Analistët mirëpresin largimin e Josep Borrellit nga dialogu Kosovë-Serbi, paralajmërojnë ndryshime me ardhjen e Kaja Kallas

2 months ago 6
Reklamë

Ndryshime të mëdha pritet të ndodhin në Bashkimin Evropian, ku Shefi për Politikë të Jashtme dhe Siguri në Evropë, Joseph Borrell do të largohet nga pozita e tij. E së fundi, Kaja Kallas, kryeministrja e Estonisë, është nominuar si “pasardhëse” e Josep Borrell. Ajo njihet edhe si "Zonja e Hekurt".

Kurse sa i përket emisarit special të BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, edhe pse pritej largimi i sllovakut, Miroslav Lajçak, atij i është vazhduar mandati edhe për pesë muaj të tjerë, kjo me kërkesë të shefit aktual të BE-së, Joseph Borrell.

Por analistët dhe njohësit e zhvillimeve politike në vend, po kërkojnë që pasardhësja e Borrelit, Kaja Kallas të emërojë dikë tjetër në vend të Lajçakut, i cili njihet për qasjen e tij pro serbe.

Shansi i fundit për BE-në

Analisti Faton Mehmeti e quan lajm të mirë për Kosovën largimin e Joseph Borrelit dhe emërimin e Kaja Kalles si shefe e re e diplomacisë së BE-së.

Image

Faton Mehmeti

“Emri i Kaja Kallas është përmendur qysh moti në Bruksel si pretendente për të marr vendin e z.Borell. Pavarësisht premisave të mirë të zonjës Kallas, edhe nëse emërohet apo jo, duhet ditur se është lajm i mirë që z.Borell po ikën. Kushdo që do të vij në vendin e tij besoj se do të jetë më i suksesshëm”, shprehet Mehmeti.

Sipas tij, është momenti i fundit për Bashkimin Evropian që ta shtyjë procesin e dialogut Kosovë-Serbi përpara.

“Natyrisht se nevojitet dikush që do i shtyj para procesit, si parakusht duhet të jetë mos ledhatimi i Serbisë, të qenurit neutral dhe mbi të gjitha mos të ndjek rrugën e z.Borell. Besoj se zonja Kallis, nëse emërohet mund të shtyjë para proceset, si dhe për të kthyer besimin e humbur tek BE për t'i dhënë Kosovës dhe Serbisë marrëveshjen përfundimtare. Është shansi i fundit që BE të kthej besimin si dhe të ik nga dështimi ku aktualisht ndodhet në raport të ndërmjetësimit Kosovë-Serbi”, thekson Mehmeti.

Ndikimi pozitiv i Kaja Kalles në dialogun Kosovë-Serbi

Image

Gani Qarri

Ashtu si Mehmeti, edhe analisti Gani Qarri thotë se largimi i Borrellit, padyshim që është një lajm i mirëpritur për Kosovën.

“Në fakt tanimë, fatmirësisht, po merr fund edhe një mandat tërësisht i dështuar, jo vetëm për Shefin e Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, por edhe për ndërmjetësin Lajçak dhe emisarin Eskobar, që për fat të mirë, para disa kohësh u shkarkua nga posti i të dërguarit special të SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, të cilët gjatë krejt këtij mandati jo vetëm që nuk arritën të akomodojnë sado pak, raportet mes Kosovës dhe Serbisë, por me qëndrimet e tyre fund e krye.pro serbe e futën edhe procesin e bisedimeve në rrugë pa krye dhe bllokuan tërësisht dialogun!”, shprehet Qarri.

Ai thotë se emërimi i Kaja Kalles është një gjë pozitive për dialogun Kosovë-Serbi.

“Prandaj pas mbarimit të mandatit nga Josep Borell, për kreun e ri të diplomacisë së BE-se u caktua emri i zonjës Kaja Kallas, kryeministres se Estonisë, që ndryshe njihet edhe si “Zonja e re e Hekurt e Evropës”, e cila pas largimit të ndërmjetësuesve të deritanishëm euro-amerikan që favorizuan e ledhatuan aq shumë Serbinë dhe mbështetën sjelljet destruktive, të presidentit kriminel serb Aleksandër Vuçiq, pritet të ndikojë pozitivisht edhe ne dialogun Kosovë-Serbi”.

“Duke qenë se liderët e BE-së zgjodhën Antonio Costa si president të Këshillit Evropian, Ursula von der Leyen presidente të Komisionit Evropian dhe kryeministren e Estonisë në largim Kaja Kallas përfaqësuese të lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, shpresohet që pas shkarkimit të Gabriel Eskobarit dhe emërimit të një të dërguari tjetër më real dhe të arsyeshëm në vend të tij, nga SHBA, edhe marrëveshja mes dy vendeve,në rast se "Zonja e re e Hekurt e Evropes", përfundimisht merr mandatin e përmendur, mund të arrihet. Kaja Kallas e bija e ish-kryeministrit të Estonisë dhe komisionarit të BE-së, Siim Kallas si dhe ish kryeministrja e parë femër e Estonisë, do të shërbejë si përfaqësuese e lartë e BE-së për çështjet e jashtme dhe politikën e sigurisë për pesë vitet e ardhshme, si mandatarja e parë e Evropës Lindore dhe politikania e parë estoneze që do të mbajë një pozicion kaq të lartë në administratën e BE-së, e cila njëkohësisht do të shërbejë edhe si zëvendëspresidente e Komisionit Evropian”, shton Qarri.

Për fund, ai thotë se gjatë mandati të Kaja Kalles si shefe e diplomacisë së BE-së, mund të arrihet një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë.

“E derisa zonja që do të mbaj gjithë këto poste me rëdësi në krye të BE-së, Kaja Kallas e cila njihet edhe për qëndrimin e saj pozitiv-pro Kosovës, përveç nje goditje për Serbinë, emërimi i saj në këto poste të larta të BE-së, mund të rezultojë edhe në arritjen përfundimtare të marrëveshjes ndërmjet të dy vendeve dhe dhënien fund dialogut maratonik me njohjen reciproke Kosovë-Serbi!”, përfundon analisti Gani Qarri për “Bota sot”.

Read Entire Article