Analiza për vizitën e Ramës në Athinë/ Monika Stafa: Kthehuni në Itakë

4 months ago 16
Reklamë

Nga Monika Stafa/

Rilindasit të parët dhe më pas brezi i Orës së Maleve të dytët e thanë: Kudo ku shqiptarët bashkohen, ata bëhen më të mirët dhe fitojnë. Dhe këtë për fat të mirë por edhe jo aq të mirë, historia e ka treguar. E sotmja gjithashtu tregon cdo ditë se armiku më i madh i shqiptarëve janë shqiptarët. Nuk është vetëm e Konicës kjo shprehje. Është e jetës. E bashkëjetesës në komunitet. Është e jona. Ne, kudo ku bashkohemi nuk na mposht dot askush.

Kësaj radhe edhe në Athinë. Pavarësisht kërcënimeve. Pavarësisht pengesave, shantazheve, kufijve detarë dhe ligjit të luftës, ja dolëm. Duke i dhënë kështu vetes mundësinë ta ndjekim me dinjitet atë shfaqje. Atë takim mes emigrantësh prej një stadiumi ku dje shqiptarët i ndoqi fshesa e egër.

Asnjëherë sa sot, politika shqiptare nuk ka përmbushur asgjë në dobi të emigracionit nëpër botë. E megjithatë ai vazhdon të ndihmojë vendin e tij në të ardhura për frymë, në mundësi studimi të qindra e mijra të rinjve në Perëndim, në sjelljen e investitorëve të huaj, në ruajtjen e kulturës dhe kultivimit të gjuhës shqipe në diasporë, etj.

Sepse herët qëllimi i tyre pat qenë i qartë, fillimisht kryerja e detyrimeve kombëtare e më pas integrimi në kulturën e shteteve ku kishin gjetur veten. Por a ka pasur ndonjë moment historik të ndërveprimit të saj në jetën e shqiptarëve vec aktivitetit të tyre me karakter kombëtar?

Ka ndodhur disa herë në histori. Kur u shpall pavarësia e Shqipërisë në fillim të shekullit të kaluar dhe në vitin 1999, pragun e mijëvjecarit të ri ku diaspora tregoi se ishte një krah i fortë dhe gur themeli në betejën e Kosovës për liri.

Sot në Athinë, ne pamë se kjo diasporë nuk ka më nevojë të shtohet por të kthehet në atdhe. Dhe të kontribuojë në vendin e vet për ta cuar atë drejt prosperitetit dhe zhvillimit ekonomik.

David Ben- Gurion u zgjodh kryemnistri i parë i Izraelit në vitin 1948. Ai kryesoi shumë projekte kombëtare që synonin zhvillimin e shpejtë të vendit dhe popullit të tij. Përballë një vendi të rënduar financiarisht, Ben- Gurion ju lëshua diasporës për ndihmë. Dhe ata erdhën. Izraeli njohu zhvillimin dhe prosperitetin për të cilin ne kemi dëgjuar shumë. Në ekonomi, bujqësi, kulturë, arsim dhe teknologji.

Cfarë ne presim në këtë rrugëtim prosperimi të shtetit shqiptar nuk do të jenë asesi cështjet e vjetra që kanë të bëjnë me kombëtarinë dhe proceset e ekzistencës së tij. Tashmë kjo epokë ka mbaruar.

Itaka i pret të rinjtë e saj për të lundruar në oqeane të largëta dhe të trazuara drejt një bote krejt të re.

Ndaj një thirrje prej zemre ajo e Ben Gurion na vjen së brendshmi të gjithëve; duke punuar për integrime ndërshqiptare, rruga për integrime rajonale dhe evropiane bëhet më e lehtë, më e natyrshme dhe me jetëgjatë.

Është koha që kjo diasporë të vijë këtu. Është koha që ajo ta drejtojë thellësisht mendjen këtu. Ne duhet të luftojmë t’i ndryshojmë drejtimin duke ushtruar të gjitha forcat të investohemi në të vetmin burim të madh që mund të kemi ende; burimet njerëzore.

Njeriu, talenti dhe vullneti i tij.

Read Entire Article