti i partisë nga vjen Konjufca, Lëvizja Vetëvendosje, Agon Batusha.

Batusha i cili është edhe anëtar i Komisionit për Integrim Evropian, ka thënë se është i pakuptimtë dialogu, pasi ka qindra terroristë që po trajtohen në Serbi për ta sulmuar Kosovën.

“Përderisa ka qindra terroristë që po trajnohen në Serbi për ta sulmuar Kosovën, dhe Millan Radoiçiq është ende i lirë, është e pakuptimtë të bëhet dialogu’’, ka thënë Batusha.

Ekspertët e sigurisë kërkojnë që të merren seriozisht deklarata të tilla dhe sipas tyre, këto informacione paraqesin rrezik.

Shala: Rreziku është permanent

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, thotë se informacionet se Serbia ka për qëllim cenimin e sigurisë së vendit paraqesin rrezik.

Image

Drizan Shala

“Situata e deklarimeve që kanë ardhur nga krerët institucionalë bazohen në informacione të organeve të sigurisë të Kosovës që në pjesën e territorit të Serbisë ka një fushatë trajnuese të grupeve që për synim dhe qëllim kanë cenimin e sigurisë së vendit. Këto informacione paraqesin rrezik permanent për arsye që Serbia ka shprehur hapur qëndrimin e saj për krijimin e botës serbe dhe mbi këto deklarime politike shohim zhvillime interesante të sigurisë në terren të palës serbe”, pohon Shala.

Sipas tij, institucionet kanë ndërmarrë veprime konkrete mbi këto informacione.

“Institucionet tona kanë ndërmarr veprime konkrete mbi këto informacione duke përgatitur plane të detajuara për t’iu kundërvënë  çfarëdo veprimi të mundshëm që cenon sigurinë nacionale të vendit”, shton Shala.

Rexhaj: Paga e rekrutëve serbë shkon deri në në 2 mijë euro…

Image

Arbër Rexhaj

Përpos krye-parlamentarit dhe deputetit Agon Batushës, edhe deputeti Arbër Rexhaj ka paralajmëruar të martën në një emision televiziv për një sulm të mundshëm të Serbisë në Kosovë.

Rexhaj ka thënë se Policia dhe AKI-ja janë në dijeni se grupe të përbërë nga ish – kriminelë që kanë marrë pjesë në luftën e Kosovës po trajnohen nëpër kazermat zyrtare të ushtrisë së Serbisë, për një sulm të radhës në Kosovë.

Ndër të tjera, ai ka thënë se këto struktura paguhen në baza mujore.

 “Institucionet e Republikës së Kosovës, sidomos ato te sigurisë polica dhe AKI-ja është në dijeni të grupeve të ish ushtarakëve, ish gjeneralëve të pensionuar, ish kriminelëve në luftën e Kosovës, ish policëve të cilët që ushtrojnë në kazermat zyrtare të ushtrisë së Serbisë ku paguhen në baza mujore, e tash meqë ka krizë iu është shtuar paga, e paga ju shkon deri në 2 mijë euro…”, ka thënë Rexhaj.

Dashevci: Rrezikohemi nga lufta hibride e Serbisë

Eksperti i sigurisë, Arben Dashevci, kërkon që deklaratat të merren seriozisht.

Image

Arben Dashevci

“Deklarata e Kryekuvendarit Konjufca është e drejtë dhe duhet të merret seriozisht, këtu nuk ka asnjë dyshim sepse ky institucion ashtu sikurse Kryeministri dhe Presidenti pranojnë informata kredibile inteligjente nga institucioni i sigurisë kombëtare AKI.  Ato informacione, grumbullohen, përpunohen, analizohen dhe kalojnë në inteligjencë dhe dorëzohen në kohë të shpejtë dhe saktë në organe të rëndësishme të vendit”, deklaron Dashevci.

I pyetur rreth “guximit” të Serbisë për të hyrë në luftë me NATO-n, pasi secili sulm i mundshëm në Kosovë do të ishte sulm ndaj NATO-s, Dashevci thotë se, ajo nuk e ka këtë guxim, por është në vazhdën e luftës hibride.

“Serbia nuk ka guxim më të veprojë në përmasa të 24 Shtatorit 2024, për këtë ka shumë fakte dhe fakti më i rëndësishëm është deklarata e Nënsekretarit Amerikan për Evropë dhe Azi Xhejms O' Brien ku e tha qartë në Kosovë dhe Bosnjë JO. Reaguesi i tretë KFOR ka pesëfishuar numrin e ushtarëve ,kurse institucionet tona janë të gatshme për veprim me një vigjilencë maksimale në 24/7 dhe me kapacitete të plota dhe këtë Serbia e dinë mirë dhe sipas mendimit tim është vazhdë e luftës hibride/ luftës speciale, propaganduese që Serbia të mbajë situatën në tension”, thekson eksperti.

Nëse Serbia tenton të sulmojë përmes grupeve terroriste sikurse më 24 shtator, sipas Dashevcit, ajo do të kalojë shumë më keq në rrafshin ndërkombëtar dhe do të ishte fundi politik i Vuçiqit.

“Pra Serbia sipas mendimit tim as që e guxon ta mendoj një luftë me NATO,  sepse kalon ashtu di ka kaluar në vitin 1999 . Nëse tenton të na sulmojë përmes grupeve terroriste sikurse më 24 Shtatorë kalon shumë më keq në përfshin ndërkombëtarë dhe është fundi politik i Vuçiçit sepse nuk tolerohet më por edhe ballafaqohet me institucionet tona dhe aleatët pra NATO, që kujdesen për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës pa dallim”, pohon eksperti.

 Ai shton se bota demokratike nuk duhet të lejojë përsëritjen e një Banjske të dytë.

“Janë kërcënime serioze dhe në vazhdën e luftës hibride nuk ka dyshim aty, por ka vigjilencë të paparë të institucioneve tona dhe kanë kapacitete të plota për veprim kundrejt çdo rreziku që na kanoset nga Serbia në bashkëveprim dhe bashkëpunim të plotë me aleatët pra miqtë ndërkombëtarë. Në fund sipas mendimit tim nuk lejon më bota demokratike asnjëherë përsëritjen e një Banjskë të dytë”, përfundon Dashevci.

Read Entire Article