Amnistia, deputetët: Të përfshijë më shumë të dënuar

8 months ago 27
19:45 23/01/2024

Ferdinand Xhaferaj thyen “bojkotin” e opozitës

Mazhoranca kërkon rishikim dhe zgjerim të përfituesve nga amnistia penale e qeverisë për të burgosurit.

Gjatë diskutimit në mbledhjen online të Komisionit Parlamentar të Sigurisë të projektligjit të qeverisë, deputeti i PS-së, Bujar Çela kërkoi që përfitues të amnistisë të jenë edhe të dënuarit veprat penale për ndërtimet pa leje, apo ata me detyrim paraqitjeje.

“Duhet të zgjerohet spektri i përfituesve. Kemi të dënuar që janë rrahur me njeri-tjetrin dhe vazhdojnë të jenë të dënuar sipas Kodit të Procedurës Penale, edhe pasi ata mund të jenë pajtuar pasi ka qenë një zënkë ordinere. Unë dua të di në këtë spektër nuk mund të përfshihen edhe…se dënim është edhe gjoba për disa ndërtime pa leje kasolle, shtesa banjosh, avlli për të sistemuar familjen. Kur themi të përfitojmë duhet të përfitojnë edhe ata që janë me detyrim me paraqitje. Shpresoj që spektri i kësaj amnistie duhet të shtohet akoma më shumë sepse është shumë i cunguar. Shpresojmë që kur ta diskutojmë nen për nen të jetë më i qartë dhe propozimet tona”.

Për zgjerimin e veprave penale ishte dhe ish-ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, i cili tha se disa vepra penale nuk janë perfshirë.

“Disa vepra penale siç është peshkimi i ndaluar. Nëse është i dënuar ju i amnistoni, nëse është në ndjekje penale për peshkim të ndaluar, nuk e amnistoni. Apo prerje të paligjshme të pyjeve. Nëse është i dënuar amnistohet, nëse është në ndjekje penale ku parashikohet deri një vit nuk amnistohet”.

Propozime të tjera për amnistinë nga e cila pritet të përfitojnë rreth 600 të burgosur, bënë dhe vetë socialistët.

Për herë të parë pjesë e këtij komisioni u bënë edhe deputetët e opozitës, si Ferdinand Xhaferaj dhe deputetja e LSI-së Monika Kryemadhi. Xhaferaj pavarësisht se është pjesë e grupit parlamentar për mosbindje civile, dha këtë argument se pse e theu bojkotin.

“Lidhet me qytetarët dhe kjo prevalon dhe mbi vendimet politike”.

Amendamenti për projektligjin e amnistisë penale që Xhaferaj ka depozituar sqaroi për Tv Klan se synon përfshirjen edhe të personave të dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë për pjesëmarrje në akte dhune gjatë protestave të opozitës, për të cilat pritet ende vendimi i Gjykatës së Apelit.

Tv Klan


Të ngjashme

Read Entire Article